Teksa situata politike shqiptare sot është polarizuar me tensione, ku opozita kërkon doreheqjen e kryeministrit dhe qeveri teknike per te garantuar zgjedhje te lira me 18 Qershor, këto dy intervista, realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në maj 1997 për gazetën Koha Jonë, tregon për mënyrën sesi punonin bashkë demokratet dhe socialistet per qeverine e vitit 1997.
Janë intervista për të njëjtën temë, Komitetet e shpëtimit, si për Ministrin demokrat të Rendit, Belul Çelo, ashtu edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të së njëjtës ministri, Lush Përpali.
Oponencë dhe oportunitet në Ministrinë e Brendshme midis Ministrit demokrat dhe Sekretarit të Shtetit, socialist
Komitetet e shpëtimit/ Çelo: “Kërcënim serioz”
Belul Çelo dikur inxhinier, mandej drejtor nafte, deputet dhe kryetar i PD-së në Fier. I përfolur nga shtypi i majtë për ngjarjen e Libofshës dhe djegien e Bashkisë së qytetit të tij, megjithatë pranon të flasë për “Koha jonë”. Është i martuar, ka dy vajza, ende i pashpërngulur nga Fieri. Po më vonë?
-Si ndiheni i ulur në karrigen e Ministrit të Brendshëm?
-Është një detyrë e vështirë që kërkon angazhim të plotë dhe impenjim e përkushtim total. Megjithatë, lodhja është e pakrahasueshme me nderin që të jep të qenit Ministër në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar.
-Pse ju zgjodhën juve pikërisht në këtë post delikat dhe sa lehtësisht pranuat ?
-Nuk di si ta shpjegoj pse më zgjodhën, por di pse pranova. Dua t’i jap vendit tim atë ç’mund dhe duhet të jap gjithkush sipas mundësive dhe postit përkatës. Është momenti të kalojmë në plan të dytë, në mos të harrojmë, cilës forcë politike i përkasim dhe t’i përsërisim vetes detyrën tonë kryesore: sigurimin e qetësisë, vendosjen e rendit, garantimin e një jete normale. Besoj se gjatë kësaj pak periudhe, diçka e kemi arritur: mundëm të çbllokojmë aeroportin e Rinasit, portin e Durrësit, të hapim shkollat, edhe pse me shumë sforcim, pasi sot Shqipëria është e mbarsur me armë dhe municione.
-Cili është raporti që ruani me Sekretarin e Shtetit të MB, vendosur nga Partia Socialiste ?
-Në bazë të marrëveshjes së 9 marsit është ndryshuar diçka në dikasterin tonë. Drejtimi i Ministrisë së Brendshme bëhet bashkërisht nga Ministri dhe Sekretari i Shtetit dhe në veprimtarinë tonë të përbashkët pavarësisht nga diversiteti i mendimit politik, jemi përpjekur të gjejmë një konsensus për të arritur atë çka i intereson të mirës së gjithë Shqipërisë.
-Ju nuk jeni një partiak fanatik?
-Fanatik jo. Partiak sigurisht.
-Pse e mbrojtët Agim Shehun?
-Unë mund të gjykoj për veprimtarinë e vartësit tim dhe pse kam 8 javë që bëj ministrin, e, kur ky vartës ka ecuri pozitive, nuk kam pse ta paragjykoj, as të aludoj për të i nisur nga pikëpamjet e tij politike. Në fund të fundit të gjithë po kërkojmë paanshmëri dhe depolitizim.
-Pse po bëhet sikur SHIK-u është harruar?
-Aktualisht ai është i paralizuar. Kam kërkuar që të rinisë menjëherë nga puna, pasi nuk mund të kuptohet një shtet pa Shërbimin Informativ Kombëtar.
-Në prag të zgjedhjeve cila do të jetë urdhëresa e posaçme që do të nxjerrë MB për policinë shqiptare?
-Policia shqiptare do të ketë paanshmëri në procesin e zgjedhjeve. Ajo do të përpiqet me të gjitha mundësitë që ka, duke marrë parasysh se ka pësuar një goditje të fortë, të garantojë veprimtarinë e lirë politike dhe ditë votimi të qetë.
-A e pengojnë komitetet e shpëtimit, policinë?
-Po. S’janë të pakta rastet kur komitetet e shpëtimit i janë imponuar policisë duke i krijuar probleme serioze. Këto komitete duhet me domosdo të dalin nga skena.
-Keni menduar t’i nxirrni dhunshëm?
-Jo. Rrëzimi i tyre varet nga qëndrimi që do të mbajnë forcat politike dhe unë gjykoj që ky qëndrim duhet të jetë i prerë, me qëllim që t’i lihet hapësirë e lirë funksionimi, komisariateve të policisë dhe pushtetit lokal
-A e kanë rënduar buxhetin e shtetit paratë që janë marrë nga ju për gjendjen e jashtëzakonshme?
-Ka një buxhet të planifikuar për MB, e cila është një institucion buxhetor. Unë kam insistuar personalisht për rritjen e pagave të policëve, duke marrë parasysh momentin e vështirë në të cilin ata duhet të operojnë.
-E kanë marrë pagën e premtuar policët?
-Është dhënë një pagë që e kapërcen trefish rrogën e tyre të mëparshme, por me karakter shërbimi. Unë jam për pagën fikse. Gjithashtu do të kërkoj së shpejti nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar të ndryshojë statusin e ushtarakut.
-Këta punonjës policie që po paguhen trefish a e kanë trefishuar punën këto kohë, që vetëm të qeta s’mund të quhen?
-Kur unë kam marrë këtë detyrë, në Shqipëri funksiononin 4-5 komisariate. Sot janë 40. Kuptohet që forca goditëse ndaj krimit dhe vendosja e rendit nuk janë në nivelin e dëshiruar, por së paku kemi mundur të organizojmë dhe ristrukturojmë komisariatet, megjithëse, përsëris, komitetet në disa qytete bëhen pengesë serioze.
-Ju ende se keni dhënë një përgjigje për Bushatin.
-Para se unë të jap një përgjigje të saktë, këtë do ta bëjnë organet e drejtësisë që po vazhdojnë hetimet.
-Nuk i jeni përgjigjur gjithashtu akuzave për ngjarjen e Libofshës dhe djegien e Bashkisë në Fier?
-Aspak nuk kam lidhje me këto dy ngjarje, sepse në të dyja rastet kam qenë jashtë Fierit.
-Ku?
-Në janar kam qenë në Portugali, ndërsa kur ndodhi ngjarja e Libofshës, kam qenë me punë në Sarandë. Shtypi i majtë më akuzon dhe do vazhdojë të më akuzojë, sepse politika shqiptare ecën me moton: “Shaj, shaj se diçka do mbetet”. Unë deri tani nuk i kam dhënë përgjigje këtyre akuzave të pabaza, por së shpejti mendoj të kontaktoj me median për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve të tjera.
-Shtypi i majtë ju paska zët. Po në Fier, ku keni qenë inxhinier, drejtor nafte, deputet, kryetar i PS-së, a ju duan?
-Besoj se e gëzoj njëfarë respekti, sepse kam punuar me përkushtim, ndershmëri dhe kam bërë një jetë familjare. E vetmja pasuri e imja është familja.
Komitetet e shpëtimit/ Përpali: “Trillim serioz”
Lush Përpali, Doktor i Shkencave Ekonomike, i papunë para se ta emëronin Sekretar Shteti në Ministrinë e Brendshme. I martuar, babai i dy vajzave të vogla, banon në një apartament dhomë e kuzhinë, Tiranë. Anëtar i Kryesisë së PS-së që s’pranon se merr direktiva nga asnjë funksionar në partinë e tij.
-Çfarë ka të përbashkët Doktori i Shkencave Ekonomike me Ministrinë e Brendshme?
-Profesionalisht asgjë, por situata erdhi e tillë që më detyroi ta pranoj postin e propozuar.
-Cilat janë kompetencat de jure të Sekretarit të Shtetit?
-Kur kam marrë këtë detyrë nuk kam gjetur asnjë akt ligjor që të përcaktonte funksionin e një Sekretari Shteti. Pas vendimit të qeverisë detyra ime u përcaktua si dublim i detyrës së ministrit. Asnjë akt qoftë normative, qoftë individual nuk mund të dalë tanimë nga ministria pa firmën tonë të përbashkët.
-Ngaherë është realizuar kjo?
-Kryesisht po. Por ka edhe raste kur ministri ka dhënë urdhra pa dijeninë time për shkarkime shefash komisariati dhe zëvendësimesh me të rinj, si për shembull në Berat, Mallakastër, Dibër, Skrapar. Nga ana ime për çdo rast ka pasur reagime. Ndërkohë unë kam këmbëngulur që zgjedhja e shefave të komisariateve të bëhet nga ne me propozimin e forcave politike të rrethit përkatës.
-Merrni direktiva për punën, nga partia juaj?
-Unë marr pjesë në strukturat e partisë si më parë,shkoj në mbledhjet e kryesisë, siç shkon dhe ministri në mbledhjet e partisë së vet, por nuk kam marrë direktiva nga askush. Në parti më kërkojnë vetëm realizim dhe vërtetësi.
-Cili do të jetë roli i policisë ditën e zgjedhjeve?
-Njerëzit kërkojnë nga policia të jetë e paimplikuar në besime partiake dhe të ruajë rendin nga ata që e prishin, të cilado partie qofshin. Shpresojmë se nuk do të ndodh si në 26 maj, kur vetë policët kanë futur më shumicë vota në kutitë e votimit. Unë them me siguri që policia nuk do ta riluaj atë rol të pakëndshëm, por nëse dyshoj për të kundërtën do i drejtohem së pari qeverisë dhe mandej opinionit për t’i bojkotuar zgjedhjet.
-Do të kërkoni ndihmë nga Forcat Shumëkombëshe ato ditë?
-Si ministri nuk kemi diskutuar për këtë problem, por personalisht mendoj që, përderisa Forcat Shumëkombëshe janë, do të qe mirë të jepnin ndihmën e tyre për të siguruar qetësinë. Ata i kanë mundësitë, duke qenë se përbëjnë një numër të konsiderueshëm, që dhe mund të shtohet. Në fund të fundit, rezultati final i gjithë punës sonë e të tyre është dita e zgjedhjeve, sepse stabiliteti i plotë i vendit do të vijë vetëm pasi populli ta thotë lirisht fjalën e vet dhe të vendosë për njerëzit që do e qeverisin.
– A ruani ju lidhje të drejtpërdrejta, apo telefonike me komitetet e shpëtimit?
-Nuk i njoh personalisht ata që përbëjnë këto komitete qytetare krijuar në disa rrethe, por mendoj se çështja e komitetit është më tepër problem i trilluar sesa real. Shtrohet problemi sikur ekzistenca e tyre po pengon veprimtarinë e policisë dhe pushtetit lokal, gjë që s’është e vërtetë. Nuk ka asnjë rreth në Shqipëri, ku të mos ketë filluar funksionimi i komisariateve, nën presionin e këtyre komiteteve. Është krijuar padrejtësisht ideja se po luftojnë në kahe të ndryshme policia me komitetet për të pushtuar qytetet, gjë që s’është reale. Në Shqipëri nisi revolta popullore që dhe rrëzoi qeverinë Meksi.
U bënë përpjekje fillimisht të mposhtej me dhunë kjo revoltë, që s’u arrit, jo nga mungesa e dëshirës, por e mundësive. Tani dikush, padrejtësisht mendon se simbol i kësaj revolte janë komitetet e duke qenë se, nuk u shtyp dot me dhunë revolta, duan ta shtypin me dhunë komitetet. Ata që janë mësuar këto vite të përdorin dhunën, flasin ende me këtë gjuhë, ndonëse të kamufluar, ndërsa ka një shumicë që mendon se komitetet u krijuan kur nuk funksiononte as shteti as pushteti. Do dalin vet nga loja, pa qenë nevoja për shtrëngime, sapo të bëhen zgjedhjet dhe të ketë në Shqipëri pushtet të mirëfilltë dalë nga vota e lirë.
– Keni informacion për mënyrën si janë përdorur lekët akorduar MB për gjendjen e jashtëzakonshme?
-Jo.
-Për ç’të tjera që ndodhin këtu nuk keni informacion?
-S’mund të them se çdo gjë që ndodh në Ministrinë e Brendshme unë e marr vesh, gjë që s’duhet të ndodhë.
-Për ngjarjen e Bushatit duhet të keni dijeni.
-Ajo është një ngjarje e rëndë dhe e organizuar. Unë kam qenë i bindur se autorët, që s’e kryen për inat personal, por të autorizuar, nuk do të arrestoheshin dot, dhe fakti ky është.
-Pse po vonohet zgjedhja e kokës së SHIK-ut?
-Ndoshta presidenti po vonon të japë veton, sepse mendon se me vendosjen e një kryetari propozuar nga kryeministri ky institucion del nga kontrolli i tij. Akuzat që kanë rënë mbi SHIK-un dhe ende nuk janë sqaruar si dhe vonimi i nxjerrjes së tij nga paraliza të lënë të dyshosh se ai vërtet është një organi i inkriminuar, siç është përfolur, si dhe dikush ende dëshiron të pengojë funksionimin e shtetit, pasi SHIK-u është strukturë shtetërore./dritare.net/10 maj 1997