Ndërsa në Kuvend diskutohet amendimi i kontratës me kompaninë Pfizer, për vaksinat e reja anticovid, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se falë këtij ndryshimi është bërë e mundur që të mbërrijnë në vendin tonë dozat e vaksinave të adaptuara, të cilat përfshijnë 9 variantet e reja të Covid19.
“Amendimi i kontratës me kompaninë Pfizer BioNTech na garantoi një rikalkulim dhe sigurimin e 700 mijë vaksinave të COVID-19, të adaptuara sipas 9 varianteve, të cilat janë të përshtatura si doza përforcuese “booster” bivalente, duke përfshirë variantin ba.1 si edhe ato ba.4/ ba.5, si edhe dozat e vaksinave të përshtatura për fëmijët, të cilat tashmë kanë mbërritur dhe kanë filluar jo vetëm me administrimin por edhe po aplikohen”.
“Në përputhje me rekomandimet e OBSH dhe të ekspertëve të tjerë ndërkombëtarë, kemi garantuar dhe po bëjmë të mundur edhe vaksinimin edhe ndaj gripit. Ky vaksinim eshte falas për mbi 230 mijë qytetarë dhe është një mekanizëm për të forcuar mbrojtjen ndaj viruseve për përballimin e sezonit të dimrit. Rezulton se deri më sot 196 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit stinor”, tha Manastirliu.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, në janar 2021, në vend kanë mbërritur mbi 4.1 milionë doza vaksine ndaj covid-19 dhe janë kryer mbi 3 milion e 15 mijë doza vaksina me një raport administrimi/përthithje mbi 70%.
/s.f