Ka nisur paraditene sotme seanca plenare, ku po diskutohet për disa ndryshime në ligjin për mbrojtjen nga duhani.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot në Kuvend në një seancë ku është diskutuar ndryshimi i ligjit për mbrojtjen nga duhani, se në paketat e cigareve tashmë do të ketë fotografi paralajmëruese.
Imazhet paralajmëruese, që kanë në fokus efektin negativ të duhanpirjes në trupin e njeriut, janë marrë nga Kanadaja dhe vende të tjera, tha ajo, dhe synojnë reduktimin e duhanpirjes tek të rinjtë dhe të gjitha grupmoshat e tjera.
“Do të vendosim foto në paketimin e duhanit për të reduktuar vesin, krahas tekstit. Janë imazhe të miratuara, të marra nga Kanadaja dhe vendet e tjera, me aprovim dhe të blera bashkë me të drejtën e autorit. Jemi këtu për të bërë të mundur miratimin e ligjeve që në thelb janë të aplikueshme 100%. Sfida jonë është miratimi i ligjit, s’janë ndryshime të vogla, por thelbësore. Nga ana tjetër, qasja e cila përmendim këtu, kërkon një strategji për kontrollin e duhanit në vend. Kemi edhe ekspertizën e OBSH. Për aplikimin e risive dhe praktikat e vendeve të zhvilluara do të jemi shumë të kujdesshëm dhe të matur, dhe do të kemi mundësi që të vlerësojmë edhe çështje të tjera. Frenimi i duhanpirjes është një sfidë e përbashkët, dhe më shumë se kaq është sfidë e shoqërisë”, tha Ministrja.
Gjatë fjalës së saj, ministrja deklaroi se brenda muajit Shkurt do të miratohen imazhet për paketat e duhanit, që do të zënë 65% të dy anëve të paketimit të duhanit, me foto që tregojnë dëmet që shkakton nga duhanpirja në shëndet.
“Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit do të vendosë brend Shkurtit për fotot dhe paralajmërimet -pictorials- në paketimet e duhanit. Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65% të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar Direktivën 2014/40 EU”, tha Manastirliu.
g.kosovari











