Kabineti i ri qeveritar “Rama” vjen me një riorganizim që ndërthur ekspertizën teknike, përvojën e konsoliduar në administratën publike dhe diplomacinë e karrierës. Ekipi i ri përbëhet nga figura me formim të spikatur ligjor dhe drejtues, si Ermal Nufi (Mbrojtje) dhe Enea Karakaçi (Infrastrukturë dhe Energji), diplomatë me peshë ndërkombëtare si Ferit Hoxha (Ministria e Jashtme), si dhe profile me eksperiencë në menaxhim e koordinim si Erjona Ismaili (Marrëdhëniet me Parlamentin).
Profilet e ministrave të rinj në kabinetin “Rama”

Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes
Ermal Nufi ka mbajtur më parë pozicionin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Ai ka përfunduar studimet e nivelit “Master” në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 2010. Pas diplomimit, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe në atë të organizatave jofitimprurëse, vendase dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ai ka mbajtur pozicionin e pedagogut të jashtëm për të Drejtën Civile dhe Tregtare pranë Institutit të Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021, Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai u emërua kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.

Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Enea Karakaçi është një ekspert i njohur në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, me një karrierë të gjatë në sektorin energjetik dhe atë ligjor. Ai ka shërbyer si jurist dhe drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe si administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Karakaçi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ka përfunduar një master për Ligjin e Bashkimit Evropian (LL.M.) në Universitetin e Amsterdamit.

Ferit Hoxha – Ministër i Jashtëm
Ferit Hoxha është një diplomat karriere me peshë ndërkombëtare, i njohur për rolin e tij thelbësor si Ambasador i Shqipërisë në OKB gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit. Ai u diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (dega Gjuhë dhe Kulturë Frënge), në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, është diplomuar në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael” në Hagë. Përvojën e parë si diplomat e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme. Në vitin 1998 u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, si dhe Shef i Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel, post të cilin e mbajti deri në vitin 2001. Më pas, në vitet 2001-2006, shërbeu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze në Paris, dhe në vitet 2003-2006 si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 u emërua Ambasador i Shqipërisë në OKB, duke qenë njëkohësisht i akredituar edhe si ambasador për Kubën.

Erjona Ismaili – Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Erjona Ismaili ka studiuar për Drejtësi në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Ajo ka qenë drejtuese politike e PS-së në Vlorë dhe më pas koordinatore rajonale në projektin “Bashki të Forta”. Aktualisht është deputete nga lista shumëemërore e PS-së.











