Kryeministri Edi Rama mbrojti nga foltorja e parlamentit këtë të enjte ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008.
Teksa po replikonte me kreun e PR, Fatmir Mediu, në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Rama u shpreh se edhe 10 herë po të kthehej pas në kohë, do të bënte po 10 herë të njëjtën gjë në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
“Unë nuk thashë që e propozuat ju atë ushtarakun, thashë që ju e njihnit si person, nuk thashë gjë tjetër. Nuk e propozuat ju është e vërtetë, por dhe ne që e propozuam nuk e njihnim. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët zoti Mediu, kjo nuk diskutohet, por me të vdekurit nuk bashkëpunojmë, kjo nuk diskutohet. Ka të vdekur që janë gjallë, por ka dhe të gjalllë që janë të vdekur.
Ka disa të tjerë që nuk janë të vetëdijshëm që kanë vdekur, por nuk u vihet faj atyre, përgjegjësia u bie atyre që e ndjekin pas. Të cilët mendojnë se një i vdekur do të na ngjallë dhe neve si komunitet. Është vendimi i juaj, por ne refuzojmë të komunikojmë me të vdekur që kutërbojnë mu në mes të skenës politike. Ne e shikojmë si një problem parimor. Pjesa tjetër është këtu dhe patjetër që ne do bëjmë pjesën tonë.
Ndryshimet Kushtetuese u bënë në vitin 2008 dhe po të kthehesha do të bëja 10-herë për të bërë të njëjtën gjë. Për të shmangur këtë që ka ndodhur sot që një i vdekur të merrte peng gjithë dynjanë, bashkë me disa të tjerë që i venë pas se kujtojnë se është gjallë”, tha Rama.
g.kosovari











