Ekspertët e shëndetit ngrenë alarmin se ndotja në mjedis, e veçanërisht në Tiranë, ka shtuar ndjeshëm problemet shëndetësore që nga alergjitë, stresi, por edhe tumoret.
“Janë rritur ndjeshëm sëmundjet pulmonare, janë rritur ndjeshëm alergjitë e qytetarëve, kryesisht të të vegjëlve, por edhe çdo moshe padiskutim. Kemi një rritje të ndjeshme të tumoreve në qytetin e Tiranës. Sigurisht jo e parëndësishme është edhe rritja e stresit e shkaktuar nga një kaos total, edhe si pasojë e ndotjes ambjentale apo ndotjes akustike. Ajo prek kryesisht të vegjëlit, të moshuarit, por ndikon në cilësinë e jetës të secilit prej nesh”, theksoi Qamil Dika, eksperti i Shëndetit Publik.
Referuar raporteve ndërkombëtare nga Agjencia Europiane e Mjedisit, edhe vdekshmëria në vendin tonë ka pësuar rritje për shkak të ndotjes.
“Ka gjetje të raporteve të ndryshme të cilat theksojnë që numri i vdekjeve të shkaktuara nga problematikat e ndotjes ambjentale është më i lartë në qytetin e Tiranës sesa në kryeqytete të tjera të rajonit të Ballkanit”, pohoi Dika.
Ndër të tjera, ekspertët nënvizojnë se ka ardhur koha që të gjithë aktorët kryesorë të bashkëpunojnë për sfidat që lidhen me ndotjen dhe shëndetin publik.
“Është koha që vlerësimi i ndikimit në mjedis duhet të paraqitet përpara oponencës të ekspertëve të Shëndetit Publik sa i përket ndikimit real që ato kanë në mjedis. Në këtë pikëpamje është një masë që shumë shtete e kanë ndërmarrë dhe ndoshta duhet qasur edhe ky element i rëndësishëm sa i përket marrjes së masave konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ndotjes ambjentale në tërësi”, shtoi ndër të tjera Dika.
Kryeqyteti shqiptar, referuar raporteve, ka si shkaktarë të ndotjes trafikun e renduar, kantieret e ndërtimit pa standarde dhe mungesën e hapësirave të gjelbra.











