Nga Veton Surroi
1.
“Është e mundur vetëm pagesa me deviza”, shkruante në një bankomat të një ekspoziture të Bankës komerciale në Kosovë, javën e kaluar, 15 vjet pasi edhe formalisht euro u bë i vetmi mjet pagese në vend. Kjo ndodhi dy javë pas sulmit të grupit paraushtarak kundër Kosovës në Banjskë dhe nxori në pah një pjesë evidente të konfliktit të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë, atë të ruajtjes së “strukturave paralele” si mënyrë e moslejimit të funksionalitetit të plotë shtetëror të institucioneve të Republikës. Në bankomatin në fjalë, “deviza” (apo monedhë e huaj) është euro, ndërsa ajo “vendore” është dinari, dhe kjo është krejt çka duhet të dihet për konfliktin e papërfunduar në një pamje.
Kompromisi u gjet shpejt, në formën e një kanali të veçantë raportimi pranë Bankës Qendrore të Kosovës që i jep Republika e Serbisë për paratë e dërguara për nevojat e qytetarëve të Kosovës, e të futura në sistemin formal të pagesave. Kjo zgjidhje u integrua në Paketën Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës dhe si e tillë është pjesë e sistemit juridik të vendit.
Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në bazë të planit Ahtisaari kjo zgjidhje kompromisi nuk është përfillur, dhe po të mos ishte Banjska vështirë të dilte në pah. Pas 24 shtatorit u ndal qarkullimi i mallrave në Jarinjë, e në mesin e mallrave të ndaluara ishin edhe dinarët të cilët i dorëzoheshin një kompanie të huaj sigurimi (të regjistruar në Kosovë) e cila në automjetet e veta të blinduara do të shpërndante më vonë paratë në Bankën komerciale dhe në zyrat e Postës; Postës së Serbisë, gjegjësisht ekspoziturave të Kursimores postare të Serbisë të cilat funksionojnë pa kurrfarë pengese e as autorizimi ligjor gjithandej vendbanimeve me popullatë serbe në Kosovë. Në vlerësimin e organizatave joqeveritare të serbëve në Kosovë, 44 mijë qytetarë serbë në Kosovë marrin pensione ose rroga nga buxheti i Serbisë, që në gjendjen e tanishme demografike do të thotë pothuajse çdo i dyti serb i Kosovës.
Ndalimi i hyrjes së dinarit si mall në Jarinjë shpjegoi në formë evidente varshmërinë financiare të qytetarëve nga ky sistem. Por, po ashtu tregoi se ky sistem është joligjor, varet nga hyrja fizike e dinarëve si mall i kontrabanduar: në çdo kufi të cilitdo vendi në botë duhet të deklarohet një shumë më e madhe e parasë të bartur në kartëmonedha e për 15 vjet me gjasë ky transfer parash është deklaruar vetëm një herë. Më pastaj, kjo shumë parash nuk mund të futet në qarkullim financiar pos si monedhë e huaj, ndërkohë është futur në Bankë komerciale dhe zyrat postare të Serbisë si monedhë vendore, duke krijuar dy sisteme pagesash.
3.
Përse nuk u gjet një formë më e lehtë, si te kompromisi i Ahtisaarit, me të cilin Serbia në formë legjitime do të vazhdonte të paguante- pensione, ndihma dhe rroga, të investonte paranë e vet publike në fusha sporti, kulture apo religjioze-me qarkullim transparent , të evidentuar formalisht në Bankën Qendrore të Kosovës dhe të shpërndarë në euro?
“Follow the money” (Ndiqe paranë) është një thënie e përdorur për herë të parë në filmin amerikan “Të gjithë njerëzit e Presidentit” , për të treguar se si nëse do të hulumtosh lidhjet korruptive ndiqi transferet e parave. Është më se e përdorshme për këtë rast. Presidenti Vuçiq deklaroi disa herë se Serbia ndan afro 800 milionë euro në vit nga buxheti i saj për nevoja të serbëve të Kosovës dhe pyetja që e shtroi një prej veteranëve të hapësirës publike intelektuale të Serbisë, Dushan Janjiq ishte se ku mbetën atëherë 8.8 miliardë euro sa do të duhej të jenë shpenzuar te serbët e Kosovës në 11 vjet pushteti të SNS?
Kjo pyetje nuk mund të gjejë përgjigje në Bankën qendrore të Kosovës. Por, me gjasë as në “sistemin paralel”. Sipas Rangjell Nojkiqit, ish-drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, kasaforta e Bankës Kombëtare të Serbisë gjendet në Leposaviq, por paratë e ardhura nga Beogradi nuk kanë kaluar as nëpër këtë kasafortë, janë shpërndarë drejtpërdrejt.
Dallimi mes 800 milionëve të deklaruar nga Republika e Serbisë dhe parave që u kanë arritur qytetarëve serbë të Kosovës duket se mund të jetë arsye e mjaftueshme për të mos ndjekur qarkullimin legal financiar të arritur me kompromisin Ahtisaari. Në mungesë sistemi të qartë, transparent e me llogaridhënie ndonjë milion këtu a ndonjë dhjetëmilionësh aty mund ta humbasin rrugën.
Ndoshta si ndihmë kontekstuale mund të vlente informata se në pjesën veriore të Kosovës nuk ka qenë vetëm kasaforta e Bankës kombëtare të Serbisë por edhe operacione serioze të “mihjes” së kriptovalutave. Autoritetet e Kosovës vunë theksin se këto ferma kriptovalutash operuan në Veri, sepse nuk paguan energjinë elektrike, por ndoshta motiv më i madh mund të ketë qenë se ndonjë milion a dhjetëmilionësh i humbur nga buxheti i Serbisë mund të ketë përfunduar si kriptovalutë, tregu i së cilës humbet në kibersferë.
4.
Pas sulmit të 11 shtatorit kundër Amerikës, komuniteti botëror i sigurisë u mo r seriozisht edhe me një çështje që ishte lënë më pas, transferi jolegal i parasë. Në rastin e Al Qaidas, u gjet shpejtë se sistemi “hawala” , i gjallë nga mesjeta, me të cilin paratë kalojnë në mirëbesim prej njërës pikë në tjetrën në një rrjet joformal gjithandej botës, ishte mënyra se si të financohej terrorizmi pa u hetuar. E tëra kjo u ndërlidh edhe me brengën e mëhershme që akterët e tjerë kundër sigurisë kryesisht në krim të organizuar ta përdorin rrjetin informal financiar për pastrim parash të fituara me këtë veprimtari. OKB miratoi në fillim të këtij shekulli Konventën kundër Krimit të Organizuar Transnacional, të nënshkruar qëllimisht në Palermo të Sicilisë, vendit ku u zhvillua beteja epokale kundër Mafias. Në nenin 7.2 të Konventës thuhet: “Shtetet Palë do të konsiderojnë zbatimin e masave të mundshme për të zbuluar dhe monitoruar lëvizjen e parave të gatshme dhe instrumenteve të duhura të negociueshme përtej kufijve të tyre, në varësi nga masat mbrojtëse për të siguruar përdorimin e duhur të informacionit dhe pa penguar në asnjë mënyrë lëvizjen e kapitalit legjitim. Masa të tilla mund të përfshijnë një kërkesë që individët dhe bizneset raportojnë transferimin ndërkufitar të sasive të konsiderueshme të parave dhe instrumenteve përkatëse të negociueshme”.
Sulmi paraushtarak në Banjskë duhet të ketë të njëjtin efekt zgjimi për autoritetet e Kosovës. Sistemi joformal i qarkullimit të parasë nga Serbia në Kosovë është pjesë e një sistemi më të ndërlikuar kontestimi të funksionimit të institucioneve të Kosovës që përshkallëzimin e vet e tregoi me formacione paraushtarake të gatshme për të filluar edhe një konflikt të armatosur në Kosovë.