Me rritjen e rasteve të aksidenteve, infarkteve apo dhe emergjencave të ndryshme, gjithnjë e më shumë qytetarë gjenden të papërgatitur për t’i dhënë ndihmën e parë personave në rrezik. Por çfarë konsiderohet ndihmë e parë dhe si dallon ajo nga ndihma e shpejtë?
“Ndihma e parë është ndihma që jepet ndaj çdo personi të aksidentuar që është i trajtuar për ndihmën e pare, kurse ndihma e shpejtë ne përkufizojmë stafin e specializuar mjekësor ose ambulancën, në rastin që ne kemi telefonuar për të ardhur një ndihmë më e specializuar”, u shpreh koordinatori i Kryqut të Kuq, Oltion Biba.
Si duhet vepruar në rastin e një arresti kardiak?
“Për sa i përket arrestit kardiak, në momentin që nisim masazhin kardiak, duart duhet të jenë në sipërfaqe të lëkurës. në momentin që kemi liruar sipërfaqen e kraharorit të personit, dora vendoset në mes të kafazit të kraharorit, dora dominante, dora tjetër shkon e fiksuar me të, brrylat drejtë dhe në momentin që kemi drejtuar brrylat, supet duhet të jenë pingul mbi pikën e shtypjes. Ushtrojmë presion me supet tona me shpatullat për 30 shtypje dhe dy frymëmarrje që është një set i masazhit kardiak. Mbas 30 shtypjeve do kalojmë tek dy frymëmarrjet. Frymëmarrjen do e bëjmë gjithnjë me një garzë sterile, vendoset në hapësirën e gojës së personit, për të mos marrë dhe transmetuar sëmundje të transmetueshme. Mbyllet hunda, ngrem kokën e personit, puthisim gojën tonë me gojën e personit për dy frymëmarrje të tilla”, tha Biba.
Gëlltitja e objekteve nga foshnjat është një tjetër situatë serioze emergjente, e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi nëse nuk trajtohet në kohë mund të çojë në pasoja fatale.
“Sa i përket mbytjes tek foshnjat, është e rëndësishme që trupi i tyre të imobilizohet siç duhet. Dora vendoset në formë “C” te mjekra e foshnjës, ndërsa pjesa e barkut mbështetet përgjatë parakrahut. Foshnja mund të mbahet e fiksuar edhe mbi gjurin e ndihmësit. Fillimisht jepen 5 goditje të forta por të kontrolluara në shpinë, duke parë pas çdo goditjeje nëse objekti ka dalë. Nëse objekti nuk del, foshnja kthehet me kujdes në krahun tjetër. Pjesa e pasme e kokës mbështetet në pëllëmbë, parakrahu shtrihet përgjatë shtyllës kurrizore dhe me dy gishta bëhen 5 shtypje të lehta në pjesën e kraharorit, me qëllim nxitjen e nxjerrjes së objektit”, vijoi Biba.
Në rastet e aksidenteve, qoftë automobilistike apo brenda shtëpisë, është thelbësore të telefonohet menjëherë numri i emergjencës 112, ose nësë nëse dikush është trajnuar për dhënien e ndihmës së parë, duhet të fillojë menjëherë ndihmën fillestare, por pa e lëvizur personin nga vendi i aksidentit.











