Për prodhuesit në Lushnje, embargo ruse ka shkaktuar dëme të mëdha. Edhe pse Ministri i Bujqësisë deklaroi se nuk do të ketë ndikime negative për Shqipërinë, në fshatrat Krutje dhe në Kemishtaj prodhimi që do të shitej në tregun rus, po hidhet në kanal.
Prodhimet e vitit po i hedhin në kanal. Për këtë sezon eksportuesit e Lushnjes dështuan. Embargo ruse ka dhënë efektet e para negative.
Një nga prodhuesit e mëdhenj të zonës së Krutjes, Gjoni Liko, tregon se shpresonte të eksportonte 1000 kv bamje, por eksportuesit janë tërhequr. Prej 20 ditësh kontratat me eksportuesit i janë djegur. Për çdo ditë që kalon dëmi rritet, pasi pjekja vazhdon, por shitje nuk ka. Liko ka nisur ta tresë prodhimin.
Situata është e njëjtë edhe për prodhuesit e zonës së Kemishtes. Sipërfaqe të mëdha me perime për eksport, por prej dy javësh eksportuesit me të cilët kanë lidhur kontratat nuk po duken.
Ndonëse Ministri i Bujqesise deklaroi se embargoja ruse nuk ka ndikim në ekonominë shqiptare është gabuar. Prodhues të eksporteve, janë të parët që japin alarmin. Ata kanë rritur sipërfaqet prodhuese pasi morën garanci nga shteti, për shitjen e produketeve. 50 ha më shumë se një vit më parë është mbjellë në rrethin e Lushnjes, ndërsa 500 ha janë sera.
Me tregun rus prodhuesit e Lushnjes operonin prej dy vjetësh. Momentalisht ata nuk po eksportojnë në asnjë prej vendeve balkanike, ndërsa situata pritet të jetë edhe më e rëndë për prodhimet e vjeshtës sasia e të cilave është dyfish më e madhe se ajo e verës. /Tv Klan/









