Tri persona janë vënë në pranga nga blutë e Fierit dhe Lushnjes, pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme.
Një 68-vjeçar u kap në Fier në flagrancë teksa po ndizte zjarr tek argjinatura e lumit Gjanica. 68-vjeçari kishte precedent për zjarrvënie dhe për dhunë në familje.
Dy persona të tjerë, një 61-vjeçar dhe një 62-vjeçar janë arrestuar në Lushnje pasi kanë ndezur zjarre për djegien e mbeturinave dhe kanë rrezikuar banesa.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale për përcaktimin e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Fier dhe Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, Fier, i cili u kap në flagrancë, duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar 3 vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.
-G. H., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në tokën e tij, në lagjen “18 tetori”, për djegien e mbeturinave. Flakët, të cilat janë përhapur deri te ish fusha e mbetjeve urbane, kanë rrezikuar banesa në këtë zonë;
-N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur në një territor të konsiderueshëm të fshatit dhe kanë rrezikuar banesa”, thuhet në njoftim.











