Në prag të ndeshjes së kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëri-Çeki, është zhvilluar një takim organizativ në Shtëpinë e Futbollit, ku është diskutuar për masat e sigurisë të marra për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje të rëndësishme.
Në këtë takim morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Balla, tha se takime të këtij niveli do të zhvillohen rregullisht në prag të përgatitjeve për evente të rëndësishme për të diskutuar dhe marrë masa për çdo problematikë eventuale.
“Do të jetë një traditë tashmë që në prag të përgatitjeve të tilla të këtij niveli sikurse është kjo ndeshje kualifikuese e Shqipërisë në Kampionatin Europian 2024 dhe ndërkohë që besoj se duhet të fillojmë që tani përgatitjet për Kampionatin Europian të moshës U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri që edhe ai do të kërkojë përgatitjet e veta janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun. Gjëja e parë dhe mesazhi i parë që duhet të ndajmë në fakt me publikun në këtë moment, ndërsa sportdashësit përgatiten për të ndjekur këtë aktivitet është çështja e biletave.
Siç jam informuar nga Drejtori i Përgjithshëm pas komunikimit edhe me zyrtarët më të lartë të FSHF-së i gjithë verifikimi do të jetë pa hyrë në stadium, që në momentin e parë të kontrollit fizik dhe kontrollit të biletës përmes një pajisjeje që verifikon vlefshmërinë e biletës. Kushdo që do të tentojë të përdorë bileta të falsifikuara duhet të ketë parasysh që hyn në juridiksionin e ligjit dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë do të marrë të gjitha masat”, tha Ministri Balla.
/a.r












Më 12.10.23
Realisht mua më janë vjedhur biletat , ose më janë shitur bileta falco nga faqja zyrtare ..
Në hyrje më thanë se 4 biletat e juaja janë perdorur 30 minuta para se ne të tentonim të futeshim.
Ishte një zhgënjim dhe dëshpërim i pa përshkrueshëm .
Sigurimi as që u interesua të verifikojë se kush ishin ata që ishin futur më bileta tona.
Denoncuam rastin në drejtorinë përkatëse të policisë.
Policët që na shoqëruan në komisariat ndien keqardhje dhe treguan një ndijesi vëllazërore.
Ata nuk kishin kompetenca që ti kapeshin hajnat në flagrancë .
Unë kisha konfirmimin në email dhe deshminë që kisha paguar për 4 bileta .