Drejtoria e Policisë vendore Durrës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e ish-drejtorit të IMT, Ardian Halili, duke thënë se ky zyrtar ka abuzuar me detyrën me qëllim përfitimi.
Drejtori i Policisë së qytetit bregdetar tha se Halili ka filluar të ndërtojë që në vitin 2018 kur mbante këtë post dhe ka vazhduar edhe më tej.
Sipas tij, Halili ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një hapësirë toke prej 5600 metra katror.
Drejtori i uniformave blu të Durrësit, Vilson Bala, tha se A.H. 55 vjeç u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Siant Michelle Residence”.
“Sqarojmë se AH e ka ndërtuar këtë objekt, 11 kabina garsoniere, 1 godinë dykatëshe, 1 fushë minifutbolli, në një sipërfaqe toke 5600 metra katrorë kur ka qenë në krye të IMT Durrës gjatë viteve 2018 – 2021”, tha Balla.
55-vjeçari A.H u emërua në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit (sot IMT) më 7 maj të vitit 2018, detyrë që e mbajti deri në prill të vitit 2021.











