Nga Skënder Minxhozi/
Në shtatë muajt e fundit kreu i Kuvendit dhe LSI Ilir Meta ka shkelur tre herë në tokën amerikane. E ka bërë këtë ndërkohë që edhe Rama e Basha kryenin vizitat e tyre në SHBA. Për hir të së vërtetës axhenda e tyre kishte një profil dukshëm më të lartë sesa vizitat e Metës, por mesa duket kjo nuk e shqetëson shumë kryetarin e LSI. Zëra të besueshëm thonë se një tjetër vizitë e tij e katërt në Uashington mund të ndodhë në një afat jo të largët. Duket se kompanitë e lobimit kanë punuar fort këto muaj.
Gjatë mungesës së tij në Tiranë, është konsumuar një takim i rëndësishëm i dy krerëve të PS e PD, i cili ka dështuar në gjetjen e një kompromisi për reformën në drejtësi. Çka është pasuar me reagime të forta nga SHBA dhe BE, të cilat kanë fshikulluar publikisht opozitën, për refuzimin e ofertave konkrete që ekspertët e huaj kanë bërë disa ditë para takimit Rama-Basha.
Meta dhe LSI kanë qenë aktorë të interesuar nga afër të dramës politike që luhet prej një viti e gjysëm me reformën në drejtësi. Thuajse në të gjitha rastet, aleati i vogël i PS ka qenë hezitues, dyshues dhe ka preferuar dy herë që të shkojë para Komisionit të Venecias me propozimet e tij. Si për t’u thënë ndërkombëtarëve (por edhe opozitës), se nuk pajtohej me ato që thoshin Rama dhe Xhafaj. Nga ana tjetër, ndërrimi i “kuajve” në mes të rrugës (ikja e Naços dhe ardhja e manjanit), dha pikërisht mesazhin që Metës i leverdiste në atë moment: nuk jam i kënaqur me punën e Komisionit.
Këtë qasje të veçuar, e cila ka kërkuar gjithmonë që të krijojë pozitën komode të atij që është prezent, por që flet vetëm kur i teket dhe i intereson, LSI po vazhdon ta ndjekë edhe këto orë, kur Meta është kthyer nga e treta vizitë në SHBA. Shpallja me urgjencë e futjes së draftit të reformës në axhendën e Kuvendit si një “defekt teknik”, ishte e vetmja mënyrë që ai ta kthente edhe një herë rrotën e reformës, në pikën ku i duket se mund ta influencojë procesin.
Takimi i kërkuar me Bashën, pasi një i tillë ka dështuar mes kreut të opozitës dhe Ramës, në fakt duket thjesht si një dëshirë protagonizmi. Pasi nëse ka një gjë që dihet në politikën e sotme të rrëmujshme shqiptare, është fakti që Lulzim Basha dhe Ilir Meta duhen shumë pak mes tyre. Madje nuk është e tepërt të thuhet se urrehen. Vetëm pak ditë më parë, Basha deklaroi edhe një herë publikisht se nuk do të krijonte një qeveri me LSI, për sa kohë të ishte kryetar i PD.
Nga ana tjetër, nuk dihet se çfarë negociate mund të startojë Meta, ku arbitri ndërkombëtar, SHBA dhe BE, e bënë të qartë se duhet votuar drafti aktual. Prania e Petrit Vasilit në tryezën Rama-Basha shënon rreshtimin formal të LSI në krah të draftit zyrtar, duke mbyllur kësisoj hapësirën për një pazar politik pas kuintave, në lidhje me formulimin e tekstit të paketës kushtetuese.
Në këto kushte, Meta po kërkon të hedhë një zar në tryezën e reformës, i ndërgjegjshëm se tashmë hapësira për të influencuar procesin është ngushtuar në maksimum, por edhe i vetëdijshëm se votat që ka në dorë ja japin të drejtën edhe për gjeste të tilla, si psh shbërja e axhendës së Kuvendit. Duke shpresuar njëkohësisht se kthimi nga SHBA do t’i ketë dhënë publikisht takimit të tij eventual me Bashën (nëse kërkesa do të pranohet nga kreu i opozitës), edhe vellon e misterit që marrin rëndom liderët politikë shqiptarë kur kthehen nga Uashingtoni.