Vendosja e një pllake përkujtimore për poetin e madh shqiptar Lasgush Poradeci në shtëpinë ku ai ka banuar në Austri është shndërruar në një debat publik, për shkak të përjashtimit të familjarëve nga ceremonia zyrtare.
Iniciativa është ndërmarrë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, ndërsa ceremonia pritet të zhvillohet më 5 shkurt. Lajmi është bërë publik nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, i cili ka njoftuar se në aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve vendore austriake dhe shqiptare.
Por ajo që ka ngjallur reagim të fortë është fakti se familja e poetit nuk është ftuar.
Marie Lasgush Poradeci, e bija e Lasgush Poradecit, ka deklaruar publikisht se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare dhe asnjë njoftim institucional nga Bashkia e Pogradecit për këtë ceremoni.
“Sapo më erdhi një informacion nga Ambasadori ynë në Austri. Unë nuk kam asnjë ftesë dhe asnjë njoftim nga Kryetari i Bashkisë Pogradec, i cili do të marrë pjesë në këtë ceremoni me një delegacion zyrtar”, shkruan ajo ndër të tjera në reagimin e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, në aktivitet do të jenë të pranishëm kryetarja e Bashkisë së Graz-it, Elke Kahr, kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, si dhe ambasadori Velaj.
Reagimi i familjarëve ka hapur një debat thelbësor mbi mënyrën se si institucionet shqiptare nderojnë figurat e kulturës kombëtare ku vetë bija e tij ngre pyetjen se: a mund të ketë ceremoni përkujtimore për një poet të përmasave të Lasgush Poradecit, duke anashkaluar trashëgimtarët e tij?
“Kujtimi i një figure të tillë nuk është thjesht akt protokollar. Rruga për të nderuar tim atë kalon nga familja e tij”, është mesazhi i qartë i përcjellë nga e bija e poetit, duke e cilësuar përjashtimin si mungesë respekti dhe ndjeshmërie institucionale.











