Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, Piro Milkani. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shpreh vlerësimin për kontributin e Milkanit në artin dhe kulturën shqiptare.
“Lamtumirë mjeshtër Piro Milkani! Një figurë e dashur, një artist i jashtëzakonshëm, një njeri që i fali shpirt kinemasë sonë dhe i dha kuptim brezave të tërë me artin dhe urtësinë e tij. Me filma që i kanë rezistuar kohës si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti”, ai skaliti vepra arti, që sot janë pjesë e identitetit tonë kulturor”, shkruan ministri.
Gonxhja thotë se më shumë sesa një regjisor, Milkani ishte një artist shumë dimensional. Miqtë dhe kolegët, shton ai, e kujtojnë si një enciklopedi të gjallë të Kinostudios.
“Më shumë se regjisor, ai ishte artist shumëdimensional. Një njeri që gjithmonë e ndante dijen dhe dashurinë për filmin me përulësi e pasion. Miqtë dhe kolegët e kujtojnë si një enciklopedi të gjallë të Kinostudios, një mik që nuk lodhej së treguari, së ndari, së kujtuari.
Faleminderit mjeshtër, për gjithçka që le pas. Yjet sonte kanë një dritë më shumë… dhe ne një mungesë që nuk shuhet lehtë. Ngushëllimet më të ndjera familjes Milkani, miqve dhe të gjithë komunitetit artistik”, shton ministri.











