Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut dhe projektuesit të disa veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri, Prof. Farudin Hoxha, thuhet në njoftim nga zyra e shtypit e Presidentit.
Presidenti Meta theksoi se “Shqipëria dhe bota akademike humbën një figurë të shquar të shkencës dhe përfaqësues të spikatur e të denjë të plejadës së projektuesve të veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri”.
“Profesor Hoxha do të mbahet mend si një shkencëtar i rrallë e i mirëfilltë, i cili me kontributet e çmuara e thelbësore në fushën e tij të ekspertizës, projektoi e u dha jetë veprave mbresëlënëse hidroenergjetike anembanë vendit tonë, të cilat vazhdojnë të na japin dritë e të ndriçojnë shtëpitë e çdo qytetari shqiptar. I pastë dritë shpirti!”, u shpreh Presidenti Meta./a.m.