Niki Hejden ka humbur sot garën më të rëndësishme. Amerikani 35-vjeçar, është ndarë nga jeta sot në spitalin e qytetit të Çezenës, pas 5 ditëve në koma, si pasojë e një aksidenti në rrugët e Italisë.
Ish-kampioni i Botës në Moto GP ishte përplasur nga një makinë ndërsa po stërvitej me biçikletë dhe ndonëse u shtrua me urgjencë në spital, u bë e qartë menjëherë se kishte marrë dëmtime të rënda në kokë dhe në gjoks.
Hejden, i njohur si “Kentucky Kid”, u shpall Kampion Bote në Moto GP në vitin 2006, duke ndalur hegjemoninë e gjatë të Valentino Rosit në këtë sport shkruan Panorama. Prej dy vitesh, ai kishte kaluar nga garat e Moto GP në Superbike dhe ishte në Itali pikërisht pasi kishte garuar në këtë kategori në fundjavën e kaluar në pistën e Imolas.