Ndahet nga jeta prof. dr. Aristotel Pano, një nga ekonomistët më të shquar të Shqipërisë. Akademia e Shkencave njofton me dhimbje ndarjen nga jeta të profesorit, dijetarit, ekonomistit të shquar, Aristotel Pano. Aristotel Pano studioi e dha mësim si profesor në ekonomi me një kontribut të shquar në këtë fushë më tepër se pesë dekada. Si profesor në Fakultetin e Ekonomisë të UT dhe punonjës shkencor në disa institucione ekonomike shkencore, punimet e tij me vlera kanë qenë gjithnjë të mirëpritura. Njohës nga më të zotët i ekonomisë, financave, tregjeve valutore, teorisë së kursit të këmbimit, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe veçanërisht i shquar në fushën e analizës ekonomike e financiare, në aspektin makro dhe mikroekonomik, Aristotel Pano mbetet një emër referencial në historinë e shkencës shqiptare.
Mendimet dhe pikëpamjet e tij janë çmuar sidomos në aspektin shkencor e kritik, për realizimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri gjatë periudhës së tranzicionit. Është autor i shumë artikujve shkencor brenda dhe jashtë vendit, autor dhe bashkautor i disa teksteve universitare dhe monografive. Prof. dr. Aristotel Pano ishte ekonomist me kontribute të shquara në veprimtari pedagogjike dhe shkencore për gati 50 vjet. Për një periudhe mbi 25 vjet ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, etj. për lëndën e analizës Ekonomiko-financiare dhe gati për 10 vjet ka punuar si bashkëpunëtor shkencor dhe përgjegjës sektorin në Institutin e Studimeve Ekonomike të Shqipërisë. Ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me institute studimore jashtë vendit dhe ka botuar një numër të madh tekstesh universitare, monografi dhe artikuj shkencorë për analizën ekonomiko-financiare, për të ardhurat kombëtare të Shqipërisë. Është fitues i Çmimit të Republikës. Akademia e Shkencave ngushëllon për këtë humbje të rëndë familjen, të afërmit, kolegët dhe bashkëpunëtorët, si dhe dhjetëra breza studentësh formuar prej mendjes së tij. “U prehsh në paqe, Apostull i dijes”, shprehet Akademia e Shkencave në mesazhin e ngushëllimit. Lexo.com.al