Ka ndërruar jetë mesditën e sotme Profesor Arben Puto, akademik, një nga studiuesit më të njohur të historisë së Shqipërisë dhe pedagog për shumë vite i lëndës së të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, dega Juridik.
Prof. Puto u lind në prill 1924 në Gjirokastër dhe u shkollua në Liceun Francez të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pas Luftës përfundoi studimet juridike në Universitetin e Moskës.
Në vitin 1991 ishte kryetari i parë i Komitetit shqiptar të Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe më pas anëtar i tij.
Ishte autor i një serë veprash mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe i historisë së vendit kryesisht në periudhën nga Pavarësia deri në Luftën e Dytë Botërore.