Boshti i mbrojtjes evropiane mbetet ende NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e themeluar në Uashington më 1949 nga dymbëdhjetë vende.
Italia ishte mes tyre. Detyra kryesore e organizatës përcaktohet nga neni 5 i Traktatit: të gjitha vendet ndërhyjnë për të ndihmuar një partner që është sulmuar nga një armik i jashtëm.
Ky nen është zbatuar vetëm një herë, në vitin 2001, kur aleatët mbështetën misionin amerikan në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Kullave Binjake.
Gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur zhvillime dhe ndryshime: vendet anëtare janë bërë 32, por mekanizmat themelorë të funksionimit kanë mbetur të njëjtët. Së pari, duhet sqaruar se NATO ka role politike dhe ushtarake koordinuese, por nuk ka një ushtri të sajën.
Forcat ushtarake përbëhen nga kontingjentet e vendeve anëtare, të cilat në mënyrë vullnetare vendosin në dispozicion ushtarë, mjete dhe baza, sipas nevojave. Pra, çdo shtet ruan kontrollin e plotë të forcave të veta të armatosura, por vendos t’i vërë ato në dispozicion të aleatëve në rast nevoje.
Zinxhiri komandues
Është e qartë se nuk mund të nisin misione të përbashkëta pa qendra komanduese dhe kontrolli. NATO ka dy nivele koordinimi:
- Niveli politik: Komiteti i Atlantikut të Veriut, një organizëm që përbëhet nga ambasadorët e 32 vendeve, që zakonisht mblidhen çdo të mërkurë në mëngjes në selinë e NATO-s në Bruksel. Aty partnerët diskutojnë dhe marrin vendime operative, gjithmonë me unanimitet. Rasti i fundit ndodhi më 10 shtator, kur u vendos forcimi i krahut lindor të Europës pas një sulmi me dron rus në territorin polak.
- Niveli ushtarak: përbëhet nga struktura të ndryshme. Komiteti Ushtarak, i drejtuar aktualisht nga admirali italian Giuseppe Cavo Dragone, mbledh shefat e shtabeve të përgjithshme të forcave të armatosura të 32 vendeve dhe luan rol lidhës mes tyre.
Por pika kyçe operative është SHAPE (Komanda Supreme e Fuqive Aleate në Evropë), me seli në Mons, Belgjikë. Këtu mblidhen të gjitha informacionet nga komandat rajonale të NATO-s dhe nga ushtritë e vendeve anëtare.
Prej këtu dalin udhëzimet për misione si monitorimi i kufijve apo trajnimet ushtarake. Komandanti suprem është gjithmonë një amerikan (sot: gjenerali Alexus Grynkewich), ndërsa zëvendësi është një britanik (sot: Keith Blount).
Si aktivizohet NATO?
Reagimi i NATO-s fillon me një vendim politik në nivelin më të lartë: në Komitetin e Atlantikut të Veriut mund të marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive. Ata konsultohen me Komitetin Ushtarak dhe më pas i takon SHAPE të japë përgjigjen operative, ushtarake.
Duket si kontradiktë që nevojitet unanimitet për vendimet, por çdo shtet mund të zgjedhë nëse do të marrë pjesë apo jo me trupa. Në të vërtetë, kjo shmang paralizën: një shtet që nuk dëshiron të marrë pjesë, mund të japë miratim politik pa u angazhuar ushtarakisht dhe pa e bllokuar të tjerët.

Si kontribuojnë vendet anëtare?
Historikisht, amerikanët kanë udhëhequr strategjitë e NATO-s. Në vitet 1950, kishte 430 mijë ushtarë amerikanë në Evropë. Pas rënies së Murit të Berlinit, numri u ul në 63.835 në vitin 2021, por sot është rritur në rreth 100 mijë, sidomos në Poloni, Rumani dhe shtetet baltike.
SHBA kontribuon në misionet e NATO-s, por vepron edhe në mënyrë të pavarur. Pas pushtimit rus të Ukrainës në 2022, Presidenti Biden dërgoi 20 mijë ushtarë në Poloni. Po aty, SHBA ka vendosur Komandën e Trupave të V-të, për të koordinuar forcat luftarake në krahun më të rrezikuar nga Rusia.
Çfarë bën Italia?
Faktori Putin e ka shtyrë NATO-n të ndryshojë ritëm. Që nga 2014, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, NATO krijoi planin e reagimit të shpejtë (“Response Force”), për të mobilizuar deri në 100 mijë ushtarë brenda 10 ditësh nga një sulm i mundshëm dhe 200 mijë të tjerë brenda 20-30 ditësh.
Në vitin 2017 u krijuan katër batalione në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, me 500–1000 ushtarë secili. Në vitin 2022 u shtuan edhe katër të tjerë në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Italia ka rol udhëheqës në Bullgari dhe kontribuon me trupa edhe në Hungari dhe Letoni. Po ashtu merr pjesë në misione të mbikëqyrjes ajrore në Poloni, Rumani, Lituani dhe detare në Detin Baltik dhe Mesdhe.
Italia gjithashtu pret baza ushtarake amerikane të integruara në sistemin e mbrojtjes të NATO-s, të cilat mund të aktivizohen në rast krize. Baza kryesore janë në Aviano, Ghedi, Gaeta, pjesë e portit të Napolit dhe Sigonella, si dhe rreth 100 struktura të tjera përfshirë depo armësh.
Kush paguan dhe sa?
Ky sistem ka një kosto funksionimi: buxheti i NATO-s për vitin 2025 është 4,6 miliardë euro dhe 5,3 miliardë për 2026. Këto shpenzime janë për ndërtesat, organizimin, trajnimet, pagat etj. Çdo vend paguan në bazë të një formule që merr parasysh edhe Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). SHBA paguan rreth 16%, Italia rreth 8,5%.
Por pjesa më e madhe e kostos është shpenzimi ushtarak i vetë vendeve. Sipas të dhënave të NATO-s për vitin 2024, shuma është 1.421 miliardë dollarë (935 miliardë nga SHBA dhe 516 nga Evropa e Kanadaja). Sipas një raporti më të ri të Institutit SIPRI në Stokholm, shpenzimi për 2024 është 1.506 miliardë, prej të cilëve 997 janë nga SHBA (3,4% e PBB-së), ndërsa pjesa tjetër nga vendet e tjera, mesatarisht 2% e PBB-së. Ka dallime të mëdha: 1,4% për Spanjën, 1,6% për Italinë, 4,2% për Poloninë, 3% për vendet baltike.
Trump dhe plani i ri i NATO-s
Në samitin e fundit të mbajtur në qershor në Hagë, 32 krerët e shteteve ranë dakord të rrisin kontributin nga 2% në 5% të PBB-së deri më 2035. Është një angazhim politik, jo ligjërisht detyrues. Ky 5% u propozua nga Donald Trump si mënyrë për të rishpërndarë më drejt barrën financiare në NATO.
Por numri real për t’u marrë në konsideratë është 3,5%. Kjo është shifra kyçe e riarmatimit të NATO-s: 1.750 miliardë dollarë që 32 qeveritë duhet të shpenzojnë për forcat e armatosura në 10 vjet. Ndërsa 1,5% tjetër do të përdoret për infrastrukturë, komunikim, sisteme kontrolli elektronik etj./Corriere Della Sera











