NATO-ja tha se është e gatshme të dërgojë trupa në Turqi për të mbrojtur këtë vend aleat pas shkeljes së hapësirës ajrore turke nga aeroplanët rusë që bombardonin në Siri. Ndërkohë, Britania e qortoi Moskën për shkallëzimin e luftës civile në Siri e cila ka lënë 250 mijë të vrarë. Zyrtarët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ende po analizojnë inkursionin rus në hapësirën ajrore të Turqisë pranë Sirisë veriore, ndërsa shefat e mbrojtjes të vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior po takohen në Bruksel ku kriza në Siri dominon rendin e ditës. “NATO-ja ka aftësitë dhe është e gatshme të mbrojë të gjithë aleatët, përfshi Turqinë, kundër çdo lloj kërcënimi. Kemi shtuar gatishmërinë, përgatitjen e forcave dhe dyfishuar madhësinë e forcave reaguese, kemi bashkërenduar dhe rritur efikasitetin e vendimmarrjes. Ky është reagim ndaj sfidave që vijnë nga lindja po edhe nga jugu”, tha për gazetarët Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ndërsa aeroplanët rusë dhe amerikanë zhvillojnë misione luftarake në të njëjtin vend për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, NATO po përpiqet të mënjanojë shkallëzimin e konfliktit sirian në shkallë ndërkombëtare. Pikërisht ky konflikt ka zhvendosur vëmendjen e aleancës nga Ukraina pas aneksimit rus të Krimesë vitin e kaluar. Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg : “Shqetësimi është se Rusia nuk po vënë në shënjestër kryesisht ISIS-in, por po godet grupe të opozitës dhe Moska po mbështet regjimin. I bëj thirrje Rusisë të luajë rol bashkpunues dhe konstruktiv në luftën kundër ISIS-it dhe të mos vazhdojë mbështetjen për regjimin e Asadit. Mbështetja e regjimit nuk është kontribut konstruktiv për një zgjidhje politike paqësore dhe të vazhdueshme në Siri.”