Natasha Lako është ndër të parat intelektuale në vend që iu bashkua që në fillim Lëvizjes për demokraci në dhjetor ’90. Ajo është njëkohësisht bashkëthemeluese e PD-së dhe dy herë deputete e saj në parlamentin e parë pluralist. Sot, shkrimtarja dhe skenaristja e një sërë filmash shqiptarë, ka dhënë një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ku ndër të tjera ka folur edhe për marrëdhëniet me Sali Berishën.
Po me z.Berisha? Cila ka qënë biseda e parë me të?
Mund të ketë rëndësi dita kur e kam parë së fundi. E kam parë edhe të transformuar nga pushteti i madh që mbante në duart e tij. Por nuk dinte ta fshihte këtë përqendrim pushteti siç bën Edi Rama. E kam njohur Berishën nga pranë gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar pas zgjedhjeve të para të pluralizmit. Për mua kanë mbetur të paharruara, pavarësisht se sot punohet me dashje apo pa dashje, nga teveqelëllëku apo nga qëllimet, që të rrëzohet plotësisht për ditë çdo dinjitet i parlamentarizmit shqiptar. Madje parlamentarizmi i viteve ’20-’30 pothuaj nuk përmendet fare. Për mua Berisha fitoi një autoritet të mistershëm pasi u bë president.
Por e kam parë edhe jashtëzakonisht të shqetësuar kur erdhi një kohë dreke në shtëpinë tonë një ditë pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, pa e ditur ende nëse do të vendosej apo jo gjendja e jashtëzakonshme.
Përse kishte ardhur z.Berisha në shtëpinë tuaj?
Donte të merrnim vesh diçka më tepër nga dy të njohurit tanë të afërt shkrimtarë ndoshta, anëtarë më të moderuar të asaj instance që po ndillte kob. Kurrë nuk do të harroj se si filluan t’i dridhej tabakaja me filxhanët e kafesë në duar nënës sime. Dhe mendoni se sa histori të tjera ka, që nuk kanë arritur të hyjnë në një të vetme. Vetëm të rrish dhe të vështrosh kush hyn dhe kush del për njëzet e shtatë vjet me radhë, me faj e pa faj, me sukses apo pa sukses, në raste festash në pritjet presidenciale. Sot shumë njerëz, i komentojnë këto ngjarje, njësoj si të kishin parë një teatër, kush u pëlqen, çfarë nuk u pëlqen, si duhet të ishte si nuk duhet të ishte. Mos harrojmë se Tirana sot është bërë 1000000-she! Dhe ndjehet tendenca për të lënë si një libër të bibliotekës ketë ngjarje jashtë trupit të jetës shqiptare dhe jashtë frymës së institucioneve, nga të katër anët. Madje edhe të zbaviten.
Me 17 prill 91, Kuvendi duhej të zgjidhte kreun e ri të Kuvendit dhe diskutohej kandidatura e Islamit, ku Shane Korbeci, ish-ministër në qeverinë e fundit komuniste dhe ish-kryeministri i kësaj qeverie, Adil Çarçani, e mbronin Islamin, ju si deputete PD-së propozuat një tjetër emër nga Partia e Punës së Shqipërisë si kandidat më konsensual për kryetar i Kuvendit. Ishte shkrimtari Dritëro Agolli. Pse pikërisht ai gëzonte respektin e deputetëve të PD-së edhe pse ishte në partinë kundërshtare?
Po, mirë, le t’i kthehemi përsëri pak intelektualëve në një vend ku dihet që po ndodh proces i zakonshëm i shkatërrimit të intelektualizmit shqiptar, njësoj si shkatërrimi i kanaleve kulluese. Dritëro Agolli, ishte një navigator i madh mes përmes forcave të pushtetit, në sajë të mprehtësisë prakticitetit dhe talentit të përgjithshëm. Më qetësonte prania e tij, ajo koka e tij në formë dardhe me ato flokë të bardhë, sa herë e shihja nga prapa, mes fanatikëve, të cilët më vonë do t’i mësonin edhe deputetët e PD-së që sa të merrnin mandatin të rrëmbenin edhe një kobure. Kur e propozova, thjeshtë mu duk një rrugëzgjidhje e arsyeshme, mes gjithë atyre debateve të stërzgjatura dhe të pakuptimta. Për të vendosur apo për të mos vendosur si kryetar partie një njeri që studentët nuk e donin. Mbaj mend se si u kthye të më shihte Sali Berisha. Kjo është dita ndoshta që po më shihte për herë të parë vërtet.
Megjithatë ju e bëtë propozimin…?
Po, por propozimi im ç’tensionoi të gjithë Tiranën. Mbaj mend se më ndalnin dhe më përqafonin në rrugë shumë njerëz. Atëherë kuptova se në politikë askujt nuk i nevojiten fjalët e acarta që deri sot përdoren gabimisht çdo ditë, duke ndjellë humbjen e shqiptarëve në përgjithësi. Por kjo kërkon një eksperiencë të madhe.
Është folur atëherë se z.Agolli ka votuar Berishën president. Si është e vërteta?
Nuk besoj se Dritëro Agolli ka votuar për Sali Berishën president, herën e parë, megjithëse ky lajm çorientoi gjithë grupin parlamentar dhe shkaktoi gati edhe survejime.
Ishte dhe madje deri sot është e vështirë të mësojnë politikën, njerëz që për një kohë të gjatë kanë kënduar njësoj të njëjtën këngë me fjalët “Enver Hoxha mprehu shpatën dhe njëherë për situatën”….dhe që mësojnë për herë të parë fjalën konsensus, që në fillim ishte e pabesueshme. Dhe është vështirë të mësosh gjuhën e politikës që di të bëjë kur duhet kompromise dhe di kur duhet të jetë i prerë. Historia e kësaj periudhe tranzicioni është një përvojë që mëson se plaga shërohet nga brenda, dhe nga kjo përvojë mund të përfitohet gjithnjë. Sepse nesër, pasnesër edhe Koreja e Veriut, me siguri do të pësojë transformin e vet ose do të ketë kohën e saj të tranzicionit, domethënë të shkrumit të saj, por me një ndryshim të madh: në qoftë se Koreja e veriut prodhon armë atomike, shqiptarët ishin mbretër të kallashnikovëve që sot janë shpërndarë në të gjithë botën.
Pse u larguat nga politika…?
Nga politika nuk mund të largohet njeri. Kjo është e pamundur, edhe kur gënjejmë veten. Unë thjesht dhashë dorëheqjen. Vetë dorëheqja ime për atë periudhë ishte akt politik, që u mjegullua nga të katër anët.
ma.me