Nano nuk heziton të bëjë një thirrje për kryeministrin e vendit dhe për autoritetet përkatëse që “të bëjnë çmos me gjithçka që i lejon ligji, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë, që ta evitojnë këtë përçarje.
Monologu
Vizita e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri, një vizitë e bujshme dhe e shoqëruar me tam-tame, sapo u mbyll. Ajo ishte një vizitë e suksesshme për autoritetet e Ankarasë dhe të Tiranës, por sidomos për Edi Ramën dhe vet Erdoganin. Megjithatë, nuk mungoi edhe ekspozimi i disa probleme që kanë të bëjnë me komunitetin mysliman shqiptar, dhe në mënyrë të veçantë kryeproblemin që e ka emrin “përçarja e këtij komuniteti”. Në këtë rast, doli në pah një përçarje midis gylenistëve dhe erdoganistëve. Me siguri që e keni vënë re, se në momentin teksa po bëhej përurimi i xhamisë së Et’hem Beut, i xhamisë së restauruar me pará turke, me pará të akorduara nga Erdogani (ishte vullneti i Erdoganit personalisht, që ka kontribuar në këtë mes), mungonin të zotët e shtëpisë. Për një sy indiferent që mund ta shihte në distancë një situatë të tillë do të ishte e çuditshme. Por nuk është aspak e çuditshme për ne. Sepse ne e dimë shumë mirë se shumica e krerëve të komunitetit mysliman të Shqipërisë janë gylenistë. Ndërsa Erdogani sigurisht që është erdoganist. Këtij të fundit i erren sytë kur sheh gylenistë. Ai është i terrorizuar prej tyre. Dhe me siguri, ai i ka kërkuar paraprakisht autoriteteve tona që ta shmangin praninë e gylenistëve.
Madje edhe në fjalimin që Erdogani mbajti në Parlamentin shqiptar, ai nuk harroi ta bënte të qartë për opinionin publik shqiptar, e sidomos për autoritetet politike shqiptare, se perspektiva e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë do të varet në një masë të madhe edhe nga gatishmëria dhe vullneti që do të manifestojnë autoritetet shqiptare në luftën kundër gylenizmit.
Sidoqoftë, unë dua të fokusohem te kryeproblemi, te përçarja që ka ndodhur dhe konstatohet brenda komunitetit të myslimanëve shqiptarë. Një pjesë e madhe e këtyre të fundit janë rreshtuar me bazë flamujsh të huaj, shtetesh të huaj dhe frymësh të huaja të Islamit. Dhe kjo ka ndodhur për dy arsye. Së pari, kjo gjë vjen si pasojë e një arsyeje organike, për faktin se Shqipëria është një vend i hapur, totalisht i hapur. Duke qenë se autoritetet nuk ushtrojnë kontrollin e duhur, këtu mund të hyjë kushdo. Por kjo ka ndodhur edhe për një shkak tjetër, po aq të rëndësishëm: pothuajse të gjithë imamët shqiptarë janë arsimuar në vendet arabe, ose në vendet me shumicë myslimane, dhe kur janë kthyer në Shqipëri, kanë marrë me vete jo vetëm diplomën që provon dijet e tyre në Islam, por edhe një luajalitet e besnikëri ndaj shtetit në të cilin ata janë diplomuar, dhe ndaj Islamit që praktikohet në këto shtete. Këta janë, pra, burimi i përçarjes së komunitetit mysliman shqiptar. Dhe duket se brenda komunitetit mysliman shqiptar ka një luftë civile të heshtur.
Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në portalin Babel.al, unë i kam bërë thirrje kryeministrit Rama që të përballet me këtë problem. Por që të përballet me problemin, fillimisht ai duhet ta njohë atë. Thirrja ime konsiston në faktin se (sipas meje) kryeministri duhet të bëjë çmos me gjithçka që i lejon ligji, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë, që ta evitojë këtë përçarje dhe ta luftojë këtë tendencë të luajalitetit të shumë myslimanëve shqiptarë, e sidomos të krerëve të këtij komuniteti, ndaj shteteve të huaja, ndaj flamujve të huaj, apo ndaj rrymave të huaja të Islamit, me synimin që ta kthejë Islamin shqiptar nga Islami i traditës, që në historinë tonë, përfaqësohet nga emra të rëndësishëm (të cilët kanë qenë të rëndësishëm jo vetëm në fushën e fesë), si Hafiz Ali Korça, apo Haxhi Vehbi Dibra etj., por edhe nga eksponentë të tjerë me origjinë islame, por me formim laik, të cilët kanë formuar shtetin shqiptar dhe kanë dhënë kontribut në Rilindjen Kombëtare. Edi Rama duhet të bëjë çfarë ka në dorë që Islami shqiptar t’i kthehet vlerave të Islamit të traditës. Këto vlera janë, së pari, qasja patriotike dhe atdhetare e Islamit të traditës. Së dyti, është qasja pro-perëndimore, ose më mirë (për të mos krijuar keqkuptime), qasja jo anti-perëndimore, e cila ka qenë tipar i Islamit të traditës. Dhe së fundmi, qasja laike, apo siç e quaj unë, Islami laik. Për dikë, ky term mund të vijë si një oksimoron. Por për mua, ai ka kuptim. Me Islam laik, unë kuptoj atë Islam të përfaqësuar nga ata myslimanë të cilët janë pajtuar me praktikën e ndarjes së fesë nga shteti, të fesë nga shoqëria.
Kjo gjë duhet bërë urgjentisht. Ne shqiptarët nuk kemi pse të huazojmë dhe të imitojmë rryma të huaja të Islamit. Ne kemi shumë për të mësuar nga bota, por kur vjen puna tek Islami, ne kemi Islamin tonë të traditës, i cili nuk është i ri, siç është në vendet e Europës Perëndimore apo përtej Atlantikut, që në më të mirën e rasteve është Islam 100-vjeçar. Islami jonë është shumë më tepër, është Islam 500-vjeçar. Në këtë kuptim, ne nuk kemi se çfarë të mësojmë nga rrymat e huaja të Islamit. Ne duhet të respektojmë Islamin e të parëve tanë (i cili, përsëris, ka qenë një Islam atdhetar, jo anti-perëndimor dhe laik) duke përqafuar principin e ndarjes së qartë të fesë nga shteti, të fesë nga shoqëria.
Zoti Nano interesohuni qe statistikat e qytetareve bektashiane te zyrtarizohen brenda
Religjionit bektashian sepse po persekutohemi nga politikat e shtetit me komunitetet
Fetare