Frika nga racionimi të naftës ka nisur të hedhë rrënjë në Britaninë e Madhe, ku Ministri i Thesarit, Dan Tomlinson, e pranoi se kjo mundësi nuk mund të përjashtohet në mesin e kaosit që ka pllakosur Lindjen e Mesme.
“Por gjatë dy javëve të fundit kemi parë vërtet një rritje të mprehtë të kostos së naftës dhe Qeveria ka ndërhyrë duke thënë se do të ofrojmë 50 milion paund mbështetje për njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që varen nga nafta për ngrohje”, shtoi ai.
Eksperti i energjisë Nick Butler, u shpreh më herët se mbyllja e plotë e Ngushticës së Hormuzit do të shkaktonte një “mungesë” globale të naftës brenda disa javësh. Pasojat e situatës aktuale më fort po i ndiejnë vende si Sri Lanka, të cilat mbështetën në mënyrë të veçantë tek nafta që kalon prej kësaj rruge detare.
Vendi ka nisur nga e diela përdorimin e një sistemi racionimi të karburantit me kode, një mënyrë moderne menaxhimi kjo e shpërndarjes se produkteve të caktuara, në mënyrë që të shmanget teprica ose grumbullimi i tyre nga disa persona. Nisma është ndërmarrë pavarësisht se vendi ka furnizim mjaftueshëm për të paktën 4 muaj. Qeveria ushtarake e Mianmarit gjithashtu ka nisur të zbatojë racionimin e rreptë të karburantit për automjetet private për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Me urdhër të saj, një sistem “çift-tek” i targave të automjeteve kufizon lëvizjen sipas datës, por kjo ka sjellë radhë të gjata në pikat e karburantit dhe rritje çmimesh në qytete të mëdha si Yangon.











