Qeveria ka vendosur të ngrejë Bordin e Transparencës pasi çmimi i naftës në treg arriti në 214 lekë. Gjatë një analize të situatës së fundit në treg, si dhe ndikimit të zhvillimeve të konflikit në Lindjen e Mesme, Këshilli i Ministrave do të ndërmarrë masa konkrete për stabilizimin e çmimeve.
Në këtë kuadër, qeveria do të ngrejë Bordin e Transparencës, një mekanizëm që do të miratohet me vendim të Këshilli i Ministrave, me synim kontrollin dhe monitorimin e çmimeve të karburanteve në vend.
Paralelisht, është vendosur ndërhyrja në nivelin e akcizës, e cila do të reduktohet në 20%, si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve.
Gjithashtu, janë përcaktuar marzhet e fitimit për operatorët e tregut, përkatësisht 3 lekë për litër për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për litër për tregtinë me pakicë. Ky mekanizëm synon të garantojë transparencë dhe kontroll efektiv mbi çmimet, duke parandaluar çdo formë abuzimi.
Bordi i Transparencës do të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që do të evidentohen luhatje të ndjeshme në çmimet e bursave ndërkombëtare, duke përcaktuar çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi. Çdo shkelje e këtyre çmimeve nga ana e tregtarëve do të konsiderohet shkelje e rëndë administrative, e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit.











