Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit të Republikës të përfshijë në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimin për zgjedhjen e nënkryetarit të këtij institucioni.
Në kërkesën drejtuar Presidentit Nishani, Ministri Naço parashtron se Kuvendi i Rëpublikës së Shqipërisë me ligjin nr. 101/2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, date 17.05.2001, ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’”, i ndryshuar, ndër të tjera në nenin 7, vendosi edhe ndryshimin e pikës 1, të nenit 12, duke parashikuar se: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një Zëvendëskryetar”, si dhe shfuqizoi pikën 3 dhe 4 të këtij neni.
Gjithashtu Ministri Naço i referohet në këtë kërkesë edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 16, datë 10.04.2015, (botuar në Fletoren Zyrtare nr. 60, në datën 21.04.2015), e që vendosi rrëzimin e kërkesës me objekt: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën, i nenit 7, te ligjit nr. 101, date 31.7.2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, date 17.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të drejtësise’”, i ndryshuar.
Mes të tjerash, në kërkesën e tij Ministri Naço vë në dukje edhe mungesën e efiçencës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të mungesës së një zëvendësryetari, ku për pasojë janë ende të pa emëruar 10 magjistratë që kanë përfunduar studimet ne Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2013-2014.
Gjithashtu Naço sqaron se ligji e ngarkon zëvendëskryetarin me një sërë detyrash si të kujdeset për veprimtarinë normale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të organizojë dhe drejtojë veprimtarinë e Inspektoratit dhe të administratës së këtij këshilli, të ndjekë veprimet e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për verifikimin e ankesave dhe të dhënave për gjyqtarët dhe për zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Këshilli, në rastet e procedimeve disiplinore të filluara nga Ministri i Drejtesisë.
Redaksia Onlin
(Javanews.al)









