Edvin Shvarc ishte vetëm 20 vjeç, kur 8 dhjetori i 1990-ës e gjeti në dritaren e aneksit të shtëpisë, në një lagje periferike të Tiranës. Që andej dëgjoi plot ankth dhe shpresë jehonën e thirrjeve që vinin nga Qyteti Studenti. Studentët kërkonin dritë në mes të errësirës së plotë… Djaloshi i imët, të nesërmen iu bashkua studentëve, për të mos u ndarë prej tyre, siç thotë ai, deri në “shembjen e miteve të rreme”. Edvin Shvarc rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare”, të pathënat e atyre ditëve të vështira, ku vdekja qëndronte shumë pranë jetëve. Z.Shvarc tregon për historinë e flamurit pa yll, si kaloi ai nëpër duar, derisa u valëvit në tarracën e Kinoklubit në Qytetin Studenti ditën e shembjes së monumentit të diktatorit, porosia për të vrarë xhelatin Xhelil Gjoni apo thirrjet për zhvarrimin e diktatorit që t’i pushkatonin kockat. Ai hedh dritë mbi aktakuzën me të cilën u dënuan 7 vetë në fillim të prillit 1991, për hedhjen e monumentit si dhe vërtetimin e njërit prej tyre, inxhinierit Artur Zadrima, i cili ndoshta mund të jetë i dënuari i fundit politik në Shqipërinë e asaj periudhe.
Z.Shvarc, ku ju gjeti dhjetori i largët 1990 dhe çfarë ishte për ju Lëvizja Studentore Shqiptare?
8 dhjetori 1990 më gjeti në dritaren e aneksit të shtëpisë, në një lagje periferike të Tiranës, prej nga dëgjoja plot ankth dhe shpresë jehonën e thirrjeve që vinin valë-valë nga Qyteti Studenti, duke kërkuar fillimisht drita, e më pas “Liri-Demokraci” si dhe disa parulla të tjera. Ndërsa agimi i hershëm i 9 dhjetorit, në dhomat e shokëve të mi të Filologjikut, në Godinën 6 e më pas, nëpër demonstrata, mitingje, greva, deri ditën kur vendosa të largohem përkohësisht nga vendlindja. Lëvizja Studentore Shqiptare, e cila nisi zyrtarisht më 8 dhjetor 1990 dhe u shua në sheshin “Demokracia” më 10 mars 1991, ku mbetëm vetëm 10 vetë me megafon (kishim si synim të ngriheshim për herë të tretë që të protestonin për mbylljen e universitetit, për përzënien masive të mijëra studentëve me eksodin e marsit, të kërkonin lirimin e të burgosurve politikë, sidomos të atyre që u arrestuan dhe u dënuan për rrëzimin e shtatores së diktatorit në qendër të Tiranës), ishte lëvizja më e pastër dhe pa interes e historisë moderne të Shqipërisë. E kanë quajtur ngjarjen më të madhe dhe vendimtare pas shpalljes së Pavarësisë më 1912-ën. Të tjerë e njohin dhe e kujtojnë si gjënë më të shenjtë të jetës së tyre rinore. Disa të tjerë e kanë baltosur, shpërdorur, keqtrajtuar, shfrytëzuar, shpërfytyruar, madje janë përpjekur edhe për ta përdhunuar. Nuk ia kanë dalë dot mbanë! Të paktën jo sa të jemi ende gjallë, ne dhe disa puna jonë. Çfarë arritën studentët së bashku me disa nga pedagogët e tyre të sinqertë? Bënë zgjedhjet e para demokratike, të lira dhe më se të ndershme pas gati gjysmë shekulli, duke përzgjedhur Dërgatën e tyre në takimin me ish-presidentin Alia. E kërkuan forcërisht, por paqësisht, dhe i dhuruan Shqipërisë pluralizmin politik, jo atë të ideve apo shoqatave dhe organizatave-hije dhe vasale të Partisë së Punës. Krijuan partinë e parë opozitare pas një gjysmë shekulli, partinë e shpresës dhe ëndrrave të mijëra shqiptarëve. Dhanë kontributin e tyre në të parën gazetë të lirë, në “Rilindjen Demokratike”. Shembën përfundimisht idhujtarinë e rreme të diktatorit. I çliruan shpirtërisht dhe fizikisht shqiptarët nga makthi dhe vargonjtë e komunizmit. I dhanë fund njëherë e përgjithmonë luftës së tmerrshme, të padrejtë dhe aq fort të urryer e të dënueshme të klasave. Por mbi të gjitha: gjithçka u arrit pa derdhur as edhe pikë gjak të pastër shqiptari! Dy herë madje na është propozuar të vrisnim edhe Xhelil Gjonin, figurën e dytë më të fuqishme të regjimit në atë kohë, por nuk pranuam asesi.
Kush ju porositi që të vrisnit ish-sekretarin e Partisë së Punës për Tiranën, Xhelil Gjonin?
Ishin kërkesa të ndryshme njerëzish. Por nuk pranuam. Studentët shmangën me shumë urtësi dhe mençuri vëllavrasjen e panevojshme në atë kohë, e cila do të kishte shkaktuar plagë urrejtjeje dhe përçarje. Një studiues i huaj vuri në dukje pak muaj më parë se as intelektualët e kohës, as komunistët në pushtet, as shtresat e përndjekura, dhe ndonjë grupim tjetër nuk guxoi, nuk mundi, nuk arriti të ngrihej e të luftonte e t’i shënonte të gjitha këto fitore. Vetëm studentët e LSSH-së ia dolën mbanë, me idealizmin e tyre si dhe me idetë dhe mjetet e luftës origjinale, të frymëzuar e të çuar para nga pasioni djaloshar dhe sakrificat pa shpërblim, sigurisht të mbështetur edhe nga punëtorë, intelektualë dhe qytetarë të ndërgjegjësuar, Askush tjetër nuk ka as tagrin moral dhe as atë ligjor apo historik të flasë në emër të tyre!
Jeni përmendur disa herë publikisht për sjelljen dhe shpalosjen e një flamuri kuqezi pa yll në Qytetin Studenti. Cila është historia e atij simboli kombëtar të LSSH-së?
Flamuri ishte i gjyshit tim nga nëna, Dhimitër Mima, i cili e kishte ruajtur që nga vitet 1920 kur punonte në Bankën e Shqipërisë. Ka qenë gjithmonë në një sënduk, por unë e kisha ndarë mendjen që, kur të vinte çasti i duhur, do ta nxirrja dhe ta shpalosja. Nuk u përkiste as ish-çetave të luftëtarëve të atdhetarit, Spiro Ballkameni dhe as ndonjë çete partizane, siç mund të ketë shkruar ndonjëri në librat e tij të retushuar historikë. E kam pasur me vete, të mbështjellë në trup, në demonstratën e heshtur të 28 janarit 1991 në Tiranë, por atje nuk ndodhi gjë, të paktën ajo që prisnim… E kam sjellë në Qytetin Studenti më 10 dhjetor 1990 duke ia dhënë në dorë një shokut tonë, njërit prej atyre që kishin dalë në krye, por ai, në atë kohë nuk e gjykoi as të arsyeshme dhe as të përshtatshme, ta shndërronim në simbolin e Lëvizjes sonë. Atëherë, e çova në dhomën e shokut tim të vjetër, Mikel Dishnicës, në Godinën 6 të Filologjikut, ku e varëm jashtë, në dritare. Më pas, së bashku me Redin Hafizin e valëvitëm me krenari para mijëra qytetarëve natën e 11 dhjetorit 1990, kur u fitua pluralizmi. Më vonë, ia dhurova dhe u var në murin e selisë së parë të përkohshme të Partisë Demokratike në Godinën 15, dhe pastaj e rigjeta në duart e tjetërkujt kur hymë në Grevën e Urisë. Më duhet të them vërtetësisht se flamuri pa yll në hyrje të Godinës së Kinoklubit më 18 shkurt 1991 i përkiste familjes së Tefë Curanit dhe u soll nga Shkodra nga një tjetër shok atdhetar i yni, nga Shinasi Rama, i cili qe i pari që e puthi duke kapërcyer pragun e derës. Kurse flamuri në fjalë, që në atë pikë nuk mund të quhej më vetëm i imi, valëvitej në tarracë. Ditën e tretë të grevës ia dhashë Artur Zadrimës, i cili me atë flamur, pa yllin aq të urryer komunist, së bashku me shokët e tij montatorë dhe sindikalistë, u priu në radhët e para atyre trimave që rrëzuan shtatoren e diktatorit më 20 shkurt në sheshin ‘Skënderbeu”. Gjithsesi, ai flamur aq i dashur dhe i vyer, mund të dallohet lehtazi dhe shumë qartë në të gjitha fotografitë e kohës, sepse ka një hulli të bardhë anash për të futur shtizën. Kaq! Nëse Muzeu Kombëtar dhe drejtuesit e tij do të jenë të interesuar, mund t’ua dhuroj pa kurrfarë hezitimi, sepse ai flamur i përket tashmë një copëze të ndritur të historisë së Shqipërisë.
Në 25-vjetorin e grevës historike të urisë së studentëve, a mund të na thoni si lindi ideja, përse u bë ajo dhe nga cilët u organizua?
Pas fitores së pluralizmit dhe krijimit të opozitës së mefshtë e të pasigurt, studentët menduan t’u ktheheshin sërish librave dhe provimeve, por shumë shpejt e kuptuan se misioni i tyre historik ende nuk kishte përfunduar, madje akoma nuk kishte filluar siç duhej. Të dëshpëruar dhe të prekur në sedër, deri diku edhe të përdoruar nga të tjerët, studentët mendonin se duhej bërë gjithçka për depolitizimin e universitetit dhe se kishin akoma aftësi për të kontribuar në të mirën e Shqipërisë. Me nismën e një grupi studentësh, midis të cilëve ishin Arben Lika dhe Shinasi Rama, u krijua Shoqata Studentore “Fan S. Noli”. Kjo shoqatë, me një program të përcaktuar qartë, synonte organizimin e të gjithë studentëve të shkollave të larta në një trup të vetëm, depolitizimin e universitetit, rritjen e nivelit edukativ, administrimin e mjediseve studentore, bashkëpunimin me studentët kosovarë dhe shkëmbimin e përvojës dhe të dijeve edhe me universitete të huaja për të mundësuar krijimin e një shtrese të re kuadrosh intelektualë, të cilët në një të ardhme të afërt do të kontribuonin jo vetëm në përparimin e begatinë e atdheut dhe kombit, por edhe në konsolidimin e demokracisë. Më 22 janar 1991, presidenti Ramiz Alia nxori dekretin famëkeq numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve”, dekret i cili kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha, pasi askush nuk kishte ndërmend të rrëzonte bustet e De Radës, Vëllezërve Frashëri apo të zbriste Skënderbeun nga kali! Në ditët që pasuan, vendosmëria dhe kristalizimi i kërkesave erdhën duke u rritur. Në një nga mitingjet e paligjshme të shkurtit, Arben Lika, i cili sapo ishte operuar nga apendiciti, mbajti një fjalim shumë radikal ku arriti deri aty sa që premtoi se “diktatorit, edhe kockat do t’ia zhvarrosnim e do t’ia pushkatonim”. Duke mos pasur asnjë rrugë tjetër paqësore, studentët me një Komision Drejtues të përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, vendosën të bëjnë grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Greva e urisë, që filloi më 18 shkurt, u bë për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Kjo grevë u bë për të çmitizuar figurën e një diktatori, i cili jo vetëm e kishte çuar vendin në humnerë, por vazhdonte të sundonte akoma nëpërmjet trashëgimtarëve të tij ideologjikë. Greva u bë për të depolitizuar arsimin e lartë, si edhe për të anulimin e dekretit famëkeq të mbrojtjes së monumenteve. Gjithashtu, studentët kërkonin edhe lirimin e të burgosurve të fundit politikë. Synimi kryesor i pjesës më të kthjellët të studentëve grevistë ishte shmangia e luftës civile, një konflikt i paevitueshëm për kohën, nëse vazhdohej akoma të ruhej status quo-ja e imponuar nga drejtuesit e shtetit dhe partitë opozitare. Logjika e thjeshtë të çonte në përfundimin se populli shqiptar nuk do të mund të shkonte dot në zgjedhjet e para demokratike i çliruar nga ankthi i së kaluarës, nëse debatit mbi figurën e Enver Hoxhës nuk i jepej një zgjidhje një orë e më parë.
Çfarë synonte të arrinte në të vërtetë ai vetësakrifikim i paprecedent në dukje? Studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në grevë, kishin vërtet qëllim vetëm heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti Shtetëror i Tiranës apo kishin edhe objektiva të tjerë?
Në grevë u futën 723 djem e vajza, së bashku me disa pedagogë të gatshëm për t’u vetëflijuar në emër të idealeve të tyre. Lista e plotë e këtyre 723 vetëve nuk është bërë kurrë publike. Unë kam mbajtur me përgjegjshmëri tri herë dhe në tri kopje listën e studentëve të Filologjikut, për disa arsye: E para, sepse na duhej të dinim se me kë ishim brenda në atë godinë të mbyllur. E dyta, ishim të përgatitur për gjithçka mund të ndodhte, edhe për më të keqen, dhe familjet e tyre kishin të drejtë ta dinin se ku i kishin bijtë e bijat, gjallë apo vdekur… Dhe e treta, kishim edhe një farë përgjegjësie për më të rinjtë, sepse mes tyre ishin edhe disa studentë e studente fare të njomë të vitit të parë, sidomos nga Gjuhë-Letërsia… Gjatë atyre tri ditëve dhe dy netëve ndodhën shumë ngjarje, debate, përplasje, komplote, intriga, yshtje, joshje, por për fat, studentët nuk u dorëzuan. Për të gjitha ato ngjarje mund të shkruhen me dhjetëra, në mos nja shtatëqind e njëzet e tre libra, e të botohen disa ditarë interesantë që ende nuk e kanë dritën e botimit, por kjo u takon studiuesve, shkencëtarëve, politologëve, historianëve seriozë, madje edhe historishkruesve, por u takon besoj edhe disa historibërësve me kujtesë të fortë.
Çfarë ndodhi brenda godinës së Kinoklubit të Qytetit Studenti gjatë atyre tri ditëve dhe dy netëve të ngujimit?
Ditën që do të hyja në grevë, ime më, e cila natyrisht nuk dinte gjë, por duke qenë një grua fort e zgjuar dhe e mprehtë, pasi më pa se kullufita që në pikë të sabahut një çerek tenxhereje me lakra e me grimca mishi, më pyeti, para se të dilja nga shtëpia: “More bir! A ia vlen të vdesësh për këtë popull?” Iu përgjigja pa u menduar gjatë: “Po, moj mamë, sot për sot mendoj se ia vlen!” E takova sërish, pas tri ditësh dhe dy netësh… Sot e kësaj dite, kur dëgjoj disa intervista funebre që tentojnë rehabilitim xhelatësh, që pranojnë gabime, por jo krime makabre, kur shikoj ca portrete të fandaksura apo kur ende presim hapjen e disa dosjeve të mykura, nuk jam fort i sigurt nëse ia vlente vërtet, por ajo është çështje tjetër… Ato tri ditë dhe sidomos 20 shkurti i vitit 1991, ka hyrë në historinë shqiptare si dita kur u shkatërrua përfundimisht miti i rremë i diktatorit Enver Hoxha, si dita kur shumica e shqiptarëve të denjë morën frymë lirisht duke u çliruar nga një makth gjysmëshekullor dhe kur një pakicë përjetoi “përbaltjen” dhe “poshtërimin” e “babait të tyre shpirtëror”, rreth së cilit kishin ngritur ekzistencën dhe shijimin e privilegjeve të tyre të pamerituara. 20 shkurti ishte ora e së vërtetës, pika e ndarjes së dy epokave, çasti kur pjesa dërrmuese e mbarë popullit shqiptar festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga piedestalet ku e kishin ngritur pa të drejtë dhe kur, njëkohësisht, klasa sunduese kërcëllinte dhëmbët nga inati tërësisht e shurdhuar nga kambanat që binin fuqishëm duke paralajmëruar fundin e sundimit të tyre gjakatar. Monumentin e hodhi populli i Tiranës, e hodhën ata, që u përleshën me policinë e që, më vonë, u arrestuan e u torturuan, ata që dolën në gjyq në prill 1991 dhe u dënuan për miting të paligjshëm dhe hedhje monumentesh.
A ishin të gjithë këta heronj apo “fëmijë plëngprishës”?
Nuk e di! Di vetëm një gjë, që atë prag greve e kemi kapërcyer duke marrë vdekjen parasysh, pa kthim prapa, dhe që kokën në një mënyrë apo një tjetër e kishim vëmë në satër. Të paktën një pjesë jo edhe aq e vogël e atyre djemve e vajzave… Për të tjerët, të cilët mund të kenë hyrë në grevë për sport, për hir të dashurive të porsalindura apo se i mori rryma dhe vrulli rinor, nuk mund të flas dot… Gjithsekush ka qenë dhe është përgjegjës për veprimet e veta të ndërgjegjshme, sepse besoj se, ashtu siç nuk të fuste njeri me zor në Partinë e Punës për shembull, as në ndonjë parti tjetër, ashtu edhe nuk të shtynte njeri me hir e me pahir në një grevë urie të pangjarë kurrë më parë…
Çfarë ndodhi me studentët dhe pedagogët më pas? Cilat qenë pasojat? Si ishte fati i mëtejshëm i Lëvizjes Studentore Shqiptare dhe i disa prej figurave më të spikatura të saj?
Haraçi që u pagua nga studentët qe tepër i lartë: gjendja e jashtëzakonshme, mbyllja tinëzare e universitetit, eksodi i marsit 1991, vrasjet, mes tyre edhe ajo e shokut tonë të shtrenjtë Arben Broci më 2 prill 1991 në Shkodër, lënia në harresë, mërgimi, përbaltja dhe manipulimi rreth Lëvizjes së tyre të qashtër, shkatërruan shumë ëndrra rinore dhe u ndryshuan rrjedhën e jetës qindra syresh, por dhuratat që i bënë popullit të tyre, ia vlenin gjithë ato sakrifica.
Cilat ishin lidhjet dhe solidariteti mes studentëve të atëhershëm të Lëvizjes? Çfarë ndjenit në atë kohë?
Një ndjenjë të papërshkrueshme “kamaraderie”, për ata që kanë lexuar “Tre shokët” apo edhe ndoshta “Asgjë e re nga Froni i Perëndimit” – një ndjenjë vëllazërie. Ishim të gjithë vëllezër dhe motra. Po të keni qenë ndonjëherë në luftë (larg qoftë!), po ta keni parë ndonjëherë vdekjen me sy, siç e panë ata studentë dhe pedagogë atëherë, mund ta kuptoni deri diku që me shokun apo shoqen e armëve në krah, të lidh e farkëtohet një lidhje e pazgjidhshme kurrë, edhe më vonë, derisa ndahesh nga kjo botë…
Ky përvjetor ku ju gjeti, ju ish-studentët dhe ish-pedagogët grevistë? Cili është mesazhi moral dhe historik për brezin e ri në një kohë kur kemi kapërcyer gjysmën e dekadës së dytë të shekullit XXI?
Disa mund t’i gjenit, po t’i kërkonit, të enjten, më 18 shkurt, në orën 11.00, në ish-Kinoklubin e Qytetit Studenti, tashmë Godina “Liria”, ku përkujtuam hyrjen në grevë, më datë 18 shkurt 1991, në orën 11.00, bashkërisht me disa pedagogë, përkrahës dhe dashamirës së Lëvizjes Studentore. Disa të tjerë në mërgim, të shpërndarë në të katra anët e botës. Pak prej tyre gjenden në Kuvendin e Shqipërisë, ku si deputetë përpiqen t’i shërbejnë popullit që i ka zgjedhur. Disa të tjerë, fatkeqësisht nuk janë më me nesh, madje as mes nesh në këtë botë. Gjithsesi, pothuajse të gjithë ish-pjesëmarrësit në grevën e urisë vazhdojnë t’i ruajnë të shtrenjta vlerat dhe qëllimet fisnike të Lëvizjes Studentore Shqiptare 1990-‘91, duke u ndierë krenarë për atë që bënë dikur për këtë vend e për këtë popull. Tashmë, pas çerek shekulli, është rritur një brez i tërë dhe ka nevojë që t’u thuhet, t’u mësohet e t’u përsëritet derisa ta mësojë, mesazhi se greva e urisë u bë për të rrëzuar mitet e rreme, dhe jo për të pjellë e ngritur mite të tjera pa vlera, dhe se e ardhmja e këtij vendi, qoftë edhe ajo në gjirin e Bashkimit Evropian, do të ndërtohet dhe mbrohet vetëm nga shqiptarët e ndërgjegjësuar për marrjen e fateve të tyre në dorë.