• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Na jepni një vend në tryezë!”/ Rama për “The Observer”: Shqipëria mund ta ndihmojë BE-në të mbijetojë

by Os De
18/12/2025 20:00
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në zyrën e tij të mbushur me vepra arti, me trupin e madh të mbështetur në një kolltuk prej lëkure me ngjyrë të errë, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, flet në një intervistë për The Observer, për “errësirën” që, sipas tij, ka zbritur mbi Evropën. 

Megjithatë, nuk mund të thuhet që Rama, i cili fitoi mandatin e tij të katërt në maj po kalon një vit të keq, ndërkohë që Shqipëria po merr vlerësime për përparimin në bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj, ai është i trazuar nga “mungesa e gjithanshme e energjisë pozitive”  dhe nga ndjesia se Evropa, pavarësisht “udhëheqësve të mëdhenj”, po rrëshqet gjithnjë e më thellë në një gjendje pesimizmi. 

“Nuk e shoh dritën,” thotë ai. “Ka një errësirë në Evropë dhe nuk shoh rrugëdalje. Ka njerëz që përpiqen të bëjnë gjënë e duhur, por nuk shoh strategji. Të mendosh se problemi është diku tjetër nuk ndihmon. Është në Evropë. Jemi ne.” 

Piktor përpara se të hynte në politikë, Rama përçon frymën e një profesori i cili, ndonëse kundërshtues dhe alternativ – stili i tij i pagdhendur përfshin një prirje për kravata të pikturuara me dorë – ka arritur që nëpërmjet vendosmërisë, talentit dhe karizmës të sjellë reforma gjithëpërfshirëse në shtetin që në komunizëm ishte i mbyllur hermetikisht. 

Në Bruksel, socialisti 61-vjeçar shihet si një nga liderët më pragmatikë që ka dalë nga ish-Lindja. Në Tiranë, ambasadorët e BE-së vlerësojnë aftësinë e Ramës për “të menduar jashtë kornizës”, edhe pse korrupsioni endemik vazhdon ta mundojë vendin dhe së fundmi edhe nivelet më të larta të vetë qeverisë së tij. Ky vlerësim,  shpjegon pse pikëpamjet e Ramës merren seriozisht. 

“Vetë Evropa është jashtë ekuilibri: burokracia e saj peshon më shumë se politika dhe grindjet e brendshme duken më të mëdha se horizonti i përbashkët” thotë Rama. 

Debati mbi migracionin ka qenë veçanërisht sfidues për një politikan anglofil, i detyruar sërish të denoncojë “stereotipizimin etnik” të shqiptarëve të shprehur një Sekretar i Brendshëm Britanik. 

Në një intervistë për The Observer, ai nuk e fsheh sa “shqetësuese” është që këtë herë akuzat për abuzim të ligjeve të azilit nga shqiptarët nuk vijnë nga një ministër konservator, por nga një qeveri laburiste e udhëhequr nga një njeri me të cilin ai thotë se ka marrëdhënie “shumë të mira”. 

“Nëse veçon një komunitet, mund të presësh që anëtarët e atij komuniteti të lëndohen, të sulmohen, të plagosen, të rrihen,” thotë ai, ndërsa gishtat i lëvizin mbi një varg rruazash. “Ne e dimë nga historia se kështu ndodh.” 

Partia Socialiste e Francës, shton ai, ka kryer një “vetëvrasje spektakolare” sepse ka tentuar të imitojë retorikën e ekstremit të djathtë për emigracionin. Sipas tij, ky është një mësim paralajmërues për liderët që të qëndrojnë besnikë ndaj bindjeve dhe vlerave të tyre. 

“Kur hyn në garë me të djathtën ekstreme, humbet, sepse kur vjen puna për të zgjedhur kush është më i ashpër për çështje si migracioni, instinkti është të zgjedhësh origjinalin, jo kopjen,” thotë ai. “Mendon se mund të vallëzosh me djallin? Djalli fiton që në momentin që shkel në pistë.” 

Rritja e populizmit të djathtë ekstrem, nacionalizmi patriotik, përçarja dhe përshpejtimi i militarizimit të Evropës janë, sipas Ramës, forca të fuqishme që e thellojnë këtë errësirë. 

Por Rama nuk ka qenë kurrë i mendimit se presidenti amerikan, Donald Trump, është problemi i Evropës apo se strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare është veçanërisht befasuese. 

Përkundrazi, ai e sheh zgjedhjen e Trumpit si një thirrje zgjimi; një goditje të nevojshme për ta nxjerrë Evropën nga inercia që e mban peng. Për një kohë shumë të gjatë, thotë Rama, BE-ja ka qenë e shkëputur nga realiteti dhe e penguar nga burokracia e vet. 

“Urtësia e botës ka ecur shumë përpara pa ne dhe papritur po kuptojmë se kemi mbetur pas,” thotë ai. “Në këtë kohë sfidash të mëdha, na mungon forca politike; mbetemi në sipërfaqe, kur thellësia është ajo që momenti kërkon.” 

Burokracia e rëndë e bllokut, sipas Ramës, është një pengesë kyçe. “Vetë Evropa është jashtë ekuilibri: burokracia e saj peshon më shumë se politika dhe grindjet e brendshme duken më të mëdha se horizonti i përbashkët.” 

Nëse kontinenti do të bëhet më i fortë, duhet “më shumë Evropë, jo më pak Evropë”, dhe më shumë reflektim mbi politikat dhe veprimet që mund ta kenë penguar. 

“Bëhet fjalë për mendim strategjik dhe politika të drejta dhe për atë se ku duam të jetë Evropa pas 10 apo më shumë vitesh,” thotë Rama. “Evropa duhet të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë shpejt. Të gjithë e thonë, të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë, dhe megjithatë të tjerët po ecin me një shpejtësi shumë më të madhe.” 

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, e ka mbështetur fuqishëm aleancën euroatlantike. Tregues i entuziazmit të saj për atë që Rama e quan “i vetmi pozicion moralisht i qëndrueshëm” është një targë makine e vendosur dukshëm jashtë zyrës së tij, me fjalën “Ukraine” dhe e zbukuruar me zemra të kuqe. 

“Na fusni në Evropë dhe jam gati të nënshkruaj një marrëveshje ku të thuhet qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos” tha Rama. 

Në ish-shtetin stalinist nuk ka nostalgji për Rusinë e sotme, edhe pse intelektualët shqiptarë shprehin një dashuri për gjigantët e letërsisë ruse që lexoheshin dhe mësoheshin deri sa diktatori Enver Hoxha i preu lidhjet me Moskën. 

“Çdo njeri që interesohet për botën mund të dojë shumë gjëra nga Rusia,” shton Rama. “Por jo politikën ruse. Në Shqipëri sigurisht që nuk na merr malli për faktin që nuk kemi pasur asnjë punë me Moskën që nga viti 1960.” 

Gjashtë muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Putini në shkurt 2022, autoritetet bashkiake të Tiranës e riemëruan bulevardin ku ndodhej ambasada ruse në “Rruga Ukraina e Lirë”, duke bërë të qartë se çdo dërgesë postare do të drejtohej në adresën e re. Misioni diplomatik u detyrua shpejt të zhvendosej. 

Megjithatë, Rama është gjithashtu kritik ndaj mënyrës se si Evropa ka trajtuar negociatat e paqes, duke i dhënë meritë Trumpit për çeljen e komunikimit me Rusinë dhe për sjelljen e “diçkaje të re dhe të rëndësishme në lojë”. 

“Ai solli komunikimin dhe diplomacinë në mes të një lufte që mund të ketë qenë e para ndonjëherë pa komunikim,” thotë ai. “Po, e bëri në mënyrë përçarëse sepse kështu vepron, por edhe këtu lind pyetja për ne: çfarë po bëjmë ne? Si ka mundësi që Evropa të mos ketë pasur kurrë një plan paqeje, apo komunikim të drejtpërdrejtë me Rusinë? A është kjo normale për atë që jemi si evropianë? Unë nuk mendoj kështu”, thotë Rama. 

Në këtë boshllëk, thotë ai, Putini ka arritur të ketë sukses – “si shahisti brutal që është” – duke ushqyer një psikologji frike për sulme të mëtejshme, kur në realitet trupat ruse kishin kaluar vite duke u përpjekur të merrnin rajonin e Donbasit në Ukrainë. 

Pushtimi ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë gjeopolitike të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në bllokun me 27 anëtarë, thotë ai. 

Rama e pranon hapur se, në dëshirën për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria është detyruar “të gëlltisë shumë bretkosa”. 

Por anëtarësimi është gjithashtu ekzistencial. Pas më shumë se 500 vitesh si një cep periferik i Perandorisë Osmane dhe gati pesë dekadash nën një regjim komunist më brutal se çdo tjetër, asnjë synim nuk tingëllon më i suksesshëm se ky. 

Gjeografia, thonë ata që janë ende mjaftueshëm të rritur për ta kujtuar, i bënte evropianë, por mizoria dhe paranoja e Hoxhës bënë që shqiptarët të mos ndiheshin kurrë pjesë e kontinentit. 

Dekadat e tranzicionit të trazuar pas rënies së regjimit vetëm sa e kanë forcuar qëndrimin ndaj  BE-së. Nga të gjithë kandidatët që presin në derën e Brukselit, asnjë vend nuk ka mbështetje më të lartë për anëtarësim se Shqipëria. Ky entuziazëm shpjegon pjesërisht pse Rama e ka vendosur vitin 2030 si objektiv për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, me synimin që negociatat të mbyllen deri në fund të vitit 2027; një ambicie që kundërshtarët e tij e quajnë “krejtësisht jorealiste”, por lideri 2 metra i gjatë duket i vendosur të bëjë gjithçka që duhet. 

“Na fusni në Evropë dhe jam gati të nënshkruaj një marrëveshje ku të thuhet qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos,” thotë ai. “Ne kurrë nuk do ta përdorim votën tonë kundër shumicës. As nuk duam komisionerin tonë. Mund të bëjmë një marrëveshje me Italinë dhe komisioneri i Italisë të jetë komisioneri ynë. Jemi gati ta bëjmë këtë si garanci ndaj çdo frike se ndonjë tip i çmendur nga Ballkani do të hyjë në klub me fuqinë e vetos dhe do të fillojë të imponojë gjëra” .  /TheObserver 

Next Post
“Po na provokojnë për Kosovën”, Rusia: BE ëndërron të prishë lidhjen me Serbinë, por pa sukses

“Po na provokojnë për Kosovën”, Rusia: BE ëndërron të prishë lidhjen me Serbinë, por pa sukses

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Pamjet bëhen virale, Trump dremit gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë

Vetëvrasja qytetëruese e Amerikës

December 19, 2025

“Kreditë me probleme, niveli rekord më i ulët”, Vakaj: Tregon që bizneset kanë likuiditet

December 19, 2025
Shatërvani i Trevit nuk është më falas, Roma vendos tarifë për turistët që duan ta shohin nga afër

Shatërvani i Trevit nuk është më falas, Roma vendos tarifë për turistët që duan ta shohin nga afër

December 19, 2025
Erika Kirk mbështet JD Vance për president, tensione dhe përçarje në kampin konservator

Erika Kirk mbështet JD Vance për president, tensione dhe përçarje në kampin konservator

December 19, 2025
Operacion antidrogë në Stamboll, mes 7 të ndaluarve edhe aktorja e njohur

Operacion antidrogë në Stamboll, mes 7 të ndaluarve edhe aktorja e njohur

December 19, 2025
Begaj mbledh gazetarët për festat e fundvitit: Keni profesion më të vështirë se mjekët!

Begaj mbledh gazetarët për festat e fundvitit: Keni profesion më të vështirë se mjekët!

December 19, 2025
Rubio: SHBA kanë investuar shumë kohë për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë

Rubio: SHBA kanë investuar shumë kohë për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë

December 19, 2025
Humbi nënën, Pirro Çako s’përmban emocionet: Kalova një periudhë të vështirë…

Humbi nënën, Pirro Çako s’përmban emocionet: Kalova një periudhë të vështirë…

December 19, 2025
“Operacion special i paprecedentë”, Ukraina sulmon “flotën hije” ruse në Mesdhe

“Operacion special i paprecedentë”, Ukraina sulmon “flotën hije” ruse në Mesdhe

December 19, 2025
Shqiptarët me sytë nga kriptomonedhat, 126 mijë përdorues në platforma

Zbardhet ligji i ri: Sekuestrimi i monedhave virtuale dhe konfiskimi i ndërtimeve pa leje…

December 19, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In