Dalja e ujërave të Vjosës nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Fier dhe Mallakastër, duke lënë qindra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa nën ujë.
Situata më e rëndë është në fshatin Ferras, ku pothuajse gjysma e fshatit është e mbuluar nga uji.
Përmbytja i ka gjetur banorët tërësisht të papërgatitur, sikurse tregojnë për gazetaren e RTSH , Laureta Roshi, banorët shprehet se “na erdhi lumi menjëherë, nuk e prisnim. Zumë dyert, por kaloi mbi 1 metër, kaloi mbi pritën që kishin bërë. Nuk po na shikojnë me sy. Ushqimet e mia janë nën ujë. Kuzhina ka rënë nga lagështira”, rrëfen një banor i zonës, duke treguar dëshpërimin e tij.
Ajo tregon se shumë familje nuk u larguan nga banesat, edhe pse niveli i ujit arriti mbi një metër.
Ata u përpoqën të shpëtonin çfarë të mundnin dhe të mos linin vetëm bagëtitë, të cilat i nxorën në rrugë.
Një tjetër banor shprehet i tronditur: “Uji na hyri në shtëpi, na mori gjithçka. Nuk kemi ku të shkojmë, jemi të detyruar të qëndrojmë këtu”.
Komisionet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren që në mëngjes për të evidentuar pasojat. Banorët shpresojnë në përfitimin e dëmshpërblimeve, duke pohuar se kjo përmbytje është shumë më e rëndë se ato të mëparshmet.
“Kjo herë është më e madhe se çdo përmbytje tjetër që kemi parë. Uji na ka marrë gjithçka”, thotë një banor i Ferrasit.
Në disa banesa niveli i ujit arrin deri në 40 centimetra, duke e bërë të pamundur hyrjen. Sipas emergjencave civile, në Prefekturën e Fierit janë nën ujë 200 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 18 persona janë evakuuar.
Ekipet e emergjencave dhe punonjës të bashkisë pritet të ndërhyjnë me mjete të rënda për pastrimin e kanaleve anës rrugëve të brendshme të fshatit, bllokimi i të cilëve nuk lejon largimin e ujit.
Ndërkohë, niveli i prurjeve në Vjosë ka nisur të bjerë dhe ujërat po tërhiqen gradualisht.











