Nga Vilniusi, kryeqyteti i Lituanisë, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur keqardhjen e thellë për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), duke theksuar se Kosova nuk do të zmbrapset nga agjenda e saj euroatlantike dhe do t’i bindë të gjithë se e meriton të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare.
“Kosova do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës, duke çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryeministri Mustafa.