Mustafa Nano ka replikuar me një shkrim të bërë nga Agron Gjekmarkaj pak ditë më parë. Ai e kritikonte Nanon, se urren Sali Berishën.
Ja si i përgjigjet Nano atij: “E meqë jemi te Berisha, me të cilin ka nja dy vjet që nuk jam marrë hiç, nuk më la indiferent ajo që Gjekmarkaj thoshte: “Urrejta që M. Nano ka për Berishën nuk është cilësi intelektuale e admirueshme”. Ndonjëri mund të ketë menduar se Gjekmarkaj e ka tepruar në këtë pikë, duke më atribuuar mua urrejtje për Berishën, në një kohë që këtë gjë nuk e kam pranuar asnjëherë. Por ja, po e pranoj tani. Po, unë e urrej Sali Berishën. Dhe nuk besoj se kjo gjë e komprometon intelektualitetin tim. Mund të ketë plot gjëra të tjera që më komprometojnë si intelektual, por jo urrejtja. Urrejtja për dikë mund të mos jetë cilësi e admirueshme (mbi bazën e ca kritereve, që unë nuk i bëj dot të mijat), por edhe sikur të ishte kështu, nuk do të shqetësohesha kushedi se çfarë.
Unë nuk jam engjëll. Për më tepër, nuk besoj fare tek engjëjt. Nuk jam as si Jorge Mario Bergoglio apo si ndonjë “çoban” tjetër grigje që, në mos për një rekuizitë të tyren shpirtërore, të paktën ex officio, nuk mund të urrejnë. Nuk kam as ndonjë simpati për ata që s’dinë të urrejnë kur është rasti që duhet urryer. Madje, kam përshtypjen se shumë njerëz, për të demonstruar një epërsi putative në planin spiritual, e fshehin faktin që urrejnë. Mirëpo, është ky stërmundim për t’i dhënë vetes faqe botës një fytyrë të dytë që i bën shpirtërisht të dobët, e që i bën të vuajnë po shpirtërisht. Është vuajtje të duash ta shprehësh një sentiment, sidozot urrejtjen, e të mos mundesh. E nuk e di pse e fshehin. Nëse janë besimtarë, Zoti ua lexon edhe kur e fshehin. Nëse nuk janë besimtarë, atëherë duhet të jenë të ndershëm me ndërgjegjen e tyre.
Ka zgjyra në këtë botë që duhen urryer. Urrejtja është humane, madje aq humane sa në ndonjë rast nuk do ishte gabim që t’i bënim një modifikim “të vogël” shprehjes së njohur karteziane, dhe të thoshim: unë urrej, ergo sum. E kjo s’ka lidhje me intelektualin. Unë nuk them se të gjithë intelektualët urrejnë diçka apo dikë (nuk e di këtë), por jam i sigurt që një intelektual mund të urrejë, dhe me këtë nuk e njollos fare intelektualitetin e tij, përkundrazi, i jep pak ngjyrë e force”, shkruan Nano për “Shqip”. Ai thotë ndërkohë, se nuk është penduar për thirrjen e tij të famshme, që të mblidhen gjithë “qelbësirat” kundër Berishës. “Agroni thotë në shkrimin e vet se e urrej (prapë tek urrejtja) edhe korrupsionin qamet. Duke e përgëzuar Agronin për mendimin e mirë që ka për mua, e refuzoj këtë medalje, megjithatë. E vërteta është se ma shpif fakti që korrupsioni është shndërruar në një flamë. Kjo po. Por nuk më pëlqejnë më betejat etike. I kam bërë njëherë e një kohë këto beteja, dhe doja që t’i mposhtja të tjerët me armën e ndershmërisë, por ka ikur ajo kohë. Nuk kam më nerva, ndoshta as moshë, të bëj beteja të tilla. E ç’është më e rëndësishmja, nuk mendoj se e kam atë certifikatë apo ato kredenciale virgjërie që ia jepja vetes. Ia kam dhënë vetes pa të drejtë. Unë jam ushqyer qysh në krye të herës, prej gati 20 vitesh, nga ky rend i korruptuar gjërash. E dini? Ne, për një ethos/idiosinkraci tonën, jemi një popull i korruptueshëm, ndërsa në terma konkretë e aktualë jemi një popull tërësisht i korruptuar.
Më është mbushur mendja se të vetmit të pakorruptuar në Shqipërinë e këtyre kohëve janë romët, lypësit, ata që gërmojnë kazanëve, kurvat dhe të gjithë ata, të cilët nuk kanë pasur se si të korruptohen, ngaqë s’kanë pasur asgjë në dorë. Ndërsa unë jo. Unë kam pasur gjëra në dorë, unë kam pasur një foltore, një karrige në një studio televizive, një hapësirë në një gazetë, një rrogë të mirë, dhe unë prandaj jam një shkërdhatë e korruptuar, si gjithë të tjerët. E nuk ka rëndësi fare se ç’pasuri kam. Unë dhe kolegë të mi, jemi të korruptuar edhe kur jemi të varfër, jemi të korruptuar qoftë edhe për faktin që nuk kemi qenë në lartësinë e përgjegjësisë që buron prej rolit të intelektualit publik, që kemi marrë përsipër të luajmë. E ky rol, përsëris, nuk ka të bëjë me faktin, nëse urrejmë apo jo. Ky rol ka të bëjë me forcën e pasionin për të mbrojtur interesin e opinionin publik, për t’u bërë zëdhënës të shqetësimeve reale që kanë njerëzit, e për të denoncuar, dhe urryer (për të mbetur te “lajtmotivi”), gjithçka që me këto shqetësime, apo me këtë interes, nuk ka të bëjë. Berishën, sidozot. Dhe “aleancën e qelbësirave”, gjithashtu. Vetëm se, lidhur me këtë të fundit, më duhet të them që nuk jam penduar. Kam lexuar shpesh online që ma bëjnë këtë pyetje kur del në pah ndonjë zullum i këtyre që janë në pushtet: Jeni penduar që keni bërë apelin në favor të “aleancës së qelbësirave”? Jo, nuk jam penduar.
Në ndryshim nga shumë të tjerë, mua nuk më kanë zhgënjyer në asgjë këta të mazhorancës. Ata janë ata që unë kam pritur që të jenë. E prandaj, nuk ka se si të bëhem pishman. Sepse të bëhesh pishman, do të thotë që të biesh dakord me idenë se duhej të mbanim Berishën akoma në pushtet, ose që ta risjellim sërish, për herë të ntë në pushtet. Jeni çmendur? Vërtet e mendoni këtë gjë? Tani, shqiptarët çdo gjë mund të bëjnë, edhe mund ta risjellin sërish në pushtet (një popull tërësisht i korruptuar të gjitha mund t’i bëjë), por unë uroj që kjo të mos ndodhë, gjë që nuk do të thotë se jam i kënaqur me këta. Joooo! Si mund të jem i kënaqur? Kjo është dhe arsyeja që e kam hapur gojën e kam bërë kritika qysh në momentet e para, pasi kjo mazhorancë zuri të punojë.
Por po e bëj të qartë: këto kritika nuk kanë të bëjnë me faktin që jam bërë pishman. Këto kritika kanë lidhje me respektin për punën që bëj, e me pritmëritë që mund të kenë për ne ata që na lexojnë e na ndjekin”, shkruan Muç Nano.









