Moderatori i emisionit “Provokacija” në ABC News, Mustafa Nano, në monologun e tij mbrëmjen e sotme ka folur për dy vajza të ekranit, moderatoret sportive Bora Zemani dhe Ilda Bejleri.
Monologun e nisi me Bora Zemanin, drejtuese e një emisioni sportiv në SuperSport. Por, Nano ndalet tek veshja e saj, konkretisht te fustani tepër i shkurtër. Muç Nano imagjinon situatën e nderë në studio kur Bora Zemani do të ulet në karrike me fustanin e shkurtër që ka veshur, dhe këtë pjesë e krahason me sekuenca nga filmi “Basic Instinct” i Sharon Stone.
“Vajza që po shifni në ekranin e studios quhet Bora Zemani dhe është moderatore e një programi televiziv sportiv në SuperSport. Dhe që është program sportiv kuptohet sepse kemi dhe Dritan Shakohoxhën në fotografi. Prapa shpinës së Bora Zemanit është një ndenjëse, është ndenjësja e moderatores dhe unë jam i sigurtë që momemtin që Bora Zemani do të tentojë të ulet në ndenjësen e vet, sytë e të ftuarve në studio, sytë e panelistëve që janë që janë ftuar aty për të komentuar eventin futbollistik të radhës, do të përqëndrohen te zona ku fundi i fustanit të shkurtër të Borës takohet me këmbët e gjata të bukura, të drejta, të cilat me siguri do të kryqëzohen në stilin e Sharon Stone në filmin “Basic Instinct”.
Ju kujtohet Michale Dougllas dhe aktorët e tjerë të këtij filmi, që aty në rolin e policave të San Francisco ndodhen përballë Sharon Stone, e cila është duke bërë atë kryqëzimin e famshëm të këmbëve.
Eshtë kryqëzimi i këmbëve më i famshëm në historinë e kinemasë. Ju kujtohen pamjet e atyre policëve, e aktorëve në rolin e policëve? Fytyrat e tyre ishin të shkrehura, të ngrira, të topitura. Ata ishin pa gojë! Ja kështu i përfytyroj edhe unë të ftuarit e programit të Bora Zemanit, teksa kjo e fundit ulet në ndenjësen e vet dhe teksa fundi i fustanit të shkurtër bën vaki që t’i bëjë ndonjë lojë tinëzare, të pabesë dhe të zbulojë kodin sekret të “bombës nukleare”. Ka diçka që nuk shkon në këtë histori”, monologon Nano.
Por gazetari flet edhe për një vajzë tjetër që moderon një emision sportiv në SuperSport, Ilda Bejlerin. Ai tregon shembullin konkret e disa ditëve më parë kur po shikonte në televizor emisionin e saj pas ndeshjes.
Fustani i saj, thotë Mustafa Nano, ishte aq i shkurtër dhe i ngjitur pas trupit, saqë dukej si këmishë nate e futur në mish. Dhe një veshje e tillë, shton drejtuesi i emisionit “Provokacija”, nuk mund të jetë kurrsesi një veshje dinjitoze për një emision televiziv, saqë edhe të ftuarit i vendos në situata të sikletshme dhe provokative.
Të shtunën e shkuar në mbrëmje, unë po shihja ndeshjen Napoli-Roma, e cila përfundoi 2 me 4. Por rezultati i ndeshjes nuk ka asnjë rëndësi në arsyetimin që unë po bëj. Dhe pas ndeshjes ishte programi “Zona Gol”. Është një program që drejtohet nga një vajzë tjetër, quhet Ilda Bejleri, e cila atë mbrëmje ishte veshur në mënyrën më të gabuar të mundshme.
Unë nuk kam asnjë pamje të Ilda Bejlerit atë mbrëmje për t’jua treguar tani, sepse SuperSporti mesa duket nuk e ka bërë zakon që t’i hedhë në web, në Youtube, programet e veta televizive. Por unë po ju them se veshja e Ilda Bejlerit ishte e trishtueshme, ishte vulgare, ishte e pashijshme. Gati-gati ishte fyese. Një fustan si këmishë nate shumë i shkurtër, shumë i ngjitur pas trupit, tmerrësisht i ngjitur pas trupit. Aq sa unë po mendoja se ajo copa e fustanit ishte e futur në mish, gjinjtë që kishin kërcyer përpara në mënyrë të panatyrshme, aq sa unë po mendoja që ato gjinj ishin duke shpuar ekranin dhe do binin në shtëpinë time, në dhomën e ndenjies.
Do ishte alamet serendipity. Unë jam shumë i sigurtë që Bora Zemani, Ilda Bejleri dhe vajza të tjera të moshës së tyre që bëjnë programe televizive në Shqipëri, sa herë që kanë ditën e programit harxhojnë shumë kohë në garderobën e tyre përpara pasqyrës sepse duan të vishen në mënyrë të tillë që ta provokojnë audiencën në atë farë feje, sa njerëzit mos ta kenë mëndjen te ato që thotë Sul Mema me shokë, por ta kenë mendjen te modestitët e gruas (kështu i quajën myslimanët), të cilat në këtë rast shpalosen në mënyrë spektakolare, nuk janë as modesti.
Kjo nuk është veshje televizive. Një moderatore televizive, sipas meje, nuk duhet të vishet në këtë mënyrë. Dhe këtë po ua thotë një burrë që nuk e ka problem fare një vajzë gjysmë të zhveshur, që nuk e ka problem fare nuditetin femëror. Përkundrazi, gjëja më e bukur që unë kam parë në jetën time është një nudo femërore. Duhet të jenë të shumtë në këtë botë burrat si unë. Ne duam që ta shijojmë një nudo femërore në rrethana të tjera.
Ne duam ta shijojmë një nudo femërore në fotografitë e bëra nga Helmut Njuton. Por jo në një studio televizive ku flitet për futboll, sepse një studio televizive është një studio televizive. Nuk është një lokal ku bëhet striptizë! Ky ishte monologu që unë kisha përgatitur për sonte”, mbyll monologun e tij gazetari Mustafa Nano. /tvklan.al