Mushkolaj pas përplasjes live me Berishën: Duhet të jesh i krisur që të akuzosh të tjerët, por…

Si rrallë herë mbrëmjen e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha teksa ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus” u zu ngushtë me pyetjet e gazetarit Imer Mushkolaj.

Debati u përshkallëzua me tej duke kaluar në akuza të forta ndaj njëri-tjetrit. Lidhur me ketë ai ka reaguar serish ditën e sotme.

Nga Imer Mushkolaj

 

Do të duhej të mjaftonte vetëm një rast i vetëm, si ai i zhdukjes së Remzi Hoxhës, që Sali Berisha të zinte vend në mesin e njerëzve më mizorë të politikës. Do të duhej që vetëm ky rast të mjaftonte, që ai të jepte përgjegjësi, morale e politike, së pari para familjes Hoxha, e më pas para gjithë Shqipërisë. Por, jo. Berisha nuk e bëri këtë asnjëherë, përkundrazi, u përpoq të shfajësohej e t’ua mvesh përgjegjësinë të tjerëve, ndërkohë që vetë ishte në krye të shtetit, me gjithë aparatin e dhunës në duar. Dhe bëmat e tij, si rasti i tmerrshëm Hoxha, nuk janë të pakta. Zënë fill qysh herët në vitet ’90, atëherë kur erdhi në pushtet. Atëherë kur vodhi zgjedhjet, për t’u bërë me çdo kusht president, atëherë kur në Shqipëri burgoseshin njerëz të celulave të para të UÇK’së, atëherë kur thyente embargon ndërkombëtare për ta furnizuar me naftë regjimin e Slobodan Milosheviqit, atëherë kur Shqipëria u dogj e mijëra njerëz u vranë në luftë civile për shkak se lejoi firmat piramidale. Dhe vazhdojnë me të vërtetat e përbotshme të vdekjes së njerëzve në Gërdec e vrasjes së protestuesve në bulevard. Ka të tjera bëma, sa të duash, që lidhen me afera korruptive, keqpërdorime e keqqeverisje.

Përkundër të gjitha këtyre, shqiptarët ia dhanë shansin që t’i qeveris sërish, për tetë vjet me radhë, periudhë kjo gjatë të cilës bëri edhe punë të mira. Dhe tash, kur ShBA’të e kanë vënë në listë të zezë, e kanë shpallur peron të padëshirueshëm, armik, ai ka zgjedhur të shkatërrojë Partinë Demokratike. Fatin e tij personal ai po provon ta shesë si fat të demokratëve, madje edhe fat të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Ai e ka hallin e vet dhe të familjes së tij, nuk ka hall tjetër. Këtë e dinë të gjithë, pavarësisht se nuk duan ta pranojnë.

Të vërtetat dinë të jenë të dhimbshme, të hidhura, por prapëseprapë janë të vërteta dhe duhet të thuhen publikisht, pavarësisht se me kë kanë të bëjnë. Ashtu siç duhet thënë edhe Sali Berishës.

Përtej ekzaltimit që mund të ngjall ende tek masat e militantëve e përkrahësve, ai e ka për obligim që të paktën tash, në fund të karrierës së tij politike, të marrë përgjegjësinë për njollat e zeza që ka në biografi. Por jo që duke u përpjekur t’i arsyetojë veprimet e veta të dëmshme, kriminale, ta fyejë një popull të tërë.

Kështu ndodhi së fundi, kur në një intervistë ai pranoi se e kishte shkelur embargon ndaj Slobodan Milosheviqit dhe e kishte furnizuar me naftë, por këtë e kishte bërë për hir të Kosovës. Sipas tij, tokat e kosovarëve kishin ngelur pa punuar për mungesë nafte, andaj ai e kishte bërë këtë shërbim. Përveç se është një rrenë që madhe, kjo deklaratë është edhe një fyerje e madhe për qytetarët e Kosovës. Në atë kohë, kur i ndihmonte me naftë, Milosheviqi në Kosovë mbillte frikë, dhunë e represion, ndërkaq arat e Bosnjës dhe Hercegovinës i “mbillte” me kufoma civilësh të pafajshëm.

Është e kotë të provosh të arsyetosh diçka që nuk mund të arsyetohet. Vetëm bëhesh përallë më shumë dhe zhytesh edhe më thellë në fajësinë tënde. Ashtu siç po vepron Berisha.

Sali Berishën e njohin të gjithë – jo veç për bëmat, por edhe për akuza e sulme monstruoze ndaj të gjithë atyre që ia thonë të vërtetat në sy. “Gogoli” me të cilin ai përpiqet t’i frikësojë e t’i diskreditojë kundërshtarët dhe kritikët është Serbia. Serbia, e cila tash udhëhiqet nga ish-ministri i Milosheviqit, të cilin ky e furnizoi me naftë në kohën e luftës në Bosnjë. Serbia, me të cilën Berisha ka madje edhe lidhje familjare.

Duhet të jesh i krisur që të akuzosh të tjerët, për atë çfarë je vetë. Por, Berisha nuk e ka dert. Ai vepron me maksimën “rrej sa të mundesh, se diçka mbetet” ose “fëlliq sa të mundesh, se diçka mbetet”. Tash, kur zyrtarisht është shpallur antiamerikan, ai e ka humbur arsyen e shëndoshë, e ka humbur edhe atë pak racionalitet që ka pasur. I është kthyer sërish logjikës “le të digjet gjithçka, vetëm të shpëtoj unë”.

Dhe, përnjëmend, nëse nuk kanë ndodhur rastet e Remzi Hoxhës, thyerjes së embargos, ‘97’ta, Gërdeci e 21 janari në kohën e Sali Berishës në pushtet, kritikët e tij do të duhej të tërhiqen nga jeta publike. Ndërkohë që ai do të duhej të ishte tërhequr me kohë dhe do të duhej dhënë përgjegjësi.

 

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com