Tre personat e maskuar që grabitën me armë rreth 2.5 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë te Stacioni i Trenit në Tiranë mbeten të panjohur. Prokuroria e Tiranës ka vendosur pas më se 10 muajsh hetime, pezullimin e çështjes dhe dërgimin e saj për zbulim autori në Policinë e Shtetit.
Lajmi është bërë me dije nga burimet e organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjatë hetimeve të kryera për dhjetë muaj, me gjithë detyrat e lëna Policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, nuk është arritur të identifikohen personat që grabitën me maska dhe me armë filialin e bankës. “Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gjurmë e tre personave të armatosur që kanë dalë nga tuneli dhe kanë rrëmbyer katër thasët me para”, kanë thënë burimet nga hetimi.
Sipas tyre, edhe nga pamjet e kamerave ka qenë e pamundur identifikimi i autorëve pasi ata kanë qenë të maskuar mirë. Po kështu edhe në makinën e policisë private që autorët rrëmbyen për të ikur nga vendi i ngjarjes, nuk është gjetur asnjë gjurmë apo shenjë identifikuese e tre personave. Makina në fjalë u gjet e braktisur rreth një orë pas ngjarjes së ndodhur më 13 shkurt 2015, në zonën e Bathores, ndërsa mjetet e policisë u aksidentuan në ndjekje të saj. Për këtë arsye, prokuroria ka vendosur pezullimin e hetimeve dhe delegimin e dosjes në Polici “për zbulim autori”.
AKUZA PËR POLICËT
Ndërsa autorët e marrjes së parave nën kërcënimin e armëve ende nuk janë zbuluar, prokuroria ka vendosur nën akuzë efektivat e policisë private që ishin ngarkuar me ruajtjen e parave që do nxirreshin jashtë Shqipërisë. Javën e fundit, tetë efektivave të policisë private u është njoftuar akuza “shpërdorim detyre”. Nën akuzë janë vendosur shefi i sigurisë së bankës, Qirjako Taçe, dhe shoqëruesi i vlerave monetare të bankës, Robert Felaj.
Po kështu, sipas Prokurorisë, të pandehur janë marrë edhe 6 efektivët e eskortës së kompanisë private, të pandehurit Isuf Gjici, Artan Dervishi, Dritan Duka, Saimir Nikoci, Ilir Syla dhe Tomorr Hidri. Ata akuzohen se nuk kanë marrë masat ekstreme të sigurisë, duke neglizhuar kontrollin e zonës përreth bankës, hyrjet e pallatit, si dhe garazhin ku ishin fshehur grabitësit.
VJEDHJA
Ditën e ngjarjes, mjeti i blinduar, si dhe mjeti i eskortës, të drejtuar nga Tomorr Hidri dhe Artan Dervishi, janë vendosur përballë me hyrjen e tij dhe në distancë me tunelin, duke krijuar hapësirën e nevojshme për kryerjen e veprimeve nga personat e armatosur. Ata kanë dalë nga tuneli, kanë marrë paratë dhe më pas janë larguar.
Policët privatë, Tomorr Hidri dhe Artan Dervishi, sipas akuzës, nuk kanë qenë në vendet e tyre të drejtimit të mjeteve, por kanë qenë të angazhuar me transportimin e vlerave monetare dhe nuk kanë kryer asnjë veprim për të ndaluar personat e armatosur, madje kanë lehtësuar kryerjen e veprimeve për personat e armatosur, pasi u kanë siguruar këtyre të fundit mjetin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe hapësirën për t’u larguar. Policët privatë nuk kanë reaguar në asnjë rast kundrejt veprimeve të personave të armatosur./Panorama