Kinë, Rusi, Amerikë, Lojë e Vjetër, Strategji e Re. Refleksione për zhvillimet e fundit gjeostrategjike dhe vendin e Shqipërisë…
Në botë po ndodhin zhvillime dinamike dhe me shpejtësi të madhe, veçanërisht pas 20 janarit 2025, kur Trump hyri në zyrë si President i 47 i SHBA. Pothuajse kudo në Perëndim vihet re hutim deri në çoroditje; lëshohen flluska, si ajo e Sholc-it dje dhe e sekretarit britanik pardje, që më shumë duken se bëhen nga zori sesa si reagim për zgjidhje. Ndërkohë, Britania vazhdon të bëjë skifterin më agresiv kundër Rusisë dhe pro Ukrainës. Edhe Ursula e Komisionit të BE-së duket në atë linjë, sikur po kërkojnë luftë në emër të mbështetjes për fitoren e Ukrainës. Kjo e fundit është përdorur si “mashë” deri tani, në ndjekje të strategjisë të dikujt tjetër.
“Si diplomat i përfshirë direkt në marrëdhëniet ndërkombëtare, në kapacitet nacional dhe ndërkombëtar prej disa dekadash, jam përgatitur të shqyrtoj periudha, zhvillime, vende dhe konflikte me sy të ftohtë. I lejoi vetes të drejtën të bëj vetëm disa observacione politike, strategjike që nxjerrin në pah edhe identitetin tim shqiptar, dhe një evropian normal, pa pasione politike. Mund të etiketohem si anti- ky, anti- ai, anti- kësaj ose anti-asaj. Nuk është ashtu.
Ndjekja ditore e dinamikave ndërkombëtare dhe analiza e tyre me gjakftohtësi ndihmon që të shihen më qartë zhvillimet. Është ndihmuese që zhvillimet e sotme të vendosen në një kontekst më të gjerë, duke parë me kujdes cili do ishte ai antidot i fortë ndaj një ekzagjerimi histerik që bëjnë triumfalistët, qeveritarë ose jo, si dhe mediat e kontrolluara nga qeveritë dhe që kanë harruar profesionin e gazetarit. Jemi në periudhën kur duhet menazhuar dështimi dhe jo rivendosja e madhështisë (të dikurshme).
Kjo që përjetohet nuk ka filluar në 2022, as në 2014, as në 1991, pavarësisht të vërtetave që bartin këto vite. Duhet shkuar më pas në histori, në fillimet e shek. 19-të, pas saj në Luftën e Krimesë (1853-1856); synimi ishte: bllokim i Rusisë që ajo ketë dalje në Detin e Zi, kur Lord Parlmerston qe Sekretar i Jashtëm dhe Kryeministër i Britanisë e më pas.
Është shkruar për strategjinë (Spykman, 1942: 182) që, në themel, ka pasur dominimin e Euro-Azisë nga periferia (Evropa Perëndimore, Lindja e Mesme dhe Azia Lindore). Britania do kontrollonte bregun perëndimor të kontinentit të Euro-Azisë, SHBA do organizonte mbrojtjen nga Japonia për të kontrolluar bregun lindor të Euro-Azisë. Gjeografi politik Makinder pat folur para 100 vitesh për sundimin e Euro-Azisë (që e quante “pivot area”, zona zhtyllë) nga ana e detrave periferikë. Më vonë ajo u bë mendimi dominues strategjik i SHBA, si dhe hyri, me formulime të kujdesshme, edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (1988).
Strategjia e sigurisë e Amerikës pas 1990 ishte dominimi botëror. Presidenti B. Bush pat deklaruar, „Me mirësinë e zotit, Amerika e fitoi Luftën e Ftohtë… lideri i Perëndimit u bë edhe lideri i botës” (20 janar 1992). Rikthehem në histori.
Mbretëresha Viktoria e Britanisë të Madhe vdiq në 1991, kur Perandoria Britanike ishte në kulmin e saj, sepse sundonte çerekun e botës dhe afro gjysëm miliard njerëz. Me të shoqin, Princ Alberti i Saxe-Coburg and Gotha, patën 9 fëmijë. Pas vitit 1914, tre nipat e Viktorias: Kaiser Vilhelmi II, Perandori i Fundit i Gjermanisë dhe Mbreti i Prusisë, Mbreti George V i Britanisë dhe Car Nikola II i Rusisë, u futën në luftë me njeri-tjetrin vetëm për dominim territorial! Lufta e Dytë Botërore, me tmerret e saj, mori atë dimension pas hyrjes të Anglisë në luftë, sepse ajo ishte Fuqi Botërore. “Asgjë nuk lind në vakum”, ose “nihil fit ex nihilo” (Asgjë nuk bëhet nga asgjë), thonin latinët. Sot ndodh ajo që shohim, por që ka rrënjë në të kaluarën e largët dhe, fatkeqësisht, për të njëjtat motive. Fatmirësisht, me ardhjen e Presidentit Trump, politika amerikane po sillet me shpejtësi në linjë me realitetet politike dhe strategjike, po bisedohet midis të mëdhenjve”.
Duke ndjekur logjikën tuaj, mbyllja e shtigjeve ndaj Rusisë, përpjekjet për të moslejuar që ajo të dalë në det në veri, në jug, në lindje, etj., ka lidhje me ç’ka shohim. Në këtë linjë shkon edhe ruajtja dhe ndjekja e politikës dominuese, e hegjemonisë, unipolaritetit, veçanërisht pas mbarimit të Luftës të Ftohtë deri në ditët e sotme.
“Ruajtja e hegjemonisë unipolare ka si objektiv parësor “të mos lejohej dalja e një rivali të ri”, të mos lejohej të ringjalleshin aleatët dhe grup-shtete (si Gjermania dhe Japonia). Për të ruajtur dominimin dhe për të forcuar unipolaritetin, strategjia kërkonte që të mos lejoheshin përplasjet, të bëhej çmos që shtetet vasale të ishin të varura për çështjet e sigurisë, “të mos lejohet që barbarët të bëhen bashkë”, sipas Bzezinskit.
Kjo linjë çoi tek zgjerimi i NATOs, që Rusisë i rrudhi mundësinë e lidhjeve në brigjet perëndimore, nga shtetet balltike, në Detin e Zi dhe në Arktik. Vazhduan përpjekjet për këputjen e fijeve lidhëse Rusi-Ukrainë, ato me Gjeorgjinë, Detin Kaspik dhe Azinë Qendrore. Objektivi: ndarja e Euro-Azisë nga Rusia dhe nga Kina. Ai objektiv nuk u mbështet nga zhvillimet.
NATO, domethënë Amerika, dështoi të merrte Krimenë dhe të përdorte Ukrainën për t’a përzënë Rusinë nga Deti i Zi, si në 2014, ashtu edhe sot. As idetë për një lidhje energjitike përmes Gjeorgjisë dhe Detit Kaspik nuk ndihmuan që Perëndimi të futej në Azinë Qendrore.
Gjeorgjia, kur miratoi ligjin “për agjentët e huaj” dhe shtyu procesin e negociatave për integrim me BE për tre vjet, me gjithë presionet dhe ndërhyrjet e BE-së, nuk lejoi që të përdorej si “mashë” për t’u përplasur me fqinjin të saj në veri, Rusinë. Gjeorgjia nuk ka marrëdhënie diplomatike me Rusinë, por mbajti mirë parasysh si u përdor Ukraina për të goditur dhe dobësuar Rusinë. Synimi është më i gjerë, përfshirë të mos lejohej futja dhe zgjerimi i ndikimit të Rusinë dhe Kinës në Euro-Azi.
Partneriteti strategjik Kinë-Rusi ka rëndësi të veçantë sepse zvogëlon rëndësinë e dominimit detar të SHBA. Për këtë arsye kanë filluar disa iniciativa: korridori tokësor dhe detarë përmes Iniciativës të Rrugës dhe Rripit (BRI); korridori Lindje-Perëndim, Korridori i Transportit Rrugor Veri-Jug (INSTC) në bashkëpunim me Iranin dhe Indinë, Rruga Detare e Veriut (NSR) përgjatë Arktikut, etj. Edhe zhvillimi i industrive strategjike, e qendrave teknologjike alternative, e sistemeve të bankave dhe pagesave në monedha nacionale, është pjesë e kësaj strategjie”.
Me lëvizjet që bëhen, sa thatë më lart, a nuk duket se Kina dhe Rusia kanë interesa që ngjajnë me një lloj dominimi hegjemonist të tyre, ndonëse disi të butë? A nuk është e njëjta strategji? A nuk mund të cojë kjo në përplasje, mos sot, nesër?
“Kina nuk ka as interes, as synim, për të imponuar sistem hegjemonist që, sipas Brzezinskit, do të krijonte “ekuilibër varësie”. Për Rusinë duket se bëhet mirë që Kina të jetë fuqia ekonomike në Euro-Azi. Ndërkohë, ajo bën kujdes të mos pranojë hegjemoni kineze edhe pse pranon që Kina është fuqia ekonomike atje. Prandaj Rusia ka diversifikuar lidhjet ekonomike me zonën e Euro-Azisë që e ndihmon të evitojë varësinë e tepruar nga Kina.
Po të ishte Kina hegjemoniste, do të punonte që të ndërpriste lidhjet midis, për shembull, Rusisë dhe Indisë. Ndërsa Kina mbështet multipolaritetin dhe i ndihmon këto vende, si në BRICS, ashtu edhe në SCO (Organizata e Bashkëpunimit e Shangait). Sipas Kinës, gjithë vendet duhet të lejohen të ndjekin rrugën e tyre të zhvillimit. Kjo është në kundërshtim të plotë me retoriken e një fuqie hegjemoniste. Rusia bashkohet me këtë linjë”.
Është dëgjuar shpesh, “ne” dhe “ata”, “ose me mua, ose me ata”, “kampi i mirë, kampi i keq”. Ka përplasje qëndrimesh ndërmjet disa grupe shtetesh. Nëse vijon kjo mendësi, nuk do të ketë fitues, por do ketë vetëm humbës. Ata që do të vuajnë pasojat do të jenë popujt.
“Dinamikat që ecin bashkë me kohën, përfshirë konfliktet e nxehta, si lufta Rusi-Ukrainë, në Lindjen e Mesme, tensionet në Azinë e Largët, në Detin e Kinës Jugore, etj., kanë ndryshuar thellësisht raportet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë përplasje, sa shoh, nëse nuk do të harrohet pozicionimi “ne” dhe “ata”, “të mirët dhe të këqijtë”, që prej kohësh është kthyer në çështje ideologjike, bota do përballet me probleme edhe më të mëdha, sepse shumica e globit preferon multipolaritetin kundrejt unipolaritetit.
Dominimi për të qenë i parë në nivel global është siguruar përmes aleancave në kohë paqe dhe konflikteve të përhershme. Politika e blloqeve i ka shërbyer interesit për të pasur përçarje, për shembull, midis Kinës dhe Indisë, midis arabëve dhe Iranit, midis Euro-Azisë dhe Rusisë. Një politikë e tillë nuk mund të mos e shihte botën të ndarë në aleatë plotësisht të varur kundrejt armiqve të dobësuar! Pavarësisht mendimeve të ndryshme, edhe kundërshtuese për këtë çështje, zgjerimi i NATO-s solli si pasojë ringjalljen e politikës të blloqeve në Evropë. NATO e sheh zgjerimin edhe si model për t’u eksportuar në pjesë të tjera të botës, për shembull, duke hedhur sytë në Lindjen e Largët, në Azi!”
Është folur dhe përsëritur për “rendin e bazuar mbi ligje”! Duket se me këtë përqasje, aspekti hegjemist sikur sfumohet.
“Një analizë e kujdesshme sugjeron sesi Euro-Azia po ndjek politika dhe lidhje shumëdrejtimëshe, duke ruajtur autonomi më të madhe. Është fakt që Euro-Azia ofron një multilateralizëm më real përkundrejt politikës konfrontuese të blloqeve. Njihet se kinezët nuk i bëjnë presion shteteve që të zgjedhin midis “nesh” dhe “atyre”, “këtë sistem apo atë sistem”, ajo nuk thotë “bëj kështu, bëj ashtu”. Kinezët nuk përdorin ultimatume, sanksione, prandaj edhe shihen si partner më i pranueshëm dhe më i leverdisshëm. Në këtë kuadër, “rendi i bazuar në ligje” është thjesht trillim hegjemonist. Ky formulim nuk ka lidhje me të drejtën ndërkombëtare (konventa, traktate, rezoluta, rregullore). Cilat ligje, kush i vendosi, kur dhe ku u vendosën, në cilin forum, cilët vende morën pjesë në diskutime, ç ‘qëndrime patën, si u morën vendimet për ato ligje? etj. Shkurt: “ligj është ai që kam bërë unë për ta zbatuar ti!”
Prandaj, sa vjen e shtohet numri i vendeve që duan të hyjnë në BRICS. Arsyet: së pari, shohin një grupshtetesh që janë anti-hegjemoni; së dyti, nuk duan që të bashkohen me një grupim anti-perëndimor; së treti, duan të zhvillojnë tregtinë dhe ekonomitë e tyre dhe ndërmjet tyre pa presione; së katërti, nuk është kundër perëndimit, por alternativë e tij. Multipolariteti synon t’i japë fund politikës të blloqeve pa krijuar blloqe rivale.
Epoka e unipolaritetit ka disa kohë që ka nisur rrugën drejt përfundimit, ajo sa vjen e më shumë i takon të kaluarës, pavarësisht nëse të pëlqen ose jo. Në këtë dinamika, sa më shumë bëhen përpjekje për të ruajtur „si me thonj“ atë që ishte, aq më shumë do shohim përpjekje për t’u larguar nga hegjemonia.
Realisht nuk shoh sesi SHBA do të arrijë sukses të rivendosë vendin primar në botë, që kanë pasur deri tani. Ndërkohë, shoh se ata mund të përfitojnë më shumë duke pranuar realitetin dhe një rol disi ndryshe në një sistem shumëpolar. Shtetet kanë më shumë përfitim kur nuk drejtohen nga ideologjia, por nga realiteti, zhvillimet dhe interesat konkrete faktike, me përfitim të përbashkët. Inkurajimi dhe zbatimi i një ekuilibri kolektiv është në të mirën e të gjithëve. Shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, nuk mundet të mos e shohë veten si “një ndër disa fuqi të mëdha” në një sistem multipolar. Lëvizjet e shpejta të administratës të re amerikane tregojnë qartë se është kuptuar mirë realiteti politik dhe strategjik, se në çdo kohë është vetëm mirë të bisedosh, të flasësh, sic po bën Presidenti Trump”.
Situata e sigurisë dhe ajo ekonomike për rrjedhojë, duket se është jo si më parë, por është cënuar, veçanërisht në Evropë.
“Marrëveshjet për sigurinë inkluzive pan-evropiane dhe pandarshmëria e sigurisë, të miratuara në disa forume disa vite më parë, u abandonuan. U kalua në zgjerimin e aleancës ekskluzve ushtarake që rilindi logjikën e Luftës të Ftohtë. Evropa përpiqet të gjejë toruan e humbur, të përcaktojë sa forcë ka realisht, ku duhet të hiqen vijat e reja ndarëse ushtarake dhe të sigurisë. Kjo e fundit, është më shumë se vetëm ushtarake.
Rezultati: një kontinent në rrëmujë, më pak i begatë, me ekonomi të dobësuar ndjeshëm, gati në recesion, shumë më i varur politikisht dhe ekonomikisht, etj., një kontinent gjithnjë e më pak i rëndësishëm, siç dëshmojnë fakte kryeneçe, të dukshme, pavarësisht retorikës të shvleftësuar dhe agresivitetit deri qesharak të Ursulas. Fuqia e vërtetë është fuqia ekonomike. Nëse mungon, ajo duhet rifituar. Ky proces duket se ka filluar për një arkitekturë të re politike që është në proces.
Evropianët prej dekadash janë futur nën mbrojtjen e SHBA! Deri sa kohë, me sa dhe me çfarë? Ndërkohë, mungon pothuajse krejtësisht vizioni strategjik i saj. A duhen diversifikuar lidhjet ekonomike, tregëtare, kulturore, etj.; a duhen rritur dhe forcuar ato në tërë kontinentin dhe më gjërë, a duhet t’i jepet fund politikës të blloqeve? Po – është përgjigja që i shërben të gjithëve. Angazhimi i plotë ndaj Evropës nga vetë Evropianët, në radhë të parë, mund të ofrojë siguri reale, përfshirë përmes pjesëmarrjes konkrete, me vepra, jo fjalë, në politikën e përbashkët të mbrojtjes evropiane. Nuk do të jetë më si deri tani. Kjo u bë e qartë nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA para dy ditësh!”
Marrëdhëniet ndërevropiane kanë marrë të çara prej kohësh. Njihen qëndrimet e Kryeministrit hungarez Orban, të Kryeministrit sllovak Fico, të disa të tjerëve, është reale rritja e lëvizjes të djathtë dhe e largimit nga politikat e majta në një Evropë gjithnjë e më autokratike nën Ursulën, njihet përbërja e re e grupeve të partive në Parlamentin Evropian.
“Harmoninë “e rigjetur” Francë-Gjermani pas dekadash përpjekje për t’i futur shkopa në rrotë, e shoh si shprehje e ndjenjës evropiane, pavarësisht se ajo harmoni kërkon miratimin, ndonëse edhe në heshtje, të kombeve të tjerë evropianë. Sa më e qëndrueshme kjo harmoni, aq më mirë për evropianët. Disa qeveri që mund të shihen si në periferi të sistemit evropian kanë mbetur disi mbrapa për t’u ndërgjegjësuar për rëndësinë strategjike të entitetit të ri evropian, që ende nuk është i plotë!
Flet vetë situata brenda BE-së, në rajonin tonë dhe marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin. Në mungesë të vizionit strategjik, të mosthënies të vërtetës se nuk ka unitet në BE për të integruar Ballkanin Perëndimor, përdoren akrobaci dhe aforizma krejtësisht pa shije, si “përpjekje për të sjellur Ballkanin më afër me BE”, siç tha Marta Kos, edhe Tajani, në një mbledhje para disa ditësh në Romë. Marta dhe Tajani duket ende se mendojnë që nuk kuptohet se “për t’a sjellur më afër” nuk është njëlloj si të thuhet “për t’a futur, integruar Ballkanin në BE”. Fliten broçkulla për të na mbajtur ngrohtë, por në distancë sigurie, te dera.
Më direkt tek pyetja juaj. Nuk duhet harruar se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet Parisit, Berlinit dhe Moskës nga mesi i viteve ‘90 e më pas u bë për të mirën e Evropës, të Rusisë, të të gjithëve. Ai iu bë edhe për arsye të disa veprimeve të SHBA. Ai afrim ishte disi shqetësues për disa vende të Evropës lindore që kishin dalur nga dominimi i ish-Bashkimit Sovjetik. Arsyet dihen dhe për këtë duhet treguar mirëkuptim. Ndërsa agresiviteti, rusofobia e shfrenuar, deri në patho-ideologjike, është e pakuptimtë, e pajustifikuar sot.
Një Evropë pa marrëdhënie të mira me Rusinë nuk mund të jetë e qetë dhe në paqe, ka pasë thënë Helmut Kol. Ka ende kohë që Evropa të ndryshojë kurs dhe të zgjedhë në drejtim politikanë ndryshe, jo dështakë, si dhe të përshtasë modelet e suksesshme ekzistuese në Evropë, duke hyrë në marrëveshje inkluzive shumëdimensionale përfshirë, pikë së pari, me një arkitekturë të re të sigurisë evropiane të negociuar dhe miratuar bashkërisht, çliruar nga pesha e rëndë e pluhurit të dy shekujve më parë”.