Komiteti i Emergjencave Civile u mblodh këtë të martë, 6 janar pas situatës me motin e keq. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se reshjet intensive do të vijojnë në orët në vijim. Ndërsa sipas IGJEO-s, ato do të jenë prezente deri më 8 janar.
“Reshjet intensive do të vijojnë në orët në vijim, ndaj AKMC ka kërkuar gatishmëri maskimale nga të gjitha qarqet e vendit, sikundër një koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe kompanive shtetërore të energjisë”, tha ai.
Situata më e rënduar duket në Durrës dhe në Lezhë. Vengu bëri me dije se 10 familje janë evakuuar në Durrës dhe Sukth.
Ndërkohë në Lezhë kërkoi një përqendrim të forcave pasi pritet të ketë një rritje të kuotës së lumit në Gjadër.
“Presim rritje të kuotave në orët në vijim, duhet të pasohet me rritjen e mjeteve në atë zonë që të jemi pranë banorëve në çdo moment”, tha ai.
Sa i përket Kaskadës së Drinit, ai tha se situata po mirëmenaxhohet nga KESH-i.
“Që dje kanë filluar shkarkime të kontrolluara. Jemi në kushtet ku situata është e kontrolluar”, tha ai.
Sipas ministrit të gjithë hidrovorët janë në funksion të plotë ndërsa u bëri thirrje institucioneve vendore që të njoftojnë në kohë reale të gjithë nevojat.
“Mbetemi në gatishmëri në terren dhe do bëjmë përditësime periodike që publiku të jetë sa më i informuar për zonat ku ka rrezik të shtuar”, tha ai.











