Christopher Hill, ish-ambasadori amerikan në detyrë në Shqipëri në vitin 1991, gjatë një interviste për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin Opinion, ka rrëfyer çfarë ndodhi kur erdhi për herë të parë në Tiranë.
Ai është diplomati i parë amerikan i emëruar në Shqipëri dhe së fundmi ka publikuar një libër që flet më së shumti për fundin e mandatit të tij në Irak.
Pavarësisht se kanë kaluar 34 vite nga zbritja e tij e parë në Rinas, Hill thotë se shqiptarët nuk kanë ndryshuar dhe vijojnë të jenë shumë mikpritës.
“Mendoj se përshtypja e parë më 1991 është përshtypja e parë e njerëzve më 2025, ajo e njerëzve shumë mikpritës dhe shumë miqësorë dhe shumë mbështetës”, tha ai.
Ai tregoi më tej se ambasadën e parë të SHBA-ve e vendosën në një dhomë të Hotel Dajti, teksa ngjitur me të ishte edhe rezidenca e tij. Ai rrëfeu edhe takimin me Ramiz Alinë dhe fjalinë që i tha një qytetar në Kavajë.
Blendi Fevziu: E mbani mend takimin e parë që patët në Shqipëri si diplomat amerikan?
Christopher Hill: Takimin e parë? Shkova te Ministria e Jashtme sigurisht ku u takova me Roland Bimon, i cili ishte përgjegjës për Amerikën…
Blendi Fevziu: I cili më pas u bë ambasadori shqiptar në Amerikë.
Christopher Hill: Saktë. Takimi i parë i vërtetë ka qenë me Ramiz Alinë. U takova me…
Blendi Fevziu: E mbani mend Ramiz Alinë?
Christopher Hill: Po.
Blendi Fevziu: Si ishin diskutimet me të?
Christopher Hill: Është interesante. Bëhet fjalë për 1991. Flas me të dhe mendoj: Mos është gjë ndonjë figurë si Mikhail Gorbachev? Ishte e qartë që ai nuk ishte Enver Hoxha.
Blendi Fevziu: Po ashtu ama, mendoj se nuk ishte as Gorbaçovi.
Christopher Hill: Po, nuk ishte as Gorbaçovi. Kur vjen në një vend të ri si Shqipëria… Ne kishim në fakt disa amerikanë që vinin që prej pranverës së 1991, por në thelb askush nuk dinte gjë për Shqipërinë. Çdo gjë ishte e re për ne. Pra, përpiqesh të mësosh se si funksionon sistemi. Ishte një surprizë e këndshme kur pamë se si funksiononte Ministria e Jashtme. Kishte një tavolinë pune për Amerikën dhe gjëra të tilla…
Blendi Fevziu: Megjithatë njerëzit ishin shumë të entuziazmuar për Shtetet e Bashkuara. Imagjinoni, ata ishin në presionin e propagandës për 46 vite. Por njerëzit nuk i harruan Shtetet e Bashkuara.
Christopher Hill: Kjo ishte shumë e qartë. Shkova në Kavajë. Më duket se shkova në atë verë dhe mbaj mend se fola me një grumbull njerëzish që ishin mbledhur në një shesh.
Blendi Fevziu: Kjo nuk është diçka e zakonshme për një diplomat.
Christopher Hill: Jo! U ngrita dhe mbajta një fjalë si politikanë edhe pse nuk isha i tillë. As tani nuk jam politikan. Mbaj mend se më vonë erdhi dikush dhe më tha: mos na lini më!
Blendi Fevziu: Mos na lini më!
Christopher Hill: E mbaj mend. Iu referua faktit që u larguam në 1946 dhe nuk u kthyem deri më 1991.











