Nga Astrit Patozi
Unë vetë jetoj në një apartament të zakonshëm dhe të thjeshtë në Tiranë, si shumica e shqiptarëve të tjerë. Por nuk dua kurrësesi që dhuna e pakontrolluar apo turmat e eksituara nga urrejtja apo qëllimet e tjera t’u vënë flakën pronave apo pallateve të atyre, që kanë shumë më tepër se unë.
Sepse për pronën publike, e cila na përket të gjithëve, as vihet fare në dyshim që më dhimbset, kur e shoh të shkatërrohet.
Madje nuk e kam fare kompleks të them se nga kjo dëshirë për të mos parë keq nuk përjashtoj, as sarajet e Surrelit te Edi Ramës, apo vilat, ku flitet se jeton Lulzim Basha.
Lëre më pastaj kur flitet për ata shqiptarë që merren me biznes dhe janë bërë të pasur në këto vite, për të cilët kam respektin dhe konsideratën time me të lartë.
Ajo që më bën shumë përshtypje këto ditë është fakti se nxitësit më të mëdhenj të dhunës së egër në protesta janë njerëz, që nuk para bëjnë pjesë tek shqiptarët e zakonshëm.
Por që në shumicë i përkasin asaj kategorie, që ka shumë më tepër se të tjerët për të humbur, të cilët jo domosdoshmërisht mund të jenë politikanë.
Dhe me dhimbsen shumë, kur i shoh në këtë degradim, që u vjen ngaqë u janë verbuar sytë nga urrejtja ose padurimi për ta parë apo pasur pushtetin afër prapanicës së tyre.
Saqë po jetojnë me keqkuptimin e çmendur se atë luftë, të cilën po e presin me padurim, duke e yshtur me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, do ta shikojnë vetëm nga televizori./a.p