Në një kohë, ne nuk guxonim as të pëshpërisnim. Tani ne shkruajmë dhe lexojmë samizdat (kopje dorëshkrimesh të ndaluara), dhe nganjëherë mblidhemi në dhomën e duhanit në Institutin e Shkencave ku i ankohemi çiltërsisht njëri-tjetrit: Çfarë lloj rrengjesh po na kurdisin dhe ku po na tërheqin zvarrë? Mburrje të panevojshme për arritje kozmike kur kemi kaq shumë varfëri dhe rrënim në shtëpi.
Të mbështesim regjime të largëta, të pacivilizuara. T’i bëjmë fresk luftës civile. Ne e ushqyem pa hesap Mao Ce Dunin në dëmin tonë- dhe do të jemi prapë ne që do të dërgohemi në luftë kundër tij, dhe do të na duhet të shkojmë. Dhe ata çojnë në ndjekje penale këdo që dëshirojnë dhe vënë njerëzit e ndershëm në spitale për të çmendur-gjithnjë ata dhe ne përsëri jemi të pafuqishëm. Gjërat kanë arritur pothuajse fundin e durimit. Një vdekje shpirtërore universale na ka prekur tashmë të gjithëve dhe vdekja fizike do të flakërojë shpejt dhe do të na tresë ne dhe fëmijët tanë— por si më përpara ne ende buzëqeshim në një mënyrë të frikshme dhe belbëzojmë me gjuhët e lidhura. Por cfarë mund të bëjmë për ta ndaluar këtë? A nuk kemi forcë?
Ne jemi çnjerëzuar kaq pa shpresë saqë për një racion modest të së sotmes, do të hiqnim dorë nga të gjitha parimet, nga shpirti ynë dhe të gjitha përpjekjet e paraardhësve tanë dhe të gjitha shanset për pasardhësit gjithashtu — vetëm që të mos trazonim ekzistencën tonë të brishtë. Ne na mungon besimi në vetvete, krenaria dhe entuziasmi. Madje nuk kemi frikë as vdekjen nukleare universale dhe as një luftë të tretë botërore gjithashtu. Ne tashmë kemi gjetur strehim në skuta. Kemi frikë vetëm nga aktet e kurajës civile.
Kemi frikë të mbetemi prapa kopesë dhe të bëjmë një hap vetëm dhe papritur pastaj të gjendemi pa bukë të bardhë, pa gaz për ngrohje dhe pa leje banimi në Moskë.
Jemi indoktrinuar në kurse politike dhe po në të njëjtën mënyrë ishte farkëtuar ideja për të jetuar pa andralla dhe gjithçka do të jetë mirë për pjesën e jetës që na ka mbetur. Ju nuk mund t’i ikni mjedisit tuaj dhe kushteve sociale. Jeta e përditshme do ndërgjegjësim. Çfarë ka kjo të bëjë me ne? A s’mund të bëjmë pa të?
Po, ne mundemi — çdo gjë. Por ne gënjejmë veten për këtë siguri. Dhe nuk janë vetëm ata që duhet të fajësohen për çdo gjë— por ne vetë, pikërisht ne. Dikush mund të kundërshtojë: Na kanë futur tapa në gojë. Askush s’do të na dëgjojë dhe askush nuk na pyet. Si mund t’i detyrojmë ata të dëgjojnë? Është e pamundur t’ua ndryshojmë mendjen.
Do të ishte e natyrshme t’i nxjerrim nga zyra me votë — por nuk ka zgjedhje në vendin tonë. Në Perëndim, njerëzit përdorin grevat dhe demonstratat e protestës— por ne jemi shumë të shtypur dhe kjo është një perspektivë shumë e zymtë për ne: Si mundemi ne befas të heqim dorë nga puna dhe të dalim në rrugë? Megjithatë, rrugët e tjera fatale të kërkuara gjatë shekullit të kaluar nga historia jonë e hidhur ruse janë, prapëseprapë, jo për ne dhe vërtet nuk kemi nevojë për to.
Tani që sëpatat kanë bërë punën e tyre, kur çdo gjë që u mboll ka nxjerrë filiza të reja, mund të shohim që të rinjtë dhe njerëzit fodullë të cilët mendonin se do ta bënin vendin të drejtë dhe të lumtur përmes terrorit, rebelimit gjakësor dhe luftës civile, ishin mashtruar. Jo faleminderit, baballarë të edukimit! Tani e dimë se metodat famëkeqe prodhojnë me shumicë produkte famëkeqe. Mos na i ndotni duart!
Qarku – a është i mbyllur? Dhe a ka realisht ndonjë rrugëdalje? A ka vetëm një gjë që na ka mbetur për të bërë, të presim pa ndërmarrë ndonjë veprim? Mbase diçka do të ndodhë vetvetiu? Kurrë nuk ka për të ndodhur për sa kohë sa në përditshmërinë tone, ne nuk do të ndahemi prej aspekteve të saj më të perceptueshme: Gënjeshtrave.
Kur dhuna ndërhyn në jetën paqësore, fytyra e saj skuqet me vetë-besim sikur po mbart një parullë dhe një thirrje: “Unë jam dhuna. Largohuni, më hapni rrugë— Do t’ju shtyp.” Por dhuna vjetërohet shpejt. Ajo e humb besimin tek vetvetja dhe me qëllim që të ruajë sedrën, ajo thërret falsitetin si aleatin e saj — meqë dhuna i shtrin putrat e saj të rënda jo çdo ditë dhe jo mbi çdo sup. Ajo kërkon prej nesh vetëm bindje për gënjeshtrat dhe pjesëmarrje të përditshme në gënjeshtrat e saj— e gjithë besnikëria qëndron aty.
Dhe çelësi më i thjeshtë dhe më i përdorshëm për çlirimin tonë të vetë-neglizhuar gjendet pikërisht këtu: Mospjesëmarrje personale në gënjeshtra. Megjithëse gënjeshtrat fshihen pas çdo gjëje, megjithëse gënjeshtrat përqafojnë çdo gjë — por jo me ndihmën time.
Kjo hap një të çarë në qarkun imagjinar të shkaktuar nga mosveprimi ynë. Kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë por më shkatërruesja për gënjeshtrat ose mashtrimet. Sepse kur njerëzit i refuzojnë gënjeshtrat, kjo thjesht ua shkurton ekzistencën. Si një infeksion, ai mund të ekzistojë vetëm në një organizëm të gjallë.
Nuk e shtrëngojmë veten. Akoma s’na është krijuar bindja e mjaftueshme për të marrshuar në sheshe dhe për t’u çirrur për të vërtetën apo ta shprehim me zë të lartë atë që mendojmë. Nuk është e domosdoshme. Është e rrezikshme. Por le të refuzojmë të themi atë që nuk e mendojmë.
Kjo është rruga jonë, më e thjeshta dhe më e mundshmja që merr në konsideratë frikën tonë të brendshme, tashmë të rrënjosur thellë. Dhe është shumë më e lehtë—është e rrezikshme madje ta themi edhe këtë —sesa lloji i mosbindjes civile që Gandi mbronte.
Rruga jonë është t’i ikim vijës të gangrenizuar. Nëse ne nuk i ngjisim bashkë kockat e vdekura dhe shkallët e ideologjisë, nëse ne nuk qepim bashkë rreckat e kalbura, ne do të çuditemi sa shpejt gënjeshtrat do të mbeten pa mbështetje dhe do të fundosen.
Ajo e cila duhet te jetë e zhveshur, do të shfaqej pastaj me të vërtetë e zhveshur përpara gjithë botës.
Kështu në ndrojtjen tonë, le të bëjmë secili një zgjedhje: nëse do të mbetemi një shërbyes i ndërgjegjshëm i falsitetit (natyrisht, kjo nuk vjen nga prirja, por për të ushqyer familjen, që të rrisim fëmijët me frymën e gënjeshtrave). Apo të shkundemi nga gënjeshtrat dhe të bëhemi një njeri i ndershëm që meriton respekt nga fëmijët e tij dhe bashkëkohësit.
Dhe që nga ajo ditë e në vazhdim ai/ajo:
Nuk do të shkruajë, firmosë apo shtypë në ndonjë mënyrë asnjë frazë të vetme që për mendimin e tij shtrembëron të vërtetën.
Nuk do të nxjerrë ndonjë frazë të tillë të pabesueshme as në biseda private as në praninë e shumë njerëzve, as në emrin e tij dhe as nën shtytjen e dikujt tjetër, as në rolin e propaganduesit, mësuesit apo edukatorit apo në një rol teatral.
Nuk do të përshkruajë, ushqejë apo shpërndajë asnjë ide të vetme të cilën ai e konsideron si të rreme apo shtrembërim të së vërtetës pavarësisht se mund të jetë në pikturë, skulpturë, fotografi, shkenca teknike apo muzikë.
Nuk do të citojë jashtë kontekstit verbalisht ose në mënyrë të shkruar asnjë citat të vetëm në mënyrë që të kënaqë dikë, të pasurojë dikë apo që dikush të arrijë sukses në punë nëse edhe ai vetë nuk ndan plotësisht të njëjtën mendim apo nëse kjo nuk pasqyron saktësisht çështjen për të cilën bëhet fjalë.
Nuk do t’ia lejojë vetes të detyrohet të ndjekë manifestime apo takime nëse ato janë në kundërshtim me dëshirën apo vullnetin e tij, nuk do të mbajë në duar apo të ngrejë lart një poster apo slogan për të cilin nuk bie dakord plotësisht.
Nuk do të ngrejë dorën për të votuar për një propozim të cilin nuk e simpatizon sinqerisht,
Nuk do të votojë as hapur as fshehur për një person të cilin e konsideron të pavlefshëm apo me aftësi të dyshimta.
Nuk do t’ia lejojë vetes të tërhiqet zvarrë për të marrë pjesë në një takim ku mund të pritet një diskutim i sforcuar apo i shtrembëruar për një çështje.
Do të dalë menjëherë jashtë nga një takim, leksion, shfaqje apo film nëse dëgjon një folës që tregon gënjeshtra, thotë dokrra ideologjike apo bën propagandë të paturpshme.
Nuk do të abonohet apo blejë një gazetë apo revistë në të cilën informacioni është i shtrembëruar dhe faktet kryesore janë fshehur.
Sigurisht se ne nuk kemi listuar të gjithë deviacionet e mundshme dhe të domosdoshme nga falsiteti. Por një person që e pastron veten do të dallojë lehtë shembuj të tjerë me këndvështrimin e tij personal.
Jo, kjo nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë në fillim. Disa në fillim edhe mund të humbasin punën. Për të rinjtë që dëshirojnë të jetojnë me të vërtetën, kjo mënyrë sjellje do ta komplikojë jetën e tyre sepse dërdëllitjet e kërkuara janë të mbushura me gënjeshtra dhe është e domosdoshme për të bërë një zgjedhje.
Por nuk ka rrugë të tjera për dikë që dëshiron të jetë i ndershëm. Në një ditë të caktuar, secili prej nesh do të përballet me të paktën një nga zgjedhjet e lartpërmendura madje edhe në më të sigurtën e shkencave teknike. Ose të vërtetën ose falsitetin: drejt pavarësisë shpirtërore apo drejt robërisë shpirtërore.
Dhe ai që nuk është mjaftueshëm kurajoz që të mbrojë shpirtin e tij- mos e lër të jetë krenar për pikëpamjet e tij “progresive’ dhe mos e lër të mburret që ai është një akademik apo artist, figurë e merituar apo gjeneral- t’i thotë vetes: Unë jam pjesë e kopėsë dhe jam një frikacak. Është e njëjta gjë edhe për mua me qëllim që të ushqehem dhe mbahem ngrohtë.
Madje edhe kjo rrugë, e cila është më modestja e të gjithë rrugëve të rezistencës, nuk do të jetë e lehtë për ne. Por ajo është shumë më e lehtë sesa vetë-flijimi apo greva e urisë. Flakët nuk do të përfshijnë trupin tuaj, vetullat nuk do t’ju digjen nga i nxehti dhe bukën e zezë dhe ujin e pastër do t’i keni gjithnjë në familjen tuaj.
Një popull i madh i Evropës, çekosllovakët, të cilët ne i kemi tradhëtuar dhe mashtruar: A nuk na kanë treguar ata sesi një gjoks i rrezikuar mund të qëndrojë edhe përballë tankeve nëse ka një zemër të denjë brenda saj?
Ju thoni se kjo nuk do të jetë e lehtë? Por do të jetë më e lehta nga të gjitha mjetet e mundshme. Nuk do të jetë një zgjedhje e lehtë për një trup por është e vetmja për një shpirt. Nuk është një rrugë e lehtë. Por ka tashmë shumë njerëz, madje me dhjetëra, të cilët në vite kanë mbajtur këto parime dhe kanë jetuar për të vërtetën.
Prandaj nuk do të jeni i pari që do ta merrni këtë rrugë, por do t’iu bashkoheni atyre që e kanë ndërmarrë tashmë. Kjo rrugë do të jetë më e lehta dhe më e shkurtra për të gjithë ne nëse e marrim me përpjekje të përbashkëta dhe në radhë të ngushta. Nëse jemi me mijëra, ata nuk do të jenë në gjendje të na bëjnë asgjë. Nëse jemi me dhjetëra mijëra, atëhere nuk do ta njihnim vendin tonë si do të shndërrohej.
Nëse jemi shumë të frikësuar, atëherë duhet të ndalojmë së ankuari se dikush po na merr frymën. Atehere do të përulemi edhe më shumë, do të qahemi dhe vëllezërit tanë, biologët do ta kenë më të afërt ditën që kur ata të jenë të aftë të lexojnë mendimet tona, ato do të jenë pa vlerë dhe pa shpresë.
Dhe nëse na ftohen këmbët, edhe duke ndërmarrë këtë hap, atëhere jemi me të vërtetë të pavlefshëm dhe të pashpresë dhe do ta meritonim shpotinë e Pushkinit:
Përse iu duhet bagëtive dhurata e lirisë?
Trashëgimia e tyre brez pa brezi është zgjedha dhe dajaku.(Përkthyer nga Kujtim Morina, dp)