Ardit Gjebrea rrëfehet në një intervistë për “Panorama Plus”, shpjegon keqkuptimet dhe jep detaje të ngjarjeve të fundit, të cilat e vunë në qendër të vëmendjes dhe kritikave.
Adhurimi është lartësues se të përafron më Zotin, ndërsa përbuzja është fyese, poshtëruese, e padurueshme… Si artist Ardit Gjebrea mund të ketë provuar ndjesinë e parë, por nën petkun e lypësit kuptoi se ç’do të thotë të jesh i dyti. Mjaftojnë 24 orë për të qenë ai tjetri dhe për të dalë më pas nga roli e për t’u kthyer te vetja, pasi ke reflektuar për jetën që është sa një kërcitje gishtat.
Por 24 orë me një personazh televiziv si Arditi nuk do të mjaftonin për të na rrëfyer anën tjetër të medaljes, atë që nuk e shohim dot në ekran, për të zgjedhur nëse është jeta që do të dëshironim apo do të refuzonim. Si një minifilm me parametrat e prodhimit të mirëfilltë kinematografik, Gjebrea solli këtë sezon televiziv histori njerëzore në “24 orë”, të cilat krijuan reaksion në publik e patën edhe shumë zëra kundër.
Për kontestuesit, Gjebrea thotë se të gjitha episodet e “24 orë me…” janë parë dhe studiuar me kujdes nga profesionistë të fushave përkatëse, para se të transmetoheshin në ekran. Është episodi më i komentuar i këtij sezoni, edhe pse për nga pesha televizive, të gjitha rubrikat që ai sjell brenda një të diele kanë formatin e programit të mirëfilltë në primetime.
Por çfarë e provokoi kaq fort audiencën dhe përjetimet që ka akumuluar nga izolimi i jetës brenda burgut e deri te liria e pavlerë si lypës në rrugët e Tiranës, Ardit Gjebrea vendos t’i rrëfejë për gazetën “Panorama” në këtë intervistë të parë në media, pas katër vjetësh. Vendosi të mos i shihte personazhet e tij nga lart, por të hynte në jetën dhe botën e tyre deri në skajet e mizerjes, siç ishte historia 24 orë me Marjan Rrokun, me skuadrën “Shqiponjat”, apo me një lypës.
Prej katër vitesh nuk ka dhënë asnjë intervistë, pasi gjithçka mundet ta thotë hapur në programin e tij “E diela shqiptare”. Por vëmendja që mori kësaj here me “24 orë me…” mund të shërbente si moment reflektimi për t’u rrëfyer për veten dhe jetën e tij. Një personazh kaq popullor në televizion, që di t’i bëjë të gjitha që nga kantautori e deri te gazetari, natyrisht që të intrigon për të mësuar më shumë rreth botës së tij…
Teksa e pyet për komentet e shumta pas intervistës, mes të cilave edhe që mori miliona për të, ai përgjigjet: “Janë dy kategori të përfshira në pyetjen tuaj. E para ndahet në: Ata të cilët nuk e kuptuan formatin “24 orë me…” dhe u kundërvunë, ndërsa të tjerët ashtu e menduan dhe u shprehën kundër. Sa për kategorinë e dytë që flasin për milionat, i them Zotit: “Fali, se nuk dinë se ç’thonë!”