Nga Arben Duka
Po të isha unë Kryeredaktori i gazetës “Dita”, as që bëhet fjalë t’ja botoja Pëllumb Kullës shkrimin denigrues: “Po vadisni hithrat e urrejtjes”! Nën petkun e një replike me kolegun tonë, Xhevdet Shehu, ai ka vjellë një vrer të pabesueshëm kundër gazetës dhe kundër gjithë neve që bëjmë këtë gazetë.
Unë nuk jam nga ata që them, se meqë s’më ka përmendur mua me emër Pëllumbi nuk e ka me mua dhe se unë jam një “prej emrave të paktë të nderuar që bashkëpunojnë me gazetën” (Citimi është marrë nga shkrimi në fjalë). Absolutisht që Pëllumbi e ka dhe me mua, me gjithë anwtarët e kolegjiumit, me gjithë redaksinë, biles dhe me shoferët që çojnë cep më cep Shqipërisë gazetën tonë “Dita”.
Vetëm kjo fjali e bën Pëllumbin vaditësin më të devotshëm të hithrave të urrejtjes. Sipas këtij paqeshpërndarësi, gazeta “Dita” ka shumë pak emra për t’u nderuar dhe shumë, po fare shumë emra për t’u urryer. Tani, meqë e kam hapur gazetën tek faqet pesë dhe gjashtë, shoh se sot janë për t’u urryer emrat e Arben Dukës, Rexhep Qoses, Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit.
Nëse do të hyjmë thellë me këtë llogaritje më e pakta do dalin njëqind emra që urren Pëllumb Kulla, jo pak për një paqeshpërndarës. Po mirë more qerrata Pëllumb, ti ke dy vjet që s’e lexon gazetën “Dita” dhe s’ke si të kesh informacionin e duhur se kush shkruan në të. Por po e ndihmoj unë në këtë çështje. Gazeta “Dita” ka vite që është më e shitura në treg, kjo për shumë arsye, por dhe për arsyen e thjeshtë se rreth “Ditës” janë bashkuar penat më dinjitoze të shtypit të shkruar shqiptar.
Për këtë arsye vetë Pëllumb Kulla, një autor me sqimë, zgjodhi këtë gazetë për të botuar shkrimet e tij shumë të mira, për rreth tre vjet. Si ka mundësi që ky paqeshpërndarës zgjodhi për veten e vet një gazetë “regresive”, “qëllimkeqe”, “frymëzuese të përçarjeve” dhe “mosmirënjohëse” (Citimet në thonjëza janë marrë nga shkrimi i Pëllumb Kullës). Do ishte çmenduri nga ana ime të merrja një për një dhe të rrëzoja këto epitete denigruese,po do ndalem pak tek “mosmirënjohja”. Pëllumbi e dinte fare mirë që ne ishim një gazetë e majtë, por prapë na zgjodhi pa paragjykim. Dhe ne e dinim që qe me prejardhje balliste, por prapë e botuam pa paragjykim.
Problemi është se kur Pëllumbi filloi të botonte tek ne, shumë shpesh, ne e kishim ndërtuar kështjellën plotësisht, kishim arritur të shisnim gati dyfishin e gazetës së dytë që vinte pas nesh. Kur erdhi Pëllumbi tek ne, gazeta ishte në kulmin e saj me ne “regresivët” dhe “nxitësit e përçarjeve”.
Do qe karshillëk nga ana ime, po të thoshja se Pëllumbi është krijues i dobët, por ardhja e tij nuk shtoi asgjë në kandarin e gazetës, por as e pakësoi atë. Thashë që ne e kishim mbaruar kështjellën pa shkrimet e Pëllumbit, ndaj dhe ikja e tij nuk ra fare në sy, biles unë sot e mora vesh se ai është divorcuar përfundimisht me ne.
Replika e Xhevdetit qe e butë dhe oportuniste. Ai nuk e kuptoi dot pse Pëllumbi citon Linkolnin dhe Frankon për të rënët në luftëra. Të dy ata flasin për spanjollë dhe amerikanë të rënë gjatë dy luftërave civile, luftëra që s’kanë asgjë të ngjashme me Luftën tonë Nacional Çlirimtare. Pëllumbi na e thotë larg e larg se dhe këtu ka pasur një luftë civile dhe jo antifashiste e nacional-çlirimtare, sipas tezave të ballistëve dhe zogistëve.
Ne i barazojmë ata me të mundurit ose të humburit, mbasi bashkëpunuan dhe u bënë një me pushtuesin. Ndaj ne u kemi thënë troç me emrin që kanë, tradhtarë dhe kolaboracionistë. Ndaj Pëllumbi nuk mund të jetë krenar me ballistët e fisit të tij, pasi vepra e tyre tradhtare nuk mund të bëjë kërrkënd krenar. Po këndvështrimi i Pëllumbit ky, nuk është problemi i ynë. Në këtë linjë është dhe dilema e tij, se s’di kë të quaj hero Mark Dodanin, apo Hamit Matjanin.
Kjo dilemë, e një personaliteti si Pëllumb Kulla, është fyese për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Të mos jesh në gjendje të kuptosh se kush është terrorist dhe kush hero, në luftën kundër diversantëve,ballistë e zogistë të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, do të thotë ose je miop politik, ose je simpatizant i çdo lloj antikomunisti, qofshin këta fashistë,diversantë,apo terroristë.
Si mund të mos jesh i qartë se ç’janë ata që vranë “komisarin e dritës”, Ndrec Ndue Gjokën, që vranë Cucën e Maleve dhe katër Heroinat e tjera vetëm pse qenë mësuese dhe përhapnin dritën e diturisë në errësirën shekullore të maleve tona. Diversantët,të cilët Pëllumb Kulla, guxon t’i mendojë si heronj, nuk vranë dot as Enver Hoxhën dhe as Mehmet Shehun, por vranë e masakruan bijtë dhe bijat e popullit të thjeshtë, si burracakë të ndyrë që ishin.
Ti quash terroristë këta pjella të liga, sipas Pëllumbit vadit hithrat dhe frymëzon përçarjet. T’i quash ballistët tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të armikun, prapë vadit hithrat e urrejtjes dhe je qëllimkeq mbasi i thua të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Historia e do që gjithëseicilit t’i vihet emri që meriton,që ndryshku të mos lyhet me bojë e varak.
Epo ne nuk jemi bojaxhinj. Je ti që na e rikujtove që ne jemi të dashuruar me Nëntorët, ngaqë jemi nga ana e partizanëve. S’është faji ynë dhe i gazetës sonë që ballistët nuk kanë ndonjë muaj, apo ditë të tyre. Pëllumb, ke bërë qitje me zjarr të përqendruar, por në tabelën e gabuar. Ke harruar që pikërisht në këtë gazetë qëllimkeqe të kam kushtuar një poezi-hymn?! Një regresist si unë, i ka kushtuar një poezi një progresisti si ty. Të dy në thonjëza.