Nga Prof. Ahmet Kamberi
Sa herë që një vend është gjendur para rrezikut të zhbërjes, kur rinia ka arritur ta kuptojë atë, ka guxuar të thotë JO! dhe i ka bërë ballë së keqes.
Sot, Shqipëria po përjeton çaste të rrezikshme për mbijetesën dhe identitetin e saj. Mogulët e së keqes e kanë lënë rininë në analfabetizëm të plotë, ose analfabetizëm funksional. Ata i kanë krijar rinisë të gjitha kushtet që të harrohet në vese, shthurje, seksizëm, e lakuriqësi, si edhe turli emisionesh e programesh televizive për t’i errur asaj sytë që të mos jetë e aftë të këqyrë ligësitë, paudhësitë e prapësitë e tyre shkatërrimtare.
Jo se kjo ndodh vetëm në Shqipëri, por këtu i kapërcen të gjithë kufijtë e imagjinatës.
Nga deformimi dhe vënia në letargji e rinisë ata nxjerrin dy përfitime të mëdha: rritjen marramendëse të fitimeve të veta dhe sigurimin e paprekshmërisë së mbizotërimit të tyre. Nuk është e vështirë të kuptohet sjellja e tyre ndaj interesit të përgjithshëm të popullit dhe ndaj identitetit, dinjitetit e interesit kombëtar, por kur rendet pa e vrarë shumë mendjen pas “Yjeve të mëdhenj”, ndriçimi i tyre të verbon dhe nuk sheh asgjë tjetër në botë përveç “Atyreve”. Dhe, kur në politikë gjenden vetëm jesmenë (yesmen, persona që dine vetëm të thonë PO!), por nuk gjenden të tjerë që të guxojnë të thonë JO! çdo gjë shkon qetë-qetë në mullirin e mogulëve.
Mjerisht, në historinë e Shqipërisë, ka plot shembuj individësh e mini grupimesh ose grupimesh që nuk e kanë përfillur interesin e përgjithshëm dhe as identitetin, dinjitetin dhe interesin kombëtar. Ky është një mallkim i vjetër, tejet i gjallëruar në Shqipërinë e sotme.
Pak histori
Individë dhe grupime njerëzish me botëkuptime të ndryshme dhe të kundërta ka pasur që kur njeriu u pajis me arsye. Lufta për ekzistencë dhe zotërim është zhvilluar me egërsi të llogaritur e të pallogaritur që nga ajo kohë. Më të fortët kanë triumfuar ndaj më të dobtëve duke i vënë ata nën zotërimin e tyre.
Ka ndodhur kjo fillimisht mes individëve njerëzorë dhe është zgjeruar me tej midis grupimeve më të vogla dhe të atyre më të mëdha për të përfunduar në krijimin e shteteve dhe zhvillimin e sistemeve ekonomiko-shoqërore nga më i ulëti te më i larti. Zhvillimi i njerëzimit nuk ka qenë as i njëtrajtshëm dhe as i njëllojtë, prandaj në kohën e sotme kemi dy grupime të mëdha shtetesh e vendesh: vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim. Prej këtyre të fundit, disa janë me zhvillim të ndërmjetëm, ku hyn edhe Shqipëria.
Në vendet e zhvilluara, të mëdha e të vogla, grupimet e mendimeve të ndryshme ose të kundërta kanë një karakteristikë të përbashkët: Interesat e vendit, dinjiteti dhe interesat kombëtare, në përgjithësi, mbizotërojnë mbi ato individuale ose ato të grupimit. Përpjekjen për mbijetesë, begatim e lumturi individi dhe grupimi i caktuar e kanë gjetur të realizueshme përmes zhvillimit, përparimit e begatimit të vendit të cilit i përkasin.
Në subkoshiencën e shumicës së individëve të këtyre vendeve, përmes zhvillimit historik, është rrënjosur se kjo është mënyra më e mirë edhe për begatimin e lumturimin e tyre. Kjo mendësi, ky botëkuptim është arritur përmes luftës së egër për mbizotërim, barazi e drejtësi, përmes shtypjes së egër e të pamëshirshme, kryengritjeve, revolucioneve e protestave të gjithfarshme, përmes arsimimit, letërsisë dhe artit.
Grupimi që ka ushtruar dhunë e shfrytëzim të forcës fizike e mendore të më të dobtëve ose të paditurve, ka ardhur duke bërë lëshim pas lëshimi ndaj kundërshtimit, luftës e rezistencës me forma të ndryshme të grupimit të shtypur. Kjo ka çuar në zhvillimin e një shkalle të lartë qytetarie, ku të gjitha grupimet shoqërore njëmendësohen në domosdoshmërinë e bashkëjetesës qytetare me marrëveshje, sepse brenda të njëjtit vend, grupimet e ndryshme ekonomiko-sociale dhe vetë individi, në përpjekje për të kërkuar dhe arritur begatimin e lumturimin e vet, kanë nevojë për njëri-tjetrin dhe për një ekonomi të zhvilluar.
Prandaj qytetari është i vetëdijshëm se duhet të pranojë dhe t’i nënshtrohet rregullave e ligjeve të cilat rregullojnë bashkëjetesën qytetare, si edhe të drejtat e liritë veta e ato të tjetrit. Ai e ka të qartë se në veprimtarinë e tij jetësore duhet të mendojë se përveç tij ka edhe të tjerë rreth e rrotull, prandaj ai në mënyrë të vetëdijshme, në përgjithësi, përpiqet të mos cenojë, ose të dhunojë të drejtat e liritë e tjetrit, ose ato të të tjerëve.
Megjithatë gjenden gjithnjë individë dhe minigrupime njerëzish që veprojnë sipas rregullave që vendosin vetë. Ka gjithnjë individë, që në saje të cilësive e karakteristikave të tyre individuale, fitojnë epërsi dhe fuqi. Individë të tillë dhe grupime të tilla njerëzish, luftojnë duke përdorur çdo mënyrë ekzistuese, ose që e shpikin për të ruajtur mbizotërimin dhe paprekshmërinë e tij. Ka një grupim tjetër që është i skamur dhe lufton për mbijetesë. Ka edhe një grupim të tretë të ndërmjetëm. Ky grupim lufton në dy drejtime: së pari për të arritur grupimin e kamur dhe së dyti, për të mos rënë në grupimin e skamur.
Në të tria këto grupime shoqërore, të gjithë përpiqen të mbrojnë interesat vetjake, si edhe ato të grupimit. Grupimi i kamur përdor energjitë mendore dhe burimet financiare për të shfrytëzuar energjitë fizike dhe ato mendore të individëve të dy grupimeve të tjera shoqërore për realizimin e pikësynimeve të veta: ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe mënjanimin e rrezikut të rënies.
Grupimi i ndërmjetëm përdor energjitë mendore dhe fizike e burimet financiare për arritjen e pikësynimeve të tij: ngjitjen më lart, ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe mënjanimin e rrezikut të rënies. Kurse grupimi i skamur përdor kryesisht energjitë fizike për të mbijetuar.
Ky grupim është subjekt manipulimi nga të dy grupimet tjera për ta vënë atë në shërbimin e tyre, ndonëse edhe grupimi i ndërmjetëm është vetë subjekt manipulimi nga grupimi i kamur. Secili grupim ekonomiko-social ka elitën e vet politike, e cila rreket të qeverisë energjitë e grupimit përkatës për të arritur pikësynimet e saj. Por edhe brendapërbrenda grupimeve dhe elitave të tyre politike ka kundërshti që lidhen me interesat më të ngushta.
Në vendet e zhvilluara kapitaliste shkalla e qytetërimit e individëve të saj është më e lartë. Qytetarët e këtyre vendeve manipulohen me më shumë vështirësi, por gjithsesi, nuk janë të pamanipulueshëm. Ata i njohin më mirë të drejtat dhe liritë e tyre individuale e grupore.
Ndërkohë, të fortët përpiqen të mos lëshojnë pe në dëm të mbizotërimit të tyre duke përdorur paratë, joshjet e gjithëfarëshme dhe çdo skutë të errët të ligjit.
Në sistemin e sotëm kapitalist kundërshtitë midis grupimeve ekonomiko-sociale, të cilat përfaqësojnë interesat e ndryshme klasore, gjejnë zgjidhje në një masë të përfillshme, përmes sistemit të demokracisë. Sistemi i demokracisë së shkallës më të lartë, në kohën e sotme, bazohet në qeverisjen përmes ligjit, respektimin e të drejtave universal të njeriut dhe lirive të tij, si edhe të zgjedhjeve politike periodike të lira, të drejta e të barabarta.
Jo se këtyre të fortët nuk gjejnë mënyra për tu bishtnuar. Sidoqoftë dashamirësia dhe solidariteti midis njerëzve janë të kufizuara. Krimi, droga, dhuna e mashtrimi i gjithëfarëshëm bëjnë punën e tyre.
Grupimet e ndryshme ekonomiko-sociale konkurrojnë, përmes elitave të tyre politike, me alternativa në mbrojtje të interesave të tyre grupore, por jo në dëm të interesit kombëtar, i cili përfaqson interesat e të gjithve. Nga ana tjetër, çdo rrekjeje për shfrytëzimin e energjive fizike dhe mendore të grupimeve më të dobëta, qoftë edhe përbrenda çdo grupimi të madh ekonomiko-social, ose rrekjes për kufizimin e të drejtave e lirive themelore të gjithëpranuara, më të dobëtit i rezistojnë me demonstrata, protesta paqësore, me letërsi e art e me forcën e fjalës së lirë të shprehur kudo që gjen hapësirë.
Në sistemin socialist, të përmbysur tashmë, ose në vendet ekzistuese që i përmbahen socializmit, demokracia ka një kuptim tjetër. Qeverisja përmes ligjit kufizohet nga kontrolli ideologjik; zgjedhjet e përgjithshme politike të lira, të ndershme, të drejta e të barabarta me alternative të ndryshme, zëvendësohen nga zgjedhje të përgjithshme të kontrolluara dhe me një alternative të vetme. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë të kufizuara. Kundërshtarët politikë trajtohen si armiq.
Kështu, në socializëm nuk ndryshojnë alternativat qeverisëse, por ndryshojnë vetëm njerëzit që marrin drejtimin e përcaktuar nga partia e vetme politike. Masat e gjera janë më lehtësisht të manipulueshme. Masat janë, gjithshtu, të disiplinuara. Energjitë e tyre mendore e fizike përdoren për zhvillimin e vendit me plane ekonomike. Ka gara për ta bërë më mirë, por nuk ka konkurrencë. Shpërblimi për punën është i standardizuar. Qytetarët kanë një standard jetese gati të padallueshëm nga njër-tjetri.
Askush nuk mund të pasurohet përtej standadit të përgjithshëm. Interesat e atdheut identiteti dhe dinjiteti i tij, sipas botkuptimit socialist, shpallen të shenjta. Korrupsioni është pothuajse jo ekzistues. Drogat dhe lojrat e fatit janë të ndaluara. Shmangia nga vija politike e partisë është e palejueshme dhe e dënueshme si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik e social, në letërsi e art. Qetësia publike është e garantuar. Puna është e garantuar për të gjithë, por pagat nuk lejojnë jetë luksi.
Arsimimi është i garantuar dhe i detyrueshëm deri në nivelin e mesëm. Solidariteti qytetar është i një niveli të lartë. Qytetarët e shohin njëri-tjetrin me dashamirësi, por jo me të njëjtin sy edhe të damkosurit nga partia e vetme politike si kundërshtar ose armiq të partisë.
Si kapitalizmi ashtu dhe socializmi kanë epërsitë, përparësitë dhe të metat e tyre. Asnjëri sistem nuk është përfekt. Por prirja e shumicës së njërëzve sot është që të gëzojnë më shumë të drejta dhe liri, prandaj preferojnë kapitalizmin.
Në vendet e pazhvilluara, ose me zhvillim të pakët, të mëdha e të vogla qofshin, shkalla e ulët e qytetarisë dhe injoranca është pengesa kryesore që e pamundëson demokracinë funksionale. Masat janë lehtësisht të manipulueshme. Manipulatorët nuk e kanë të vështirë të imponojnë fuqinë e tyre. Shfrytëzimi i enegjisë fizike dhe mendore të grupimeve më të dobëta është i shkallës më të lartë. Mundësitë për të frenuar dhunën e fuqisë janë më të kufizuara. Sistemi i demokracisë i nënshtrohet deformimeve të shumëllojshme. Përparimi i tyre është i vështirë dhe vështirësohet edhe më shumë nga vendet e zhvilluara, të cilat rreken të shesin influencat e tyre dhe të përfitojnë sa më shumë që të munden nga nga pasuritë dhe dobësitë e këtyreve.
Shqipëria – Shpërfillja e interesit të përgjithshëm, identitetit, dinjitetit e interesit kombëtar
Shqipëria bën pjesë në vendet me zhvillim të të ndërmjetëm, por me karakteristika të veçanta. Karakteristikat më tipike në Shqipërinë e sotme janë shpërfillja e interesit të përgjithshëm, identitetit, dinjitetit e interesit kombëtar; besimi i verbër ndaj vendeve të zhvilluara të fuqishme; kompleksi i pështirë i inferioritet e përulja e pacipë ndaj të huajve; si edhe vlerësimi i prerë i interesave vetjake ose të atyreve të grupimit ekonomiko-social të caktuar.
Këto janë disa nga karakteristikat më negative, të cilat kanë përcaktuar larminë e zhvillimit të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar që në krye të herës. Rrënjët e tyre janë edhe më të thella. Pushtimi turk i joshi shqiptarët me privilegjet që u jepte feja islame në Perandorinë Osmane. Ata kishin trashëguar një zgjedhje të mëparshme midis kishës së perëndimit dhe asaj të lidjes: katolikë e ortodoksë.
Por shumica e shqiptarëve të tjerë të tunduar nga përfitimet që u ofronin osmanët, zgjodhën të ndërronin fenë e të ktheheshin në myslimanë. Kjo zgjedhje e gabuar bëri të harronin se ishin shqiptarë, u vetidentifikuan si turq. Më të mirët prej tyre u bënë mbrojtës të flaktë të perandorisë që iu kishte pushtuar atdheun e vet. U derdhën gjithandej në shërbim të saj dhe e lanë vendin e tyre në errësirë.
Ndërkohë që popuj të tjerë të Ballkanit luftonin të ruanin identitetin e tyre, të shkollonin fëmijët e vet e t’i ushqenin me dashuri për vendin e tyre, shqiptarët më të zot ndiqnin lavdinë vetjake në shërbim të Perandorisë, kurse vendi i tyre “shijonte” privilegjet që ajo u kishte falur: vetëkënaqësinë e të qenit të privilegjuar në kurriz të mbetjes në errësirë, injorancë, prapambetje, pa gjuhë të vetën të shkruar e pa shtet të vetin.
Kur një grusht shqiptarësh të ndriçuar u lëshuan me gjithë forcën e tyre për të ndriçuar edhe bashkatdhetarët e vet, ata u gjendën para një muri të lartë me shqiptarë që e identifikonin veten si turq dhe donin të mbronin privilegjet e veta. Kur më në fund ata arritën të zgjojnë dhe më të tjerë, muri islamik shqiptar dhe i të vetidentifikuarve si grekë, i u bë pengesë për të shpallur Shqipërinë e Pavarur nga Perandoria që i kishte lënë në mjerim e gjumë për gati 500 vjet. Shqiptarit të lavdishëm, Skënderbeut që turqit i kishte bërë të vinin majën nga themrat, jo rrallë duke luftuar edhe kundër bashkatdhetarëve të tij të shquar që luftonin për Perandorinë kundër vendit të vet, i ishte harruar emri.
Kur më në fund, shqiptarët e ndritur arritën të shpallnin pavarësinë e vendit të vet, shqiptarët tjerë që e njihnin veten si turq, ose si grekë (ortodoksit), zgjodhën ta kundërshtojnë atë me të gjitha mënyrat. Shqipërinë e sapo zgjuar nga dremitja disashekullore e bënë përsëri çorap. Ruajtja e privilegjeve dhe e identitetit të tyre joshqiptar ishte më e rëndësishëme se pavarësia e atdheut.
Kishte lindur dhe lufta për parësi. Interesat kombëtare dhe identiteti e dinjiteti i shtetit shqiptar nuk kishin vlerë para interesave dhe ambicjes së tyre për parësi. Erdhën të huajtë t’i rregullonin, por edhe atyre ua gjetën anën dhe e bënë vendin lëmsh.
Kur mbaroi Lufta I Botërore dhe kufijtë e Shqipërisë viheshin në pikëpyetje, shqiptarë të njohur punonin kundër vendit të vet. Atyreve u mjaftonte një sofër vend që mund t’iu a lëshonin si kafshatë, për të ruajtur parësinë e vet.
Kur në vitet e para 1920, shqiptarë të shquar: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Zija Dibra e të tjerë, përpiqeshin të vendosnin një sistem demokracie perëndimore, një grupim konservatorësh zgjodhi ta shuante atë frymë me ndihmën e një fuqije të huaj dhe e realizoi atë.
Mbretëria
Kur një bej i zgjuar nga Mati, Ahmet Bej Zogolli, krijoi Mbretërinë Shqiptare të mbretëruar nga Mbreti Zog I, Shqipëria ra në një qetësi të shkurtër të realizuar përmes dhunës, dinakërisë, hileve, marifeteve dhe të rrekjeve me fuqinë e madhe fqinje përballë Adriatikut. Por shteti shqiptar u stabilizua. Kundërshtarët që synonin demokracinë morën arratinë. Përpjekja për qytetërim, gjithsesi, kishte nisur, por me hapa shumë të ngadaltë.
Prapambetja e “lumtur” nën Turqi, kultura primitive, injoranca, analfabetizmi nuk lejonin të bëheshin hapa të mëdha. Megjithatë, shqiptarëve filloi t’u zbehej vetëdija e të qenit turk. Ata që patën zgjedhur të vendosnin një sistem demokracie në Shqipëri qenë njerëz shumë të ditur, atdhedashës, të ndriçuar, ëndërrimtarë, por të pazot në qeverisje. Zogu, qe më i zoti se ata për këtë punë, dhe bëri të mundur një periudhë të shkurtër qetësie në këtë Shqipëri të gjorë që lëvizte me zor përpara, sepse kishte më shumë prapësi sesa mençuri.
Përpjekjet e Mbretit Zog I, për ta futur Shqipërinë në hullinë e zhvillimit ndeshën në pengesa të forta. Atij iu desh të përballej me tri vështirësi gati të pakapërcyeshme: mendësinë regresive të klasës së bejlerëve, kundërshtimin e demokratëve të shquar dhe pamundësinë financiare. Në përpjekje për t’i kapërcyer ato, me klasën e bejlerëve së cilës i përkiste, ai u rregullua me politikë; kundërshtarët e shquar demokratë i vrau; me pamundësinë financiare ai e pati shumë më të vështirë.
Fillimisht iu drejtua fqinjit që e ndihmoi të vinte në fuqi, Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, por ajo ishte keq për veten e saj, plus që kishte bërë marrëveshje të pakëndshme me të. Iu drejtua Lidhjes së Kombeve, por edhe ajo i ktheu krahët. Prandaj iu kthye fqinjit tjetër matanë Adriatikut, Italisë.
Kësaj i erdhi për mbarë, sepse kishte një synim të përjetshëm ndaj Shqipërisë. Ajo i dha ndihmën financiare të kërkuar, por me kushte qëllimqarta për të. Kur asaj i erdhi në shteg të kërkonte kthimin e borxhit, Mbreti Zog I e pa veten në kurth. Puna erdhi që më në fund, më 7 prill të vitit 1939, atij iu desh të përballej me financuesin e tij.
Përkundër natyrës së vet prej njeriu të guximshëm, që e kishte treguar në një numër ngjarjesh që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këndej, dhe përkundër betimit që ai kishte bërë me dorë mbi Kuran e Bibël, ai e la në baltë ushtrinë, popullin dhe vendin e tij. Ai ia mbathi jashtë vendit, duke bërë kështu zgjedhjen më të gabuar të mundshme. E, të pafalshme!
Shqiptarë, kundërshtarë të tij që kishin jetuar si të arratisur në Itali dhe që kishin ndihmuar në përgatitjen e pushtimit të atdheut të vet, u kthyen triumfues për t’u vënë në shërbim të kësaj fuqie të huaj pushtuese. Dhe sot kjo u njihet atyreve si meritë (!)
Pushtimi dhe Lufta Nacionalçlirimtare
Shqipëria e braktisur nga mbreti i saj dhe fuqitë e mëdha, pas një rezistence të mekur nga grupe individësh atdhedashës, u pushtua. Pushtimi i vuri shqiptarët para tri zgjedhjesh: o ta luftonin pushtuesin deri në shporrjen e tij, o ta mbështesnin e të bashkëpunonin me të, ose të zgjidhnin shih e prit. Një kategori shqiptarësh zgjodhi ta kishte mirë me pushtuesin, të bashkëpunonte me të edhe ushtarakisht dhe të priste të merrte pushtetin pasi pushtuesi të mundej nga të huajt.
Një kategori tjetër zgjodhi të rrinte urtë e të priste. Por rinia e këtij vendi zgjodhi të luftonte përkundër çdo sakrifice që t’i kërkohej. U bë një luftë e ashpër, heroike, Lufta Nacionalçlirimtare, së cilës iu bashkua shumica e popullit të Shqipërisë. Ajo u kurorëzua me fitoren kundër pushtuesit fashist italian dhe atij nazist gjerman. Kjo luftë e lavdishme, iu bashkua Luftës së Madhe Antifashiste të udhëhequr nga tri fuqi të mëdha, Britania, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik. Megjithëse të tria këto, si edhe Lidhja e Kombeve e fqinjët tanë, as e kishin hapur gojën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë dhe paralajmëroi agresionin e madh fashist edhe kundër vetë atyreve.
Lufta NÇ përfundoi me çlirimin e plotë të Shqipërisë, pa ndihmën e asnjë këmbe ushtari të huaj, por e ndihmuar nga aleatët antifashistë anglo-amerikanë me veshje e armatime. Në përpjekje për t’i angazhuar në luftë kundër pushtuesve, ata ndihmuan njësoj edhe ballistët të cilët kishin bërë edhe zgjedhjen e pafalshme të bashkëpunimit me qeverinë kukull, pjesëtarë të së cilës ishin disa nga krerët e Ballit Kombëtar; aktivistë të Ballit ishin vendosur gjithashtu në të gjitha nivelet e administratës së kësaj qeverie.
Kjo qeveri kukull, edhe me ministra ballistë, më 10 qershor 1942, për të zezën e Shqipërisë, njëherazi me Italinë fashiste, i shpalli luftë Britanisë së Madhe, e cila ishte tashmë në luftë me Gjermaninë naziste. Ky veprim i marrosur i asaj qeverie të mbështetur nga ballistët, natyrisht që do të kishte rezultuar fatal për Shqipërinë pas luftës. Për më tepër se britanikët, në planet e tyre, kishin mosnjohjen e pavarësisë së Shqipërisë pas luftës dhe copëtimin e saj, për t’i dhënë Greqisë Shqipërinë e Jugut dhe Jugosllavisë Shqipërinë e Veriut. Britanikët e ndjenin si detyrim këtë, sidomos për qeverinë aleate greke në mërgim.
Ata gjatë gjithë periudhës së luftës u konsultuan me të për çdo vendim lidhur me Shqipërinë. Kurse ballistët, zogistët e nacionalistët rrinin në pritje me mendjen se pas mundjes së Gjermanisë nga Aleanca Antifashiste do të merrnin pushtetin në një Shqipëri së cilës nuk e mendonin se i kishin përgaditur vdekjen me duart e tyre. Megjithatë, për hir të interesave të luftës kundër Gjermanisë naziste, veç ballistëve, aleatët ndihmuan edhe zogistët e nacionalistët veriorë, të cilët edhe kur nuk bashkëpunuan drejtpërsëdrejti me pushtuesit, nuk hodhën as edhe një plumb të vetëm kundër tyre, por kundër partizanëve dhe Ushtrisë NÇ, po!
Veçse, falë Luftës heroike Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ, Enver Hoxha, Shqipëria që shqiptarët gëzojnë sot, përfshirë edhe pasardhësit e atyreve të cilët me veprimet e tyre gjatë pushtimit do ta kishin zhdukur, u çlirua dhe u ruajt e paprekur, brenda kufijve që ajo kishte pasur para 7 prillit 1939, kur u pushtua nga Italia fashiste. Kësaj vepre madhështore, të gjithë shqiptarët të cilët mbi çdo tjetër çmojnë e adhurojnë atdheun e vet duhet t’i falen!
Çlirimi
Lufta e armatosur përfundoi, por Shqipëria u gjend para një lufte tjetër: luftës për ekzistencë. Aleatët kryesorë antifashistë, nuk e njohën Qeverinë e Shqipërisë të dalë nga Mbledhja e Beratit. Ata kërkuan t’i impononin asaj bashkëqeverisje me grupimet që e kundërshtuan luftën dhe mbështetën fashizmin, por që shprehnin simpatinë për ta. Kjo ishte paradoksale, por është e vëtetë.
Kuislingët dhe të tjerë që ndihmuan fashizmin, madje edhe kriminelët e luftës ata i morën nën mbrojtje me qëllim për t’i përdorur kur të vinte rasti. Britanikët, gjatë gjithë luftës, u përpoqën me të gjitha mënyrat për ta penguar fitoren përsëvetmi të Frontit NÇ, i cili udhëhiqej nga komunistët. Kur nuk mundën ta arrinin këtë, i vunë qeverisë së dalë nga zgjedhjet e përgjithshme politike, të pranuara edhe prej tyre si të lira, të drrejta e të barabarta, të gjitha pengesat e mundshme për ta detyruar të gjunjëzohej.
Kur nuk e arritën edhe këtë, i kthyen përfundimisht shpinën, e lanë në baltë, e lane të luftonte e vetme për mbijetesë dhe ende më keq u shndërruan në armiqtë e saj të rreptë. Britanikët kishin gjithashtu, edhe një inat të veçantë ndaj Enver Hoxhës, personalisht, i cili ua kishte djegur në dorë të gjitha planet që ata kurdisën për Shqipërinë gjatë luftës. Ish aleatët iu vunë pastaj rrëzimit të qeverisë së ligjshme të Shqipërisë me metoda e mjete terroriste. Për këtë paten ndihmën e zellshme të atyre shqiptarëve që bashkëpunuan me pushtuesin edhe morën pjesë në aksionet e armatosura kundër partizanëve e ushtrisë NÇ, por që pastaj ia mbathën së bashku me pushtuesin ose të ndihmuar prej tij. Por dështuan.
Pas këtij dështimi ish aleatët u mbajtën larg për 45 vjet.
Qysh gjatë luftës dhe pas saj, komunistët shqiptarë, kishin lavdëruar Bashkimin Sovjetik e Stalinin, duke besuar verbërisht se ai ishte vendi ideal, modeli i të cilit duhej ndjekur. Por Bashkimi Sovjetik (BS), nuk e kishte pasur fare në refene Shqipërinë as gjatë luftës dhe as pas mbarimit të saj. Ai njihte Jugosllavinë dhe nuk merakosej nëse ajo mund edhe ta gllabërote Shqipërinë, ashtu siç ajo po përpiqej të bënte.
Është e vështirë të besohet se në Konferencën e Jaltës harrimi i Shqipërisë ishte i paqëllimtë! Por Jugosllavia, megjithë prapaqëllimet e saj, ishte i vetmi vend me të cilin Shqipëria mund të merrte e të jepte n’ato vite kur gjendej në kushte asfiksuese. Kur BS u prish me Jugosllavinë, Shqipërisë iu hap rruga për t’u lidhur me vendin të cilin e kishin mësuar që ajo ta donte. Ajo kaloi përfundimisht në Kampin Socialist, i cili udhëhiqej nga BS.
Komunistët shqiptarë
Komunistët shqiptarë besuan se ata mund të ndërtonin socializmin në Shqipërinë e tyre primitive. Marksi kishte thenë se komunizmi do të triumfonte në vendim më të zhvilluar kapitalist. Lenini e kishte revizionuar këtë teori dhe kishte thenë se komunizmi mund të triumfonte edhe në hallkën më të dobët të kapitalizmit. Kominterni, organi drejtues i Internacionales Komuniste të udhëhequr nga BS, kishte menduar se socializmi mund të triumfonte edhe në një vend primtiv si Shqipëria.
Shqiptarët e rinj idealistë e përqafuan këtë teori dhe u rrekën ta zbatonin atë në praktikë në vendin e tyre me një prapambetje të pashoqe. Përmes një mobilizimi të fuqishëm të të gjitha energjive të popllit shqiptar dhe të një ndëshkimi të ashpër të atyre që përpiqeshin t’i pengonin, arritën ta transformonin rrënjësisht këtë vend primitiv. Ata udhëhoqën dhe morën pjesë drejtpërdrejtë në nxjerrjen e këtij vendi nga primitivizmi mesjetar, zhdukën injorancën, analfabetizmin, zakonet prapanike, kulturën paramesjetare të jetesës, zëvendësimin e pishës e kandilit me vajguri për ndriçim me energji elektrike deri në shtë pitë më skajore të vetmuara të vendit, e bënë arsimin e detyrueshëm deri në shkollën e mesme, e shpallën parazitizmin të ndaluar dhe i shëndetësuan shqiptarët përmes zhdukjes së malaries, minimizimit të sëmundjeve epidemike infektive e tuberkulozit, si edhe të modernizimit të kujdesit mjekësor e shëndetësor dhe shtrirjes së tij në të gjitha zonat e banuara të vendit.
Ata e prune vendin në prag të qytetërimit modern. Komunistët shqiptarë nuk qenë “monstra”, siç i quajnë sot, ata të cilët do të kishin qënë njëqind herë më të egër ndaj kundërshtarëve të tyre. Masa e komunistëve shqiptarë ishte idealiste. Ata nuk i shfrytëzuan mundësinë e tyre për pasurimin vetjak e të rrethit të tyre. Ata jetuan si gjithë të tjerët.
Ata e ngritën lart dinjitetin e vendit të vet dhe nuk lejuan as të poshtrohej e as të cënohej nga cilidoqoftë. Komunistët shqiptarë punuan e vepruan me moton “Të parët në sakrifica, të fundit në pretendime”. Ata punuan me vetmohim edhe kur e panë se me gjithë përpjekjet e tyre populli nuk ishte bërë i pasur dhe po shpreheshin pakënaqësi, duke shpresuar se udhëheqja e lartë do të gjente zgjidhjen e duhur. Por midis tyre u gjetën edhe plot komunistë të tejzellshëm, të cilët nxitën egërsimin e luftës së klasave, ndikuan në shtrirjen e saj edhe brendapërbrenda partisë dhe iu përveshën keqas çdokujt që rrekej ta zbuste atë. Këta komunistë të tejzellshëm ishin flamurtarë të të gjitha nismave politike dhe ekonomike që nuk shkuan në të mirë të popullit e vendit, por në dëm të tij.
Të përfshirë në vorbullën e Luftës së Ftohtë midis Kampit Socialit dhe atij kapitalist, duke mbrojtur si të shenjtë pavarësinë e vendit të vet, komunistëve shqiptarë iu desh të ndesheshin si me ish aleatët perëndimorë të shndërruar në armiq, ashtu edhe me miqtë e vet lindor të shndërruar në kundërshtarë, duke përfunduar në një izolim mbytës që çoi në frenimin e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-social të vendit. Kjo u ndihmua edhe nga pazotësia e tyre për tu bërë ballë kolegëve të vet të tejzellshëm, flamurtarë të ekstremizmit, për përfitim epërsie e lavdie vetjake.
Ishte pikërisht kjo skotë komunistësh të tejzellshëm që u bënë pengesë për gjetjen e zgjidhjes së duhur të problemeve që kishin lindur, në mënyrë që të ruhej e pacënuar çdo arritje e mundimshme e popullit të Shqipërisë. Kjo skotë komunistësh të tejzellshëm e nismëtar nismash të dështuara e të dëmshme politike e ekonomike, na rezultoi të kishte qenë skota e antikomunistëve më e egër, duke i lënë në bisht ata që kishin qenë kundërshtarë të shpallur të komunizmit.
Socializmi krijoi varrmihësin e tij
Mënyra se si funksionoi socializmi në Shqipëri çoi në arsimimin e gjithë popullit, në rritjen e paparë të numrit të punonjësve me shkollim të lartë nga 650 vetë në vitin 1950 në 76 mijë vetë në vitin 1989, në rritjen e kontakteve me perëndimin – ndonëse të kontrolluara – përmes kualifikimit e specializimit të specialistëve të fushave të ndryshme.
Por edhe shndërrimi i fshatarësisë kooperativiste nga prodhuese e bylmetit, mishit e vezëve në konsumatore të tyre dhe zvogëlimi i vlerës së ditës së punës; vendosja e tallonave për disa produkte ushqimore për qytetarët; vështirësia për tu pajisur me pajisje të teknologjisë moderne shtëpiake – përfshirë televizorin; pakënaqësia për shpërblimin e barabartë në punë, pavarësisht nga dallimet sasiore e cilësore; pakënaqësia për qarkullimin e kuadrit; pakënaqësia e daljes jashtë shtetit, përveç daljeve të kontrolluara dhe e ndalimit të lirisë së shikimit të televizioneve të huaja; pakënaqësia për ndalimin e besimit dhe të disa të drejtave e lirive të tjera; pakënaqësia e pamundësisë së kundërshtimit të vijës politike dhe ekonomike të partisë së vetme politike, si edhe ndëshkimi i rreptë për përpjekje të tilla, e të tjera si këto; plus veprimtaria e fuqishme minuese e fuqive të huaja, presioni dhe bllokada e gjithanshme në truallin e luftës së ftohtë; si edhe paaftësia e plotë e udhëheqjes komuniste për t’i zgjidhur në mënyrën e duhur dhe të pranueshme nga populli problemet ekzistuese, përfundoi në prodhimin e varrmihësit të socializmit.
Mënyra se si funksionoi socializmi kishte krijuar një rini të arsimuar, me kulturë të gjerë dhe aspiruese për çlirim të të drejtave dhe lirive të ndaluara, për një jetë më të mirë e me më shumë mundësi, të cilat kishte filluar të besonte se këto do t’i siguronte me lehtësi po të përmbysej sistemi i diktaturës së proletariatit. Dhe, me një shkundje të vogël të saj socializmi ra përtokë. Ajo besoi se kalimi në kapitalizëm do t’i përmbushte me shpejtësi të gjitha ëndërrimet e saj.
Me përmbysjen e socializmit në Shqipëri fuqitë kapitaliste perëndimore ia kishin dalë të përmbysnin socializmin në të gjitha vendet e Evropës Lindore, por gjetën edhe belanë me disa prej krijesave të tyre të reja.
Përmbysja e socializmit
Socializmi u përmbys në Shqipëri, por në vend të tij nuk u ndërtua demokracia e ëndërruar. Në vend të tij u ngallmua demokratura: demokracia e të fortëve në politikë, në ekonomi në krime e në rrugë, e maskuar me ligje e rregulla demokratike por me sundim të Maliqit, jo të ligjit.
Një pasuri kolosale e krijuar për 45 vjet me punë të palodhur, me djersë, mundime e sakrifica: bujqësi moderne me strukturë mbështetëse të plotë, industri e rëndë dhe e lehtë, hekurudha, miniera, magazina, depo e tj. u vodh, u grabit dhe u shkatërrua me urdhrin dhe udhëzimet e udhëheqjes mendjelehtë politike që luftonte për marrjen e pushtetit. Të marrosur nga urdhëri dhe udhëzimet për shkatërrimin dhe shuarjen e çdo gjurme të “komunizmit”, turmat u lëshuan si hordhi barbare kundër asaj që kishin krijuar me duarët e veta ose të prindërve të vet.
Nuk u mjaftuan me kaq por iu sulën edhe shtëpive të pushimit, qendrave shëndetësore, shtëpive të kulturës, muzeve dhe bibliotekave, kinemave e madje, edhe zyrave të gjendjes civile e të kadastrave. Ta rrafshojmë! Niveli zero! Rroftë çeku i bardhë! (që, hip këtu e shih Stambollin!).
Prapëseprapë, kjo nuk qe e mjaftueshme. Kishte mbetur pasuria e stërmadhe e ushtrisë shqiptare, tashmë e rudimentuar: uzina moderne prodhimi armësh e eksplozivi, qindra avionë, qindra anije luftarake detare përfshirë edhe nëndetëse, kazerma, depo armatimi e tj. Ku shkoi gjithë ky mal paraje? Fitoi gjë populli i Shqipërisë? Po, po “Fitoi diçka” (!): 26 të vrarë, treqind të plagosur e shkatërrimin e një zone të tërë të banuar!
Të gjitha këto janë krime ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, të shkaktuara nga mogulët politikë që morën në dorë Shqipërinë pas përmbysjes së socializmit. Këto janë krime barbare të bëra nga zotët e vetshkatërrimit, të mbështetur edhe nga zotër të tjerë të fuqishëm a lakmues, andej – këndej. Krime të tilla edhe nëse parashkruhen nga ligji nuk parashkruhen nga historia, qoftë edhe sikur kujtesa e një populli të mund të jetë e shkurtër.
Teknika e Bigbrother-it përmes Ministrisë së të Vërtetës (Minisy of Truth, Orwell, 1984) nuk ka mundur ende të pajiset me një makinë të tillë që të zhdukë çdo dokument të mëparshëm, çdo libër historie, letërsie, vepër arti etj. dhe ti rishkruaje e t’i ririshkruaje ato sipas nevojës së rastit të caktuar, për lavdinë e vet me “rrënjë të thella”. As masakrimi i Arkivit të Shtetit dhe i arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes e Ministrisë së Brendshme nuk i asgjeson përfundimisht gjurmët e liga.
Ka edhe arkiva të tjera jashtë Shqipërisë, ku djemtë dhe vajzat e saj do të rrëmojnë. Gjurmët e liga do të mbeten që do të mbeten.
Pas rrënimit të ekonomisë dhe moralit të qytetarit, pasuritë e këtij vendi vazhduan të grabiten pa ndalim, krimi dhe korrupsioni lulëzuan si lulet e kumbullës, morali i popullit u deformua, solidariteti u shndërrua në individualizëm egocentrist, analfabetizmi i zhdukur u rikthye, kultura qytetare u rrënua, atdhetarizmi u shndërrua në atdheneveritje, atdheposhtrim, atdheshitje, përulje neveritëse ndaj të huajit; vendi u poshtrua ku s’ka më keq. Ai tani është delja e zezë e Evropës dhe Amerikës.
Ishin elitat politike të vetëquajtura demokratike e gjithfarësh të drejtuara nga mogulët, elitat politike të verbëra, elitat politike të korruptuara, plangprishëse, hajdute e makute, mashtruese, shqiptarodenigruese, e të përulura neveritshëm ndaj të huajve, që e sollën Shqipërinë në pikën ku rinia e Shqipërisë nuk e ndjen më veten në shtëpi të vet. Ajo u lëshua udhëve të botës në kërkim të lumturisë diku tjetër, duke e lënë tokën djerr e vendin në dorë të horrave e maluketërve. Eshtë për fajin e këtyre elitave politike e mogulëve të tyre që shqiptarët u shndërruan në shitës votash. Është për fajin e këtyre që historia më e lavdishme e këtij populli, pas Skënderbeut, Lufta e lavdishme NÇ, po përdhoset faqezishëm dhe po ngrihen e nderohen bashkëpunëtorët e përkrahësit e pushtuesve nazi-fashistë, si edhe ata që bënë krime ndaj vendit e popullit. Shqiptarët, kështu, po mëkohen me frymën e mburrjes për bashkëpunimin me të huajt në dëm të vendit të vet, me frymën e nënshtrimit ndaj së keqes nga brenda a nga jashtë qoftë, me frymën e egërsisë për zgjidhjen e ngatërresave qofshin ato edhe nga më të rëndomtat, me frymën e vetëshkatërrimit e të gjallërimit të trashëgimisë zakonore e kulturore negative, si edhe të shpërfilljes së rregullit, ligjit e moralit.
Sikur këto të mos mjaftonin, shqiptarët po mëkohen gjithashtu, me frymën e shpërfilljes, të përbuzjes e të denigrimit të atyre që punuan e luftuan për të mirën e përgjithsme, e të atyre që dhanë edhe jetën për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e atdheut, me frymën e përçmimit e mohimit ndaj çdo të mire që prodhoi një periudhë 45-vjeçare pune madhështore e gjithë popullit të Shqipërisë.
Nevoja për miq e mbështetje të fortë
Vendet e vogla, në mjedisin e një lufte të vazhdueshme për mbizotërim, kanë pasur, kanë dhe do të kenë nevojën e mbështetjes së një fuqie të madhe që nuk u a ka me hile; marrëdhënie të mira e dinjitoze me fqinjët dhe miqësi me të gjithë ata që nuk kanë synime zotëruese apo në dëm të popullit të vet, për t’i shpëtuar rrezikut të gllabërimit, si edhe për t’u zhvilluar e begatuar.
Ka vende të vogla që kanë mësuar ta përfitojnë këtë mbështetje pa lëshuar në çështje strategjike, si edhe në çështje të dinjitetit të vet, sepse shumica dërrmuese e popullsisë së tyre e konsideron moscenimin e identitetit, dinjitetit dhe interesave kombëtare si të vetmen mënyrë për mbrojtjen e interesave të veta. Ata e kanë përvetësuar mirë teknikën e drejtimit të timonit të anijes në detin e trazuar e me shkëmbenj të rrezikshëm, për t’iu shmangur përplasjes së saj.
Prandaj kapitenët e tyre zgjidhen që të kenë këtë përvojë dhe të mbështeten nga një ekip marinarësh të stërvitur mirë e të paepur. Në këto vende, në qoftë se ka, është vetëm një fraksion i papërfillshëm individësh që mund të punojë kundër interesave kombëtare, ose të bashkëpunojë me një fuqi të huaj në dëm të vendit të vet. Këta vende kanë bërë përpara dhe janë zhvilluar. Shëmbuj të tillë në Evropë ekzistojnë.
Për fatin tonë të keq, në Shqipërinë e sotme, ne kemi parë vetëm kapitenë të çakërrdisur, me ekipe marinarësh majmunë dhe anijen tonë që shkon duke u përplasur andej – këndej pa i vënë re fare farët dhe sinjalet e tyre. Kjo nuk është kuptuar nga një pjesë e mirë e shqiptarëve, të cilët kanë treguar se janë të gatshëm t’i shkojnë pas çdo moguli për fjalët e bukura joshëse dhe krekosjen e tij, madje dhe atëherë kur veprat e tij shkojnë dukshëm në dëm të interesave të tyre të ngushta.
Është forca e trashëgimisë së ndjekjes së të parit a bajraktarit dhe besnikërisë ndaj tij. Mogulët e së keqes e njohin mirë këtë veti të shqiptarëve dhe kanë mësuar ta përdorin mjeshtërisht atë për të vazhduar mbizotërimin e tyre. Ky është një mallkim i mash i Shqipërisë.
Mogulët e së keqes ndjehen krenarë për veprën e tyre shkatërrimtare
Drejtuesit politikë të Shqipërisë të pas vitit 1990, në emër të çrrënjosjes së komunizmit, me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë kryer krime të rënda, të pafalshme, kundër popullit shqiptar dhe Shqipërisë, kundër përparimit e begatimit të saj. Formatimi i deformuar prej tyre dhe uzurpimi i sistemit të drejtësisë i bëri ata të pandëshkueshëm, besimi në parashkrimin e krimeve të tyre i çoi ata më tej në vetëbesimin se ishin të vetmit zotër që mund të shërojnë plagët e rënda, të cilat qenë ata vetë që ia shkaktuan vendit dhe popullit të Shqipërisë. E pabesueshme! por ata ndjehen krenarë për krimet e tyre dhe i hakërrohen njëri-tjetrit për t’i veshur fajësinë.
Rinia…, Unë besoj…
Unë besoj se vetë rrethanat e krijuara nga mogulët e së keqes do të prodhojnë varrmihësin e tyre. Rinia do të zgjohet për të dalë nga kurthi i dehjes dhe letargjisë prej shthurjeve të neveritshme dhe, analfabetizmit të plotë ose funksional, dembelisë, neverisë ndaj punëve me fitime të pakëta dhe idesë shkatrrimtare të fitimit me lehtësi ose të rrufeshëm, kurth të cilin ia ka ngritur kjo skotë politikanësh të korruptuar, dallkaukë, makutë, antikombëtarë e maluketër të pasuruar e miljarderizuar gjoja me rrogat e shtetit.
Do të ketë të rinj të kthjelltë që do të arrijnë të kuptojnë ligësinë dhe shtrigësinë e këtyre mogulëve, të cilët i kanë krijuar asaj këtë gjendje dhe, të gjejnë mënyrën e duhur për t’i mallkuar një herë e përgjitmonë ata; për t’u thënë JO! në mënyrë të prerë atyre, si edhe për t’i diskredituar jesmenët dhe adhuruesit e verbër të tyre. Përndryshe, kjo fare mogulësh të së keqes do të mbetej mallkim i shqiptarëve dhe Shqipërisë për nuk dihet se sa kohë.
Rinia, më së pari, duhet të kuptojë se ajo duhet të rrjeshtohet në politikën që jep prova se ka projekte të qarta, të besueshme, të verifikueshme dhe të kontrollueshme, në të mirë të identitetit e dinjitetit kombëtar, në të mirë të interesave kombëtare, në të mirë të zhvillimit e begatimit të Shqipërisë e popullit të saj. Rinia duhet të ndiejë neveri ndaj rreshtimit prapa një udhëheqësi, kryetari a kryepari, të forti a kryetëforti dhe të luftojë me guxim e pa tërheqje që të pakësohet gjithnjë e më shumë numri i të rrjeshtuarve prapa tyre, të cilët nuk shohin as nevojat e stomakut të vet, por shkojnë si tufë pas mogulëve, tek të cilët besojnë qorrazi se vërtetë do t’i shpëtojnë nga gjendja e tyre e pashpresë, ose që do t’u lëshojë ndonjë kockë.
E ardhmja ndryshe, për mirë e Shqipërisë, ndonëse jo shumë e afërt, është në dorën e atyre të rinjve të mirëshkolluar që e duan Shqipërinë si shtëpinë e vet, që e ndiejnë veten të aftë dhe që kanë guximin tu thonë JO! të prerë mogulëve të së keqes. Ata të angazhohen në politikë, të krijojnë besueshmërinë, autoritetin dhe karizmën e vet dhe të gjejnë rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë e tyre të bukur e të pasur, por të lëshuar në katrahurë, një vend me dinjitet kombëtar e njerëzor, të lakmueshëm për të jetuar e ku, edhe ata që kanë ikur pa e kthyer kokën pas, të kthehen me vrap në gjirin e saj./DITA
Nje permbledhje shum e bukur profesor!