
Kompania amerikane e barnave Moderna tha se ka nisur studimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit në fëmijë të moshës gjashtëmuajshe deri në 11 vjeç.
Moderna është prodhuesi i parë amerikan që teston vaksinën e saj në foshnje.
Kompania tha se planifikon të fusë në listën e testimit rreth 6,750 fëmijë në SHBA dhe Kanada.
Rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga koronavirusi është më i vogël sesa te të rriturit, por ekziston rreziku i transmetimit – veçanërisht nga adoleshentët.
Rezultatet e këtyre testimeve nuk janë publikuar ende.
Kompania britanike-suedeze, AstraZeneca, e cila po ashtu ka prodhuar vaksinë kundër koronavirusit, njoftoi se ka nisur testimet në fëmijë muajin e kaluar.
Përdorimi i vaksinës AstraZeneca te të rriturit është pezulluar në disa vende evropiane dhe të tjera, pas raporteve se disa individë kanë pësuar mpiksje gjaku pas vaksinimit.
Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me incidentet e mpiksjes së gjakut.











