Doktor Vasil Llajo, administratori i Intermedica ka folur në një bisedë për rubrikën “Opinion” në News24 për variantet e reja të SARS-COV2 të shfaqura në Angli dhe disa vende të tjera.
Llajo ka shpjeguar mbi mënyrën e dedektimit të mutacionit të virusit duke pohuar se Intermedika arrin ta zbulojë edhe nëse është i mutuar, por jo ta përcaktojë nëse është i mutuar.
Sipas tij, variantet e reja janë një ecuri fiziologjike e viruseve dhe kush ka antitrupa nuk preket.
Çfarë janë këto mutacione të krijuata nga SARS-COV2?
Dua t’ju theksoj se mutacioni është një ecuri normale, një ecuri fiziologjike e viruseve, por na kanë shqetësuar më shumë mutacionet e reja të SARS-COV2 për agresivitetin e tij. Vetë mutacionet është një procedurë fiziologjike që bën çdo virus për të updatuar situatat e reja me organizmin e njeriut. Në këtë moment kemi dy mutacione që janë shfaqur, një që është në Angli që VUI-01 le ta quajmë dhe një në Afrikën e Jugut 501-V2.
Këto dy tre ditët e fundit edhe vetë Portugalia ka njoftuar për prezencën e tre mutacioneve të reja në gjenomën e SARS-COV2 të koronavirusit. Ajo që është nga një anë shqetësues është se ka një virulencë të madhe, ka një përhapje thuhet 70 % më shumë se sa shtami i mëparshëm, por njëkohësisht quhet dhe paksa qetësuese që morbiditeti, sëmundshmëria dhe vdekshmëria është më e vogël në krahasim me elementë të koronavirusit të valës së parë dhe të dytë.
Në një farë forme ju e prisnit që të ndodhte ky mutacion?
Patjetër. Mutacionet janë pjesë e jetës fiziologjike të të gjitha qenieve të gjalla.
Kjo tregon shpërbërjen e SARS-COV2?
Jo. Tregon një modifikim të ri në një gjen të tij. Është një modifikim i tij, por problemi është se ky modifikim ndodh në proteinën S, në atë proteinë mbi të cilën janë bazuar edhe këto vaksinat e reja si dhe mënyra e diagnostikimit, ndoshta dhe e mjekimit me antikorpat monoklonalë. Kjo është arsyeja që ka ngjallur shqetësim në të gjitha mediat botërore dhe në opinionin mjekësor pothuajse në mbarë botën.
Një person që e ka kaluar Covid-19, preket nga ky mutacion i tij?
Teorikisht preket sepse është një mutacion i ri, po ua shtjelloj pak me gripin, i cili ndryshon mutacionet e tij çdo vit. Por virulenca dhe graviteti klinik është shumë më i lehtë në krahasim me shtamin kryesor.
Intermedica arrin ta dedektojë mutacionin e SARS-COV2?
Metoda kryesore për dedektimin e një virusi sot është biologjia molekulare, pra përcaktimi i antigenit viral në organizëm. Bazohet në dedektimin e këtyre gjeneve kryesore të virusit. Ka dy lloj aparaturash dhe kitesh që dedektojnë virusin. Një metodë e parë është biologjia molekulare që përcakton gjenomën e SARS-COV2 të bazuar mbi genin ORF1A-ORF1P dhe tjetra është geni N.
Një metodë e dytë është kur dedektohet virusi bazuar mbi genin S. Gjeni S është gjeni variabël, ai që ka ndryshuar të gjitha mutacionet. Kompanitë që dedektojnë virusin bazuar mbi gjenin ORF1AB dhe N, siç është kompania gjermane Euroimun dhe siç është laboratori Intermedica që në fillim, ndoshta dhe i vetmi në Republikën e Shqipërisë që përdor sot kitet dhe sistemin e testimeve të kompanisë gjermane Euroimun. Është 100% e sigurt që dedekton virusin e SARS-COV2, koronavirusin për arsye se bazohet mbi dy genet që janë stabile, të qëndrueshme që nuk kanë pësuar mutacion. Kompanitë ose sistemet e kiteve të cilat dedektojnë koronavirusin bazuar mbi proteinën S-Spike, mbi genin S, atëherë ato duhet të kodifikojnë testet e tyre dhe të revizionojnë mënyrën se si do të dedektojnë dhe diagnostikojnë virusin.
Nga analizat që kanë kryer në Intermedica në Shqipëri dhe në Greqi, a keni identifikuar raste me mutacione të SARS-COV2?
Asnjë laborator në Shqipëri dhe në Greqi nuk dedekton dot mutacionin. Mutacioni ka një kod, ai i Anglisë N501Y, janë ato ndryshimet nga aminoacidet. Këto i bëjnë qendrat e zbulimit dhe qendrat e kërkimeve për virusin. Ne jemi në gjendje sot të zbulojmë prezencën e virusit dhe pa mutacion dhe nëse ka pësuar mutacion në ato që dalin pozitivë për SARS-COV2. Pra, ne zbulojmë të dyja llojet e viruseve, të mutuar dhe jo të mutuar. Ne nuk nxjerrim rezultate se cili është i mutuar dhe cili i pamutuar, ne nxjerrim rezultatin që ne kemi prezencën e virusit në ato që dalin pozitivë. Për të përcaktuar nëse është mutuar, ajo është cilësi e institucioneve kërkimore, shkencore që kanë kompetencat e tyre dhe tragetin e tyre. Nuk është detyrë e një laboratori për të përcaktuar kodifikimin. Ne jemi pjesë e një zinxhiri të dedektimit, por jo pjesa kërkimore shkencore e kodifikimit të mutacioneve.
Njerëzit duhet të tremben apo jo nga këto mutacione?
Nuk besoj se duhet të trembemi, duhet të vazhdojmë të kemi kujdes, të mbajmë maskën, të respektojmë masat. Të kemi kujdes sidomos muajt e janarit dhe shkurtit që janë muajt më të vështirë që presupozohet do të jetë vala e tretë e epidemisë. Me fillimin e vaksinimit dhe me ardhjen e pranverës janë dy armë të forta në duart e komunitetit mjekësor dhe human për të luftuar koronavirusin, i cili me sa duket nuk do zhduket kollaj nga jeta e përditshme se thuhet që mund të jetë prezent dhe dy vjet tek ne, por vaksinimi është ndoshta arma më e fortë për të ulur efektet vdekje shkaktuese apo sëmundje shkaktuese të koronavirusit.
Dikush që nuk e ka kaluar COVID-19, dhe pas disa analizave rezulton negativ dhe nuk e ka kaluar, a mund të preket nga mutacioni i tij?
Çdo njeri është i ekspozuar dhe i rrezikuar të preket nga virusi, me mutacion apo mutacion.
Si e vlerësoni situatën e COVID-19 në Shqipëri dhe Greqi?
Në këto momente kemi një trend uljeje të numrave të reja të të prekurve dhe kjo është ana pozitive dhe shpresëdhënëse sepse numri i rasteve ka rënë në mënyrë deklamative, të shprehur dhe kjo na gëzon të gjithëve. Ajo që na vë në shqetësim është që numri i të intubuarve vijon të mbetet i lartë. Dekompresioni ose pakësimi i numrit të intubuarve ndodh ngadalë. Kjo tregon që akoma jemi në fazën e rrezikshme ende për jetën e atyre që hyjnë në reanimacion.
Në Shqipëri janë shifra me po të njëjtin trend, por duhet të kemi kujdes për nr e rasteve që shtrohen në spital dhe hyjnë në reanimacion.
Si e shpjegoni faktin që po humbasin jetën dhe njerëz në moshë të re?
Ka humbur koncepti i atyre të ashtuquajtur mosha të rritura, të sëmurët që janë me imuniterapi, me sëmundje sekondare. Kemi të bëjmë thjesht me persona që kanë ose nuk kanë receptorë për të kapur virusin dhe për ta futur në qelizën e vetë. Kemi të bëjmë thjesht me sistemin imunitar individual të çdo njeriu, çdo individo që janë kaq specifike. Nuk ka grupim më sipas moshave apo sipas patologjive. Mund të jenë mosha të reja që kanë një enzimë ACE që e merr virusin dhe shërben si receptor për ta futur në qelizën humane.
Një person që kalon COVID-in mund të ketë X antikorpe në organizmin e tij, të cilat mund të jenë efektive për një periudhë të caktuar kohore jo përgjithmonë, do të thotë që ai mund të preket prapë nga COVID?
Deri më sot ne dimë që të sëmurët që kanë kaluar COVID në shkurt e mars, tregojnë që e kanë prezencën e antikorpeve akoma. Nuk e dimë dhe për sa, çdo muaj do shtohet tek këto studime. Deri tani dihet që ata që kanë antikorpe në organizëm nuk i kap për së dyti.
Sa na ndihmon vaksina për të qenë gjithmonë të mbrojtur?
Na mbron vaksina por jo përgjithmonë. Nuk kemi një vaksinë përmamente për gjithë jetën. Mutacionet e SARS-COV 2 bashkëjetojnë me ne. Vaksina do të mbrojë nga efektet e koronavirusit. Thuhet që një pandemi do shuhet gradualisht kur imuniteti në popullatë të jetë 70% me vaksinim dhe atyre që e kanë kaluar. Vaksina nuk kemi akoma të dhëna që të dimë nëse do ketë të përhershme. Mund të jetë një vaksinë ndoshta sezonale, por që mund të vaksinohemi çdo vit dhe efektet e saj do jenë sa më të njohura.
Rama tha se vaksina në Shqipëri do aplikohet fillimisht tek bluzat e bardha në fillim të vitit 2021, po në Greqi?
Nesër në Greqi në mënyrë simbolike do vaksinohen Presidentja dhe kryeministri. Më pas në qendrat COVID-19, gjithë mjektët që punojnë në reanimacion dhe spitalet COVID. Më pas do shtrihet në gjithë personelin mjekësor. Sipas profesionit dhe vendit që punohet, bëhet skedimi i mjekëve që do vaksinohen.
A ka skeptikë nga radhët e mjekëve në Greqi?
Patjetër që ka skeptikë se për herë të parë është një vaksinë e bazuar tek ARN, nuk janë vaksinat tipike që bazoheshin në copëza virusale.
Ju do ta bëni këtë vaksinë?
Patjetër që do ta bëj dhe unë si të tjerët. Unë jam mjek, anestezist. Jam në kontakt të përditshëm me të sëmurët.
Edhe për dy vjet akoma besoj do ta kemi nëpër këmbë. Pas vaksinimit që do të arrijë 70% të popullatës nuk do quhet më pandemi. Epidemi dhe e lokalizuar në shtete të ndryshme.
(BalkanWeb)