Nga Ben Andoni/
Është fashitur sakaq zhurma e përgjithshme shtetërore, që i kërkonte dhe gati ia bënte ekipit kombëtar shqiptar të futbollit fi toren absolute me ekipin serb. Janë harruar sikur të mos kishin ndodhur të gjithë ndodhitë.
Sesi në orët e fundit, kryeministri Rama ishte mes ekipit, ndërsa e gjithë propaganda shtetërore ishte vënë në funksion të fitores së ndeshjes për ta shitur për kapital politik ndërkombëtar.
Për hir të së vërtetës, ky mision u krye me nder dhe Shqipëria ka për çfarë të krenohet, por për atë për të cilën djemtë e kombëtares duheshin të jepnin në fushë, e gjitha rezultoi një makth i paparë. Jo sepse kuqezinjtë ishin inferiorë, por sepse u dorëzuan mu atëherë kur u duhej një pikë.
Dhe çfarëdo që të thuhet, vetëm aty, në hapësirën e gjelbër, përgjegjësia ishte e tyre, kurse nacionalizmi kallp, patriotizmi bosh i llojlloj njerëzve nuk i shkonte asfarë asaj që duhej të arrihej. Djemtë e kombëtares sonë kanë kohë, por sidomos vitet e fundit kur në dispozicion është edhe një kontingjent cilësor i lojtarëve të diasporës, që shfaqin ngritje.
Ky stad premton realisht për një kualifikim në aktivitetet superiore, por fatkeqësisht jo për vazhdimësi. Për fat të keq, në këtë kor patriotik të llojlloj njerëzve askush nuk flet se ku luajnë sot ata që do i besojmë krenarinë tonë në të ardhmen në sport.
Nga ana tjetër, Kosova shumë shpejt do t’i ketë në dispozicionin e saj fëmijët dhe të rinjtë kosovarë sepse që nga pranvera e vitit të ardhshëm me shumë gjasa do jetë anëtare e UEFA dhe pas kësaj dhe FIFA.
Shqetësimi është për fëmijët, të rinjtë shqiptarë që sot s’kanë fare mundësi të penetrojnë në ekipet e mëdha kombëtare. Por nuk mbaron këtu, politika që është futur në çdo qelizë po i përdor në një mënyrë të tillë sportistët tanë, saqë presionin e së cilës e kanë të vështirë për ta mbajtur.
Jo thjesht sepse humbën dy ndeshjet e fundit, por se kuqezinjtë i kanë ngarkuar nacionalisht dhe patriotikisht në një masë krejt artificiale, që nuk e përballojnë dot.
Shumë prej tyre kanë qenë fëmijë kur Kosova dhe Presheva përfshihej në luftën e përgjakshme me sllavët dhe Shqipërinë e njohin fare pak. Luftën sado që e kanë përjetuar përmes kujtimeve të prindërve dhe të thënave, nuk u vjen natyrshëm, ashtu si mund të vijë tek prindërit e tyre.
Ca më shumë ata shqiptarë, që në vitet e fundit, s’kanë pasur ndonjë ngjarje për të lënë shenjat e tyre patriotike. Ndërkohë, jemi në një kohë tjetër, ku vendi po përjeton ngutin për të hapur negociatat me BEnë dhe jo vazhdimin e retorikës boshe politikenacionaliste, ku ata përdoren rëndom.
Një gjë e tillë ndodhi në ditët e fundit, ku në vend që futbollistët e kombëtares t’i linim të lirë të mendonin e të përgatiteshin për ndeshjen, gati i karikuam për luftë me presionin e një beteje ku duhej me patjetër fitorja.
Anipse lufta s’ka kurrë fitore të siguruar dhe këtë e pamë në dy ndeshjet e fundit, ku thjesht me pak zgjuarsi taktike na duhej të merrnim të paktën dy pikë dhe dje të ishte dita reale kombëtare për t’u mbajtur mënd në histori. Por nuk ndodhi dhe nuk ngjet rëndom kështu.
Mu sapo përfaqësuesja e ngre kokën, është e pamundur që ishkryeministri Berisha, i sotmi Rama apo kushdo që do jetë në fuqi të mos shkojë dhe të bëjë tifo në kampusin e tyre, t’i ngulfatë me mbledhje patetike dhe t’u fusë me zor një adrenalinë, e cila duhet të prodhohet dhe jo të merret.
Me pak fjalë, loja është juaja dhe nderi i fitores ju takon juve, ekipi para së gjithash është vitrina juaj, ndërsa ajo që rrjedh më pas u takon tifozëve dhe krenarisë së Shqipërisë.
Kështu që, pak më parë se deklaratat e shumta patriotike është mirë të ndjekin interesin e tyre, të shikojnë të luajnë sa më mirë të jenë ndër ekipet më të mira të Evropës, të jenë të disiplinuar taktikisht dhe të mos marrin kot, siç ka ndodhur në dy ditët e fundit.
Dhe, të mos harrojnë të bëjnë, atë që bëri Uliksi teksa kthehej në shtëpi, “të mbyllin veshët me dyll”. Vetëm kjo do t’i shpëtojë nga histeria kolektive dhe nga shfrytëzimi që po u bëjnë bjerraditësit dhe politikanët, për të shmangur vëmendjen nga problemet e pafundme në vend.
Lojtarët shqiptarë duhet të kuptojnë se mbështetja nuk vjen nga tifozët me kollare dhe se nuk mund të jemi krenarë vetëm me një ndeshje futbolli.
Krenaria të vjen kur të gjithë bëjnë punën e tyre, pra kur jetojmë më mirë, kur brezat më poshtë se lojtarët e De Biasit do kenë fusha, kur Kosova të jetë realisht e njohur dhe kur politikanët që ju bëjnë qejfin, e që bëjnë selfie pafund me ju, të bëjnë ndonjë xhiro të plotë nga drejtësia.
Këtë jepuni si mesazh të gjithëve, por me përkorjen tuaj, uljen e kokës dhe të qenit profesional, por edhe me mosdhënien e deklaratave patriotike kallpe dhe mbi të gjitha me premtimet boshe. Jo më pak, por keni bash tre ndeshje rresht që nuk shënoni.
Tek e fundit realiteti është i dhimbshëm, por i vërtetë, kemi një skuadër të vogël dhe modeste, që vetëm shpirti ua bën ta kaloni këtë cak. Mos lejoni t’ua marrin edhe këtë, por mbyllni veshët si Uliksi, nëse doni realisht të mbërrini në Itakën tonë…Francë 2016.