Kanë vijuar edhe këtë të mërkurë replikat me Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike, që vijnë sërish pas tubimit të radhës elektoral të kryedemokratit Lulzim Basha. Në një reagim për mediat, selia blu thotë se Partia Demokratike është parti që funksionon sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe akuzon Ramën për keqinformim.
“I kapur mat në panikun e humbjes, Edi Rama shqetësohet çdo ditë për mikpritjen e shqiptarëve për Lulzim Bashën. Edi Rama e ka kuptuar që shqiptarët duan ndryshimin dhe askush nuk e ndal dot më këtë. Humbja e zgjedhjeve e ka bërë nervoz dhe për këtë ai sulmon takimet tona elektorale. PD është parti që funksionon sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Kërcënimet dhe keqinformimet e Edi Ramës nuk e ndalojnë dot rrugën drejt fitores së Partisë Demokratike. Në 25 prill Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”, thotë PD.
Kryeministri Edi Rama, më herët në një reagim, ishte i ashpër ndaj tubimit të Bashës në Korçë, ku sërish u panë grumbullime, në shkelje të masave anti-Covid.
“Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, thoshin latinët. Kjo këmbëngulje prej shejtanbudallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku“, tha mes të tjerash Rama
/a.r