Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE ka bërë një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Ndërkohë që veçon aspektet pozitive, si zbatimi i suksesshëm i kodit të ri zgjedhor, misioni sjell në vëmendjen edhe problematikat gjatë këtij procesi.
Siç thuhet në deklaratë, partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme, përfshirë kontrollin në administratën lokale.
Misioni i SHBA thekson se mbetet problem shitblerja e votës dhe gjithashtu është shqetësuese rrjedhja e të dhënave personale të votuesve. Misioni amerikan e mbyll deklaratën duke inkurajuar SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.
“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme nga detyra e saj, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative.
Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.
Shtetet e Bashkuara përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të mbajnë përgjegjësi çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore,” thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë në raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajojnë Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti,” përfundon deklarata.
/a.r











