Nga Mero Baze*
Një jaht i madh i bardhë ishte ankoruar në gjirin e Vlorës, i shoqëruar nga një luftanije e vogël, që rrinte rreth 100 metra larg tij. Familja Bush dhe miqtë e tyre ishin mysafirë të presidentit shqiptar Sali Berisha. Mes tyre shquante Kolin Pauell dhe gruaja e tij, Alma, si dhe disa ish-këshilltarë të ish-presidentit Bush. Presidenti Bush ishte larguar nga pushteti në zgjedhjet e vitit 1992 dhe tashmë në Shtëpinë e Bardhë ishte Bill Klintoni. Ai ishte takuar me Berishën kur kishte qenë president, gjatë një vizite që Berisha bëri në maj të vitit 1992 në SHBA dhe më pas ishte ftuar nga Berisha, në nëntor të vitit 1993, në Tiranë, për të marrë medaljen “Skënderbeu”. Kishin krijuar një raport më shumë nostalgjik se real e njerëzor. Berisha e kujtonte me nostalgji si takimin e tij të parë me një president të SHBA-ve, ndërsa Bushi e kujtonte Shqipërinë si një rast inkurajues për votën kundër ish-komunistëve në vitin 1992.
Unë duhej të intervistoja ish-presidentin Bush për “Zërin e Amerikës”. Takimi i tij me Berishën ishte jozyrtar. Fillimisht ata do të pinin një kafe familjarisht në vilën e Mehmet Shehut, siç quhej vila ku ishte vendosur Berisha. Më pas do të dilnin për një shëtitje më këmbë e më vonë do të drekonin së bashku, vetëm njerëzit kryesorë të familjes me Berishën dhe zonjën e tij, ndërsa pasdite Berisha do të shkonte për një kafe në jahtin presidencial.
Ndërkohë, mbesat e Bushit, shoqëruar nga kushërinj të tjerë të tyre, kishin zbritur në Vlorë dhe nën shoqërinë e disa rojeve të rreptë që rrinin në distancë, dolën jashtë vilës. Bushi, Berisha dhe Pauelli ndenjën për rreth dy orë në rezidencën e tyre.
Gjithë këtë kohë më duhej ta kaloja në një dhomë ngjitur me sallën kryesore, bashkë me Arben Runën, një mikun tim të vjetër, mjek ortoped traumatolog, që punonte në klinikën qeveritare.
Pas disa shkëmbimeve në korridor, m’u desh që me Berishën të fiksoja orarin se kur do të ishte i lirë presidenti Bush. Ramë dakord që, nëse dreka përfundonte rreth orës 15.00, unë të hyja në sallën e pritjes dhe t’i merrja intervistën.
– Pas pesë minutash, presidenti është gati, – më tha Berisha. – Shkoi të ndërrohet te dhoma.
Bushi doli i qeshur nga dhoma e tij dhe kërkoi të dinte se cili ishte gazetari.
U prezantova dhe vetëm kur e kisha perballë, pashë se ai nuk ishte “veshur”, por ishte zhveshur: kishte pantallona të shkurtra dhe një bluzë të verdhë Lacosta. Ndërkohë, Aida, zëdhensia e Berishes me kishte bere namin, pse une kisha ardhur veshur me xhinse.
Intervista ishte e shkurtër, vetëm në kuadrin e mbresave që ai kishte rreth kontakteve me Shqipërinë dhe problemet e demokracisë.
Bushi tha: “Jam shumë i lumtur që erdha përsëri në Shqipëri. Kam respekt për presidentin Berisha dhe për atë çka ai ka bërë për privatizimin e ekonomisë shqiptare, duke ngritur nivelin e jetesës së popullit shqiptar në një nivel të kënaqshëm. Unë shoh një përparim të jashtëzakonshëm në këtë vend të mrekullueshëm dhe ndihemi shumë të lumtur që jemi këtu si miq të presidentit Berisha, së bashku me gjeneralin Pauell, i cili njihet në gjithë botën për udhëheqjen e tij kurajoze në luftë. Po sot, presidenti Berisha është treguar shumë xhentil me ne duke na vënë në dispozicion një kohë të mjaftueshme për të na shpjeguar ato çka po bën ai për Shqipërinë, për historinë e suksesshme të demokracisë së saj, e cila po bëhet gjithnjë e më e fortë. Ka qenë një kënaqësi e madhe ardhja ime këtu”, përfundoi presidenti.
Pasi përfundoi, bëmë së bashku një fotografi dhe u ndamë.
Në fakt, deklarata m’u duk shumë e përgjithshme dhe pa ndonjë vëmendje të veçantë. Dukej se foli thjesht se ia kërkova.
Berisha dhe gjenerali Pauell prisnin disa metra më larg. Të tre bashkë filluan të shëtisnin buzë detit, ndërsa disa ndihmës të Berishës po përgatisnin një mori dosjesh me fakse, deklarata dhe dokumente. Me sa dukej, ishte gjithçka rreth krizës së zgjedhjeve. Bushi theksoi në fund të intervistës historinë e suksesshme të demokracisë shqiptare, por në fakt ajo ishte fjalia që pati jetën më të shkurtër në ato çaste. Ai ishte aty, mes të tjerash, pikërisht pse demokracia po bëhej gjithnjë e më e dobët dhe shkaku po kërkohej aty ku nuk ishte.
Realisht, zgjedhjet kishin hyrë në krizë dhe Bushi e Pauelli kishin temë kryesore me Berishën pikërisht çështjen e zgjedhjeve. Berisha përpiqej të ishte konkret në shpjegime. Temë kryesore ishte ndikimi grek në administratën amerikane në raport me Shqipërinë. Për ironi të tematikës, Bushi dhe Pauelli ishin aty me një jaht të një shqiptaro-greko-amerikani, një milioner i angazhuar ndjeshëm në qarqet politike me ndikim në Greqi. Origjina e tij e largët shqiptare, lidhjet e tij me njerëzit e fuqishëm të lobit grek në SHBA, por dhe të qeverisë në Athinë, i jepnin kredencialet e duhura të ishte mikpritësi i njerëzve më të fuqishëm të SHBA-ve, të cilët po humbisnin një ditë nga pushimet e tyre në përpjekjet për të shpëtuar një demokraci të sëmurë, që në shumë raste e kishin zgjidhur ndryshe.
Ndërsa isha duke transmetuar me telefonin që ishte në cep të sallës së pritjes ku kishin qenë më parë Bushi dhe Berisha, përkthyesja e Berishës, një grua shumë fisnike, po përkthente disa letra që kishin të bënin me raportet mes Berishës dhe Richard Schifter-it, një këshilltar i presidentit Klinton. Me sa dukej, atë çast po i shpjegonte presidentit Bush krizën sipas versionit të tij. Por Bushi kishte njohuri të mjaftueshme rreth tij. Ai paskësh qenë më parë i angazhuar edhe në administratën e Bushit, kur ai ishte president.
Angazhimi i tij i ri me administratën e presidentit Klinton ishte maksimal dhe shumë i rëndësishëm, sidomos për Ballkanin. Berisha kishte pak shpresa t’i rregullonte kredencialet me të. Kur e pyesje se ku qëndronte gjithë kjo mëri e tij kundër Berishës, ky i fundit thoshte se refuzimi që i kishte bërë për të negociuar krizën e të “pestëve” ia ka djegur atij karrierën për negociator në Ballkan. Berisha ishte sjellë me të gati në mënyrë harbute, kur ai kishte ardhur në Tiranë me mesazh nga presidenti Klinton për zgjidhjen e krizës pas arrestimit të pesë pjesëtarëve të minoritetit grek për “veprimtari terroriste dhe antikombëtare” në Jug të Shqipërisë.
Richard Schifter kishte shkuar më pas në Athinë dhe i kishte telefonuar Berishës
nga zyra e kryeministrit grek, por asgjë nuk kishte funksionuar. Pas kësaj, Berisha ishte kthyer në tabelë qitjeje, si ilustrim i nacionalistit autoritar që po bllokonte demokracinë në Shqipëri.
Nuk di sa me rëndësi kanë qenë këto detaje për dy njerëzit e fuqishëm të SHBA-ve, por e sigurt ishte se ata në atë kohë kishin në dorë vetëm të dëgjonin dhe ta ngushëllonin mikun e tyre për këto probleme. Ata ishin dy pensionistë të nderuar të SHBA-ve, që kishin ardhur në Vlorë. Asgjë më shumë. Berisha u përpoq shumë t’i përdorte këto lidhje, kur presidenti Bush, i riu, erdhi në pushtet në vitin 2000. I dërgoi letër presidentit Bush (të vjetërit) dhe ai i ktheu një përgjigje kortezie, ku mes të tjerash thoshte se i kishte treguar djalit të tij për problemet që kishte Berisha dhe e siguronte se e kishte një mik të mirë. Por asgjë nuk ndodhi.
Mandati i parë i Bushit në Shtëpinë e Bardhë nuk dha asnjë sinjal shprese për Berishën, çka të bind se në SHBA nuk funksionon logjika shqiptare e njohjes apo e miqësive personale në politikë.
Pasditja në Vlorë ishte më e qetë. Mbesat e presidentit Bush, shoqëruar nga një truprojë femër shumë vigjilente, po ktheheshin në vilë për t’u nisur drejt jahtit.
Zonja Berisha me Barbara Bushin dhe Alma Pauellin, dy gratë e njohura të Amerikës, po ashtu, po shëtisnin në rrugicat buzë vilës për të shkuar drejt jahtit. Me to ishte gjithmonë një zonjë që përkthente. E shpërqendruar, Barbara ndiqte pasionin me të cilin Liria u tregonte diçka rreth komunizmit. Toni i Lirisë binte nga përkthimi i zonjës me fytyrë fisnike, që përkthente, dhe pasqyrohej në habi te dy zonjat amerikane, që dukej se të vetmen gjë mund të mbanin mend nga ai udhëtim ishte se ndodheshin në një vend spiunësh.
Vonë, në vitin 2005, Barbara Bush botoi librin e saj me kujtime dhe, mes të tjerash, ka një episod nga qëndrimi në Vlorë, ku shkruan përshtypjet e saj për takimin me Liri Berishën dhe fiksimin e saj se Shqipëria është një vend i mbushur me bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Barbara ishte terrorizuar nga tregimi i Lirisë, sipas së cilës, “kur tre miq bëheshin bashkë, njëri ishte spiun”, “kur tre familje bëheshin bashkë, njëra ishte spiune”.
Kur e lexova, m’u kujtua skena kur Liria, me të gjitha gjymtyrët e saj, përpiqej t’i shpjegonte zonjës Bush fiksimin se regjimi kishte bërë që në çdo tre shqiptarë, njëri të ishte spiun.
Sapo kishte dalë libri në Uashington, një miku ynë i përbashkët na e rekomandoi ta lexonim. Berisha e mori librin, e çoi te faqja ku përmendej Liria dhe u pre në fytyrë.
– Mos boto gjë nga kjo, – tha. – Lëre, punë perceptimi.
Berisha, Bushi dhe Pauelli ishin në verandë dhe vazhdonin me zjarr diskutimin rreth problemeve që hasnin demokracitë paskomuniste me të kaluarën e vendeve të tyre. Por ajo që po ndodhte në Shqipëri ishte tema kryesore. Pastaj, Bushi dhe Pauelli u nisën drejt jahtit luksoz të miliarderit shqiptaro- greko- amerikan, Janis Llacos, me një varkë që u afrua buzë verandës së vilës, ndërsa Berisha do të shkonte aty pas dy orësh.
*Marrë nga libri “Viti 97”