Nga Ben Andoni/
Ashtu si pritej, Opozita jo vetëm nuk iu afrua negocimit të hënën, por e rriti stekën, duke i cilësuar të burgosur politikë, anëtarët e saj të ndaluar. Ndërkohë që situata në qiellin kosovar është bërë më e ndërlikuar pasi në të është futur edhe ndikimi shqiptar, ku orët e fundit kryeparlamentari Meta e ka shfrytëzuar momentin të japë mesazhe pozitive dhe madje të përcjellë rolin e Shqipërisë si negociatore të dialogut. Por, më kot. Në vitet e fundit, Shqipëria me sherret e mëdha politike në parlament e ka të vështirë të bëhet faktor besimi për Kosovën dhe Maqedoninë, kjo sepse në radhë të parë, ajo s’ka mundur të fashisë me maturi problemet e saj. Dhe, s’mund të ishte ndryshe, kur e shikon se edhe leximi nga Tirana i veprimeve kosovare është tejet konfuz.
Kosova, për fat të keq, është e vetme para një situate tejet të vështirë në historinë e saj fare të re të pavarësisë. Ku i vetmi mesazh i fortë mbështetje, që mund të lexohet edhe si qortim ishte ai i pak ditëve më parë nga John Kerry. Përfaqësuesi i shtetit që e subvencionoi pavarësimin dha një mesazh mbi palët në Prishtinë, kur deklaroi se: “Ne duam t’iu sigurojmë se nuk do të këmbëngulnim për asnjë marrëveshje, nëse nuk do të ishte në respektim të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Dhuna në Parlament nuk është e pranueshme dhe në Kuvend duhet hapur vendi për dialog, pavarësisht kundërshtimeve mes palëve..”. Paradoksi ishte se edhe me këtë deklaratë jo vetëm nuk pati reagimet e duhura por gjendja u keqësua, gjë që tregon qartë se forcat që duan destruktivitetin e Kosovës janë ende shumë më të forta.
Kjo e bën dialogun e vështirë dhe megjithë shpresën, që ka nisur në ditët e fundit, disi tejet konfuz. Palët në Kosovë kanë ndarje tepër të mëdha. Por më të mëdhatë nga të gjitha janë leximi me regjistra të ndryshëm të Pakos së Ahtisarit, Zajednicës dhe detyrimeve që ka politika kosovare, së pari për Gjykatën Speciale. Ndërsa demarkacioni ka mundësi teknike zgjidhje, ajo që i përket Zajednicës ka ndarje të thellë, ku për ta konfuzuar edhe më shumë futet si aktor Brukseli. Për hir të së vërtetës, të drejtat e popullsisë serbe janë brenda kushtetutës kosovare sepse ai trajtohet si element përbërës i shtetit kosovar, por qasja e Kosovës ka qenë shumë e ndarë.
Kështuqë, është pak të thuash e vështirë për dialogun, kur kryeministri i Kosovës nuk vlerësohet fare si aktor, megjithëse ky i fundit ka bërë orët e fundit një lloj tërheqje taktike. Një të tillë të radhës që kosovarëve thjesht u shton sensin e mosbesimit ndaj tij prej qëndrimit luhatës, që ai manifeston gjithmonë: Isa Mustafa, në opozitë, e kritikonte Thaçin, aleatin e koalicionit të PDK-në, për nepotizëm dhe shfrytëzim të shtetit, ndërsa tani është në qeveri me të. Kjo e bën Opozitën të luajë si të dojë dhe t’i shtojë dozat e kërkesave të saj. Pak orë më parë ata kërkuan lirimin e të gjithë atyre, që ata i quajnë si të burgosur politikë. “Pa u liruar të gjithë të burgosurit politikë dhe pa u tërhequr marrëveshjet nuk ka stabilitet në vend”, ka thënë Ymeri kryetari “de jure” i VV-së, paçka se në fund ka lënë një shpresë drite për dialog kur e ka përjashtuar sërish Mustafën dhe ia ka lënë tagrin e marrëveshjeve presidentes: “Marrëveshjet për të cilat po flasim kanë të bëjnë me politikë te jashtme, kompetencë që i takon presidentes me kushtetutë. Kësisoj presim prej saj që të ndërmarrë masa”.
Por, presidentja i ka pasur deri më tani të gjitha mekanizmat e saj për të mos u përshkallëzuar situata, ashtu si edhe parlamenti kosovar, Maxhoranca dhe Opozita, madje edhe Shqipëria mund të bëhej shumë më parë e gjallë dhe të jepte mesazhe paqtimi. Nuk ka ndodhur asgjë, përveç se politika kosovare tashti po kthjellohet nga sintaksa e drejtpërdrejtë e sekretarit John Kerry, paçka se në Kosovë stekën e kërkesave po e rrisin të dy palët e politikës…në dëm të popullit kosovar.









