Kuvendi ka miratuar sot me 97 vota pro rezolutën për veprimet e Presidentit në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gramoz Ruçit, rezoluta synon shmangien e krizës kushtetuese.
Në dokumenti n që është miratuar dje pas mbledhjes së konferencës së Kryetarëve, Kuvendi akuzon Presidentin Ilir Meta se ka tejkaluar kompetencat me vendimin për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, pasi në vendin e saj ishte emëruar automatikisht Arta Vorpsi, pasi kreu i shtetit nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur nga lista e KED-së.
Kuvendi i Shqipërisë shprehet se u drejtohet të gjitha institucioneve që të mos e zbatojnë dekretin e Presidentit për dekretimin e Xhaferllarit.
Teksi i rezolutës:
Duke vlerësuar se Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që ka për mision ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe se kjo Gjykatë garanton zbatimin e parimeve themelore kushtetuese nga të gjitha institucionet kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individit;
- Duke vlerësuar se rifillimi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese është jetik, ndër të tjera, për zbatimin e objektivave kushtetues të kontrollit dhe balancave midis pushteteve të shtetit dhe garantimit të të drejtave themelore të njeriut;
- Duke vlerësuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 në kuadër të Reformës në Drejtësi, që rivendosën ekuilibra kushtetues për të garantuar funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas parimeve të shtetit të së drejtës dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve, kanë përcaktuar qartë rregullat për procesin e emërimit dhe zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues, duke përfshirë rregullat, për kriteret dhe procedurën përkatëse për përzgjedhjen e kandidaturave në respektim të pavarësisë, paanshmërisë dhe parimit të luajalitetit kushtetues;
- Duke vlerësuar mekanizmin zhbllokues në procesin e emërimeve në sistemin e drejtësisë, si një nga elementët thelbësorë të Reformës në Drejtësi, në zbatim edhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe në qëndrimin e reflektuar në vijimësi në opinionet amicus curiae të Komisionit të Venecias mbi rëndësinë dhe nevojën e mekanizmit zhbllokues me qëllim funksionimin dhe mospengimin e organeve kushtetuese;
- Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e Reformës në Drejtësi si kriter kyç për sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe për të ardhmen europiane të vendit, reformë që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres raportet e Komisionit Europian dhe ku Shqipëria veçohet si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor;
- Duke vlerësuar ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi siç është ngritja dhe funksionimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe hapat e ndërmarrë për plotësimin sa më të shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke inkurajuar intensifikimin e zbatimit të reformës në drejtësi në këtë drejtim;
- Duke vlerësuar punën e deritanishme të organit kushtetues, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;
- Duke përshëndetur emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, konkretisht Z. Besnik Muci emëruar me Dekretin e Presidentit të datës 18 Tetor 2019, emërimin e Znj. Arta Vorpsi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datë 8 Nëntor 2019, pas përfundimit të afatit, brenda të cilit duhej të shprehej Presidenti i Republikës, si dhe zgjedhjen e Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji nga Kuvendi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë pasi u informua se Presidenti i Republikës ka nxjerr dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019 “Për emërimin e Znj. Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, dhe duke konsideruar se ky akt është nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, veprim i cili delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese konstaton:
- Kushtetuta përcakton qartë se vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese emërohen/zgjidhen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Këto organe e ushtrojnë në mënyrë krejt të pavarur kompetencën kushtetuese dhe pa asnjë lloj ndërvarësie mes tyre. Të tre këto organe kufizohen të emërojnë/zgjedhin midis tre emrave të kandidatëve të listuar të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për Kuvendin dhe Presidentin, përvec kufizimit të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues nga kandidatët e listës që miraton Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka dhe një kufizim kohor për ushtrimin e kompetencës brenda një afati prekluziv tridhjetë ditor. Mosushtrimi i kompetencës brenda këtij afati nga Presidenti dhe Kuvendi, sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (neni 125 i Kushtetutës, nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të Ligjit8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar).
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në datën 08.10.2019 i ka dërguar Presidentit vendimet e tij në lidhje me dy vakanca të krijuara në Gjykatën Kushtetuese, duke i vënë në dispozicion dy lista me kandidatë për secilin vend vakant, me qëllim ushtrimin e kompetencës së tij për të emëruar dy gjyqtarë kushtetues. Me Dekretin e datës 18.10.2019, Presidenti ka emëruar Z. Besnik Muci si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për vendin e dytë ka zgjedhur të heshtë dhe me kalimin e afatit prekluziv tridhjetë ditor, në datën 07.11.2019 Znj. Arta Vorpsi, e renditur e para në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, konsiderohet e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
- Sipas Kushtetutës dhe ligjit8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Presidenti e ushtron kompetencën e tij duke u kufizuar në emërimin e një prej tre emrave të parë në listën e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, sipas listës së hartuar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
- Presidenti e ushtron kompetencën e tij duke emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese brenda një afati 30 ditor nga dita kur ka marrë vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në rast se brenda këtij afati Presidenti nuk e ushtron të drejtën e tij, kandidati i renditur i pari në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, (neni 7/b, pika 4 i ligjit8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime).
- Me nxjerrjen e Dekretit nr.11350, datë 13.11.2019 Presidenti i Republikës, duke emëruar kandidatin tjetër jashtë afatit 30 ditor të përcaktuar shprehimisht nga ligji kushtetues, ka shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit duhej të emëronte gjyqtarin kushtetues midis tre kandidaturave të listuara të parat në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Afati tridhjetë ditor për Presidentin ka mbaruar në datën 07.11.2019, pasi vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i është njoftuar Presidentit në datën 08.10.2019, dhe renditja e kandidatëve në listën e miratuar me këtë vendim është: 1. Arta Vorpsi; 2. Fiona Papajorgji; 3. Elsa Toska; 4. Marsida Xhaferllari.
- Duke emëruar kandidatin e listuar në vend të katërt në vendimin nr. 132, datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me justifikimin se zgjedhja e dy prej kandidatëve në të njëjtën listë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me vendimin e Kuvendit të datës 11.11.2019, e rendit kandidatin e zgjedhur si gjyqtar kushtetues nga Presidenti në tre vendet e para të listës, Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti ose Kuvendi. Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tre organet e emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, për të vendosur brenda renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli.
- Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
- Në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues. Argumentet Presidentit në letrën e datës 05.11.2019 drejtuar Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në lidhje me radhën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues nga Presidenti e Kuvendi, bien ndesh me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, pasi radha nuk përcakton kohën e veprimit të organit, por kompetencën për të vepruar për secilin vend vakant. Në kushtet kur plotësohen disa vende vakante njëherësh, secili organ ka të drejtë të ushtrojë kompetencën e vet kushtetuese, pa u kufizuar nga zgjedhja e organit tjetër dhe as nga koha e ushtrimit të kësaj kompetence prej secilit organ, duke emëruar/zgjedhur gjyqtarin/gjyqtarët kushtetues në mënyrë të pavarur nga vendimmarrja e organit tjetër. Nga procedura tërësore e ndjekur, që nga shpallja e vendeve vakante për gjyqtarët kushtetues, nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi, deri në shqyrtimin, vlerësimin e kandidaturave dhe njoftimet e vendimeve përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për secilin vend vakant të krijuar, është e qartë kompetenca e emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues për vendin vakant respektiv, përkatësisht nga Presidenti dhe nga Kuvendi.
- Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese si dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese.
- Duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cenimin e pavarësisë së këtij institucioni nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuesee në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate.
- Presidenti në mënyrë të përsëritur ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën, duke nxjerrë akte në tejkalim ose në mungesë të kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore;
Për sa më sipër,
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës nr.11350, datë 13.11.2019.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.
Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.